Forcohen kushtet për shtetësinë italiane
25/01/2010 Emigrantët aplikues duhet të kenë të paktën 10 vjet qëndrim të rregullt në këtë shtet
Kërkohet ndjekja e detyrueshme e kurseve të historisë, kulturës, edukatës qytetare dhe njohjen e Kushtetutës
Rishkruhen rregullat për tu bërë shtetas italian. Sipas vendimeve më të fundit të ndërmarra nga ekspertët e legjislacionit, rezulton se shteti italian do të forcojë rregullat mbi dhënien e nënshtetësisë për emigrantët e rritur, teksa parashikohen lehtësime vetëm për të miturit. Në paketën e re të rregullave parashikohet rritja e kohës së qëndrimit (të rregullt në këtë shtet) që emigranti duhet të ketë në momentin e bërjes së kërkesës për marrjen e shtetësisë. Përkundrejt këtij kushti, emigrantët do të duhet të plotësojnë edhe një kriter tjetër, që nuk ka të bëjë vetëm me njohuritë mbi gjuhën, por edhe me informacionet që duhet të ketë mbi kulturën dhe historinë e këtij vendi. Këto ndryshime pritet të miratohen së shpejti në parlamentin italian, ndërkohë që kanë nisur diskutimet, gjetjen e një marrëveshjeje për lehtësimin e marrjes së shtetësisë të paktën për të miturit, por për të tjerët rrezikohet të ketë vetëm shtrëngime.
Ndryshimet
Sipas përcaktimeve të bëra, pohohet se emigrantëve, që kërkojnë shtetësinë italiane, do tu duhet të kenë përsëri rezidencë të rregullt prej të paktën dhjetë viteve dhe përveç kësaj, edhe të kenë ndjekur kurse të detyrueshme historie dhe kulture italiane e evropiane, edukate qytetare dhe për njohjen e Kushtetutës. Në rast të mosplotësimit të këtyre kushteve, do të rishikohet edhe refuzimi i kërkesës për marrjen e shtetësisë. Ndërsa bijtë e tyre të lindur në Itali do të mund të kërkojnë shtetësinë italiane vetëm pasi të kenë mbushur 18 vjeç (ashtu si sot), por me kusht që të kenë ndjekur me sukses të gjithë shkollën e detyrueshme. Megjithatë, përballë këtyre rregullave të reja është kërkuar të paktën për të miturit që “duhet të jetë menjëherë italianë kush lind këtu, nëse njëri nga prindërit ka qëndrim të rregullt në Itali prej të paktën pesë vjetësh, dhe duhet të bëhet italian i mituri (gjithnjë i lindur në Itali), që përfundon këtu një cikël studimesh.
Debatet
Konkretisht ndryshime në favor lehtësimi janë kërkuar për të miturit, ku bëhet fjalë për rreth 862 mijë të rinj, të lindur apo të ardhur në Itali në moshë të njomë, që kërkojnë të drejtën të jenë italianë. Hartuesit e këtyre rregullave të reja kanë deklaruar se do të pranojnë të ulin numrin e viteve të nevojshme për natyralizimet, maksimumi do të ndërhyhet për shkurtimin e kohëzgjatjes së rrugëtimit burokratik të kërkesave për njohjen e shtetësisë. Njëkohësisht është e mundur të arrihet një marrëveshje për lehtësimin e marrjes së shtetësisë nga brezi i dytë: rreth tetëqind mijë bij emigrantësh, të lindur në Itali apo të ardhur këtu në moshë fare të njomë, që janë italianë de facto por jo de jure. Lidhur me këto ndryshime, të cilat kanë sjellë përplasje ndërmjet forcave politike, kryetarja e forumit mbi emigracionin ka pohuar se “reforma duhet të ketë si pikë nisjeje natyralizimin e të miturve të lindur në Itali nga prindër të huaj. Të favorizosh marrjen e shtetësisë nga këta të mitur, do të thotë të parandalosh konflikte sociale, të luftosh prirjet që ushqejnë krimin, të lejosh integrimin e personave të fesë myslimane”.
Ndryshimet që janë aprovuar
Ashpërsohen masat kontrolluese ndaj hyrjeve të parregullta
Ashpërsohen të gjitha normat lidhur me favorizimin e hyrjes së parregullt, por nuk preken aspak ndëshkimet kundër shfrytëzuesve të këtij emigrimi të paligjshëm. Ata, që në shfrytëzimin e gjendjes së qëndrimit të parregullt realizojnë përfitime (p.sh. ata që punësojnë punëtorë emigrantë të parregullt, kuptueshëm për paga shumë të ulëta, nuk e shohin të përkeqësuar ndëshkimin e tyre. Konkretisht ndryshimet e miratuara konsistojnë në “futjen e shkeljes së hyrjes dhe qëndrimit të paligjshëm në territorin e shtetit”. Kjo shkelje nuk dënohet me burgim, por me një gjobë administrative, që luhatet nga 5.000 deri në 10.000 euro, si dhe dëbim. Gjithashtu do të ulet nga dy në gjashtë muaj koha maksimale e qëndrimit në Qendrat e Dëbimit. Zgjatjet duhet të autorizohen nga gjykata, kur shtetasi i huaj nuk bashkëpunon, apo nuk arrijnë dokumentet e domosdoshme për dëbim nga shteti i origjinës. Është aprovuar konfirmimi i tre viteve burg dhe konfiskimi i mundshëm i banesës për ata që i ofrojnë strehim me pagesë emigrantëve të parregullt “për të nxjerrë përfitime të padrejta”, por vetëm kur këta emigrantë të parregullt nuk kanë leje qëndrimi në momentin e lidhjes apo ripërtëritjes së kontratës së qiramarrjes. Parashikohet edhe kushti i verifikimit nga ana e komunës për përshtatshmërinë e banesës ku banojnë, për regjistrimin e shtetasve të huaj në zyrën e gjendjes civile, si dhe parashikimi i paraqitjes së lejes së qëndrimit për qasjen ndaj shërbimeve publike dhe për akte të gjendjes civile, me përjashtim të shërbimeve sanitare apo regjistrimit në shkollat e arsimit të detyrueshëm.
2 vjet
Legjislacioni aktual i marrjes së shtetësisë në këtë vend përcakton që 2 vjet
rezidencë duhet të kenë ata që paraqesin sot kërkesë shtetësie për martesë me shtetas italian. Deri para ardhjes në fuqi të paketës së sigurisë mjaftonin gjashtë muaj. Këtej e tutje do të kërkohet që martesa të jetë e vlefshme edhe në çastin e lëshimit të dekretit të shtetësisë.
20.000
euro është shuma që duhet paguar tashmë për të paraqitur kërkesën për marrjen e shtetësisë. Me ardhjen në fuqi të paketës së sigurisë, nuk pranohen më vetëdeklarimet apo vetëcertifikimet. Kërkesës së shtetësisë i duhen bashkëngjitur të gjitha certifikatat e nevojshme jo vetëm ato të marra në Shqipëri, por edhe ato italianet, që më parë mund edhe të vetëcertifikoheshin.
08/08/07
Sipas ndryshimeve të bëra në legjislacionin italian, përcaktohet se vetëm ata persona që kanë paraqitur kërkesë për shtetësi për martesë me një shtetas italian para kësaj date nuk preken nga normat e reja të paketës së sigurisë. Ndërkohë që të gjitha praktikat e tjera të pambyllura, edhe pse të paraqitura para shumë kohësh, do tu nënshtrohen shtrëngimeve të reja.