Merkel: Samiti për sigurinë bërthamore, i suksesshëm
Kancelarja gjermane, Angela Merkel e ka vlerësuar si të suksesshëm samitin për sigurinë bërthamore në Washington. Takimi ishte "hapi i parë" në rrugën e veprimit të përbashkët ndërkombëtar, ka thënë kancelarja Merkel. "Ka nisur një proces, i cili merret me një prej kërcënimeve kryesore të shekullit 21. Procesi merret me rreziqet nga terrorizmi me armë bërthamore dhe ka filluar me sukses", theksoi Merkel. Në këtë konferencë është arritur marrëveshja që të vazhdohet edhe me hapa të tjerë, me qëllim që mbeturinat e materialeve bërthamore të mos bien në duart e terroristëve. Samiti mbështeti edhe qëllimin e presidentit amerikan Barack Obama, që brenda katër vitesh të sigurohen sasi të mëdha nukleare. "është shumë e qartë që terrorizmi bërthamor paraqet një prej rreziqeve më të mëdha për sigurinë globale. Ky është edhe shkaku pse një vit më parë në Prag të çekisë kemi nisur një iniciativë të re ndërkombëtare për sigurimin brenda katër vitesh të materialeve bërthamore në mbarë botën", nënvizoi Obama. Samiti përfundoi me një deklaratë të përbashkët të pjesëmarrësve nga 47 vende të ndryshme, por marrëveshja nuk është e detyrueshme.