E Diel, 1 Nëntor 2026

Merkato, 31 janari i “çmendur” i Premier Ligës angleze

LONDER- Lëvizjet e ditës së hënë në merkaton angleze kanë qenë nga më të çmendurat e historisë. Dita e fundit e transferimeve të janarit është mbyllur me kalimin e Fernando Torres te Çelsi për 58 milionë euro, të Andi Kerrol nga Njukasëlli te Liverpuli për 40 milionë euro dhe të David Luiz nga Benfika te Çelsi për rreth 30 milionë euro.

Shifra të çmendura janë komentuar këto nga mediat angleze, në kulmin e një krize ekonomike që po kalon Evropa. Një tjetër transferim i bujshëm në Angli ka qenë kalimi i sulmuesit Luis Suarez nga Ajaksi te Liverpuli për shifrën e 26.5 milionë eurove, por edhe blerja e Edin Xhekos për 35 milionë nga ana e Mançester Sitit apo edhe e Darren Bent nga Aston Vila për 24 milionë paund.

Këto shifra kanë alarmuar jo vetëm drejtuesit e futbollit anglez, por edhe UEFA-n, e cila për vitin 2012 ka parashikuar atë që quhet fair-play financiar, pra kur klubet nuk duhet t’i mbyllin më bilancet e tyre me humbje.
Një gjë e tillë, në dritën e zhvillimeve të 31 janarit, duket një goditje e fortë për Mishel Platini, që aq shumë e ka sponsorizuar këtë lëvizje të tij. Çelsi e mbylli sezonin 2009-2010 me një bilanc negativ prej 70.9 milionë paundësh, ndërsa me blerjet e reja, mund të imagjinohet lehtë sesa do të jenë humbjet e klubit londinez.

Ndërkohë, në Liverpul, tifozët e këtij klubi janë revoltuar me largimin e Fernando Torres, duke djegur në publik fanellën e tij. Revoltë ka patur edhe nga tifozët e Njukasëll, por këta të fundit e kanë patur sidomos me pronarin Majk Eshli, që ka shitur idhullin e tyre Andi Kerrol.

(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›