Brahushi-Rroku, medaljet e argjendta në “Franko Blagonic 2007”

Dy boksierë fierakë Mario Brahushi dhe Muharrem Rroku kanë fituar medaljet e argjendta në turneun ndërkombëtar të boksit "Franko Blagonic 2007", të zhvilluar në Kroaci për peshat 60 dhe 54 kg.
Aktiviteti ka vazhduar për rreth pesë ditë dhe ka përfunduar të dielën e kaluar. Në këtë turne morën pjesë 17 ekipe nga vende të ndryshme të botës si Austria, Italia, Kroacia, Serbia, Sllovakia etj. Ai është zhvilluar nën iniciativën e presidentit kroat, Stipe Mesic.
Ekipi i boksit për të rinj të Apolonisë, sipas trajnerit Baftjar Abazi, në këtë aktivitet përfaqësoi Shqipërinë. Po sipas këtij trajneri dy të rinjtë e sipërpërmendur fitues të medaljeve të argjendta në moshën 19-vjecare kanë shanset të përfaqësojnë vendin tonë në Lojërat Olimpike. Por për të shkuar deri atje ata do të zhvillojnë dhe dy turne të tjera në muajt në vazhdim..Por sipas trajnerit në fjalë pavarësisht rezultateve të arritura ajo që duhet theksuar është se mbështetja bashkiake lë për të dëshiruar. "Ekipi i boksit kërkon më shumë kujdes dhe ndihmë financiare, e thënë më shqip mbështetje jo vetëm morale" – deklaroi Abazi. "Nëse shikohen kushtet stërvitore të ekipit ato lënë shumë për të dëshiruar. Që nga palestra dhe salla e forcës nuk plotësojnë asnjë parametër të qenit të tilla për sportistët cilësorë. Ata nuk mund të stërviten në këto kushte kur dhe dorezat e boksit janë me numër të kufizuar Ndërsa salla ku zhvillohet stërvitja është në një hangar, ku kur bie shi jashtë gjithcka mund të bjerë brenda", përfundoi trajneri Abazi.