E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merkel: Serbia të rifillojë dialogun me Kosovën

BERLIN- Në prag të një udhëtimi në Kroaci dhe Serbi, kancelarja gjermane Angela Merkel i bëri thirrje sot Beogradit të rifillojë dialogun me Kosovën, me të cilën marrëdhëniet janë acaruar së fundmi.

"Tashmë ka përsëri tensione mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Kjo është arsyeja për të cilën një nga detyrat e mia do të jetë ta bind Serbinë se duhet të rifillojë dialogun me Kosovën", deklaroi Merkel në një intervistë të përjavshme të publikuar në faqen e internetit të kancelarisë.

"Nuk mund të ketë perspektivë evropiane për këtë rajon nëse nuk ndërmeren të gjitha përpjekjet, pavarësisht plagëve të së kaluarës që mbeten ende shumë të thella dhe të dhimbshme", shtoi kancelarja.

"Përveç respektimit të parimeve të Bashkimit Evropian, kemi nevojë gjithashtu që të shohim se çdo vend ka vullnetin të bashkëpunojë me zgjuarësi me fqinjët e tij, të zgjidhë në mënyrë paqësore konfliktet dhe të tregojë respekt të dyanshëm", theksoi kancelarja.

Merkel përshëndeti arrestimin e kriminelëve të dyshuar të luftës Ratko Mlladiç dhe Goran Haxhiç si dhe dërgimin e tyre në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.

Merkel do të vizitojë të hënën Kroacinë, ndërsa të martën, ajo do të shkojë në Beograd ku do të takohet me liderët serbë.

Kjo do të jetë vizita e parë e një kryeministri gjerman që prej vitit 2003 në këtë vend, anëtar i ardhshëm i BE-së duke filluar nga 1 korriku 2013.
(s.g/atsh/balkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›