Mërgjyshi: “Fund serisë së zezë të Dinamos”

ASA (Albania Sport Agency) - Dinamo kërkon me këmbëngulje për të frenuar serinë negative me tri humbje rresht në kampionat(Besën 2-1, Partizanin 0-2 dhe Teutën 3-1), përballë një Vllaznie shumë të motivuar që synon fitoren e pestë radhazi, për të mos humbur ritmet në ndjekje të Tiranës kryesuese.
Situata në kampin blu pas humbjes me në transfertë me Teutën është ende e zymtë dhe shpresat për një rikuperim ndaj Vllaznisë bëhen gjithmonë e më të pakta, kur në skuadrën e dyshes Jupi-Mërgjyshi të dalë jashtë cdo objektivi, motivet behën edhe më të zbehta.
"Është një gjendje që është akumuluar prej shumë kohësh, që nis me problemet e fazës së parë", thotë ndihmëstrajneri Artan Mergjyshi. "Për të thënë të drejtën jo se nuk e kemi pritur se do të vinte kjo gjendje, por jo në këtë gradë. Tri humbje rresht na kanë ulur dhe motivimin e lojtarëve pasi kemi dalë dhe jashtë objektivave', shton asistenti i Redi Jupit. "Kemi pasur një periudhë të gjatë dëmtimesh të lojtarëve kryesore si Ahmataj, Poci, Qorri, Vincetic, Jupi, gati gjashtë-shtatë lojtarë bazë të formacionit, shto më pas dhe pezullime për shkak të kartonëve, të cilat e kanë rënduar situatën e Dinamos. Nuk duhet të harrojmë se dhe mungesa e portierit të pezulluar Ilion Lika ndihet në ekip. Ekipi nuk e pati stofin e duhur për të përballuar këto mungesa", thotë ish-lojtari i Dinamos dhe një sërë ekipeve të njohur, si Partizani e Besa.
"Duke parë moshën e re të portierit zëvendësues Hoxha, themi se e ka përmbushur rolin e tij, pasi fillimisht menduan se ai do të paraqitej me keq, përvec ndeshjes me Teutën, ku mund të fajësohet për pësimin e një goli. Mendimi ynë i përgjithshëm për Hoxhën është pozitiv, dhe se do i shërbejë së ardhmes". Dinamo, sipas Mërgjyshit është ende jo e siguruar matematikisht në qëndrimin e saj. "Na duhet edhe tri pikë në gjashtë javët që kanë mbetur për të qenë të rregull me matematikën", - përfundoi 39-vjecari Mërgjyshi, përpara ndeshjes së Dinamos me Vllazninë në kryeqytet. Në takimin e parë midis këtyre dy ekipeve Vllaznia fitoi në Shkodër me rezultatin e pastër 3-0 ndërsa në Tiranë dy skuadrat u ndanë në barazim pa gola.