E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merkel: Të vazhdojë dialogu Kosovë-Serbi

21-08-2011 / Gazeta 55

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se gjatë qëndrimit në Beograd do të bëjë thirrje për vazhdimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.
“Nuk mund të ketë perspektivë evropiane për këtë rajon, nëse nuk bëjnë përpjekje të gjitha palët, edhe pse plagët e së kaluarës kanë ende efekte të thella dhe të vështira”, tha Merkel në fjalimin e rregullt javor. Ajo theksoi se “një nga detyrat e mia do të jetë të bind Serbinë se ajo duhet të rinisë dialogun me Kosovën”. 
Ndërkaq, bisedimet për perspektivën everopiane të Kroacisë dhe Serbisë do të jenë në axhendën e kancelares gjermane, Angela Merkel, gjatë vizitës në Zagreb dhe Beograd.
Merkel pritet të bëjë thirrje edhe për marrëdhënie të mira mes Serbisë dhe Kosovës.
Liderja gjermane do të realizojë udhëtimin, pavarësisht krizës ekonomike që ka përfshirë Evropën. Kjo është hera e parë që nga viti 2003 që një udhëheqës i qeverisë gjermane viziton Zagrebin dhe Beogradin. Merkel do të takohet me presidentin kroat, Ivo Josipoviç, dhe kryeministren Jadranka Kosor, të hënën në Zagreb.
Sipas së përditshmes “Jutarnji List” ajo do t`iu kërkojë autoriteteve kroate të vazhdojnë reformat dhe masat kundër korrupsionit.
Kroacia pritet ‘`i bashkohet BE-së në verë të 2013-ës.
Ndërkaq, Kosova do të jetë temë kryesore e diskutimit me zyrtarët serbë në Beograd të martën.
Vizita e Merkelit thuhet të ndodhë pak ditë para rifillimit të bisedimeve midis palës serbe dhe asaj kosovare, më 2 shtator, në Bruksel.
Në Serbi është përhapur frika se Merkel do të ushtrojë presion mbi liderët serbë që “të braktisin plotësisht Kosovën”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›