Merkel: Greqia mund të përjashtohet për 10 vjet nga BE
Kancelarja gjermane: Prioriteti ynë, Euro dhe jo Greqia
Liderët evropianë për herë të parë kanë pranuar mundësinë që Greqia të lërë zonën e Euros. Problemet e Athinës kane dominuar samitin e G20-ës në Kanë, të Francës. Çelja e tij solli edhe të parin pohim të hapur të udhëheqësve të BE-së se që monedha e përbashkët të mbijetojë, përjashtimi i Greqisë do të ishte ndoshta i nevojshëm.
“Siç e kam thënë edhe më parë, ajo që ka rëndësi për ne, janë veprimet, asgjë tjetër. Ne duam që Greqia të jetë pjesë e Eurozonës, por prioritet për ne ka euro dhe stabiliteti i saj”- u shpreh kancelarja gjermane Angela Merkel.
Veprimet e fundit të Athinës çelën një perspektivë deri më tani të paimagjinueshme: “mundësinë që populli grek ta refuzojë monedhën e përbashkët”.
Jorgos Papandreu e bëri të qartë se mospranimi i dorëzanisë do të nënkuptonte daljen nga euro. I pezmatuar, presidenti francez Nikola Sarkozi përcolli për grekët këtë mesazh: “Bindjuni rregullave ose largohuni”. Kështu, për të parën herë, mundësia që një vend të lërë zonën e euros u shtrua në nivelet më të larta të bllokut 27 anëtarësh.
Megjithatë, shumë ekonomistë mendojnë se për Greqinë kjo mund të ishte një zgjidhje.
Një nga problemet kryesore në këtë situatë është mungesa e një mekanizmi për daljen nga eurozona, sepse traktati nuk e parashikon një hap të tillë pa daljen nga Bashkimi Europian.