Vijon normalisht votimi në komunën Shalë

UPDATE- Në orën 8:00 të mëngjesit të sotëm, nisi procesi i votimit në komunën Shalë të Qarkut të Shkodrës. Votimi po ecën normalisht në të pesë qendrat e votimit ku u vendos nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të rivotohej, për shkak se në 8 maj, materialet zgjedhore mbërritën me 6 orë vonesë në këtë njësi vendore. Emri i kryetarit të komunës do të dalë nga gara që po zhvillohet mes përfaqësuesit të “Aleancës për Qytetarin” Dedë Tonaj dhe rivalit të tij Bal Vuksani nga koalicioni “Aleanca për të Ardhmen”.
Deri tani nuk është regjistruar ndonjë problem me procesin, qoftë përsa i përket mënyrës së votimit, qoftë edhe lidhur me ndonjë bllokim të mundshëm të procesit, siç ndodhi në një pjesë të madhe të rasteve gjatë votimit të 8 majit. Deputetë të të dy partive kryesore kanë qenë prezentë gjatë gjithë ditës, për të ndjekur procesin.
Për zgjedhjen e kryekomunarit të Shalës, do të votojnë 2820 zgjedhës. Votimi do të zgjasë deri në orën 19:00. Pas këtij orari, të gjitha Qendrat e Votimit do të mbyllen, ndërsa kutitë e votimit do të transportohen drejt KZAZ-së së Shkodrës.
Precedenti/Komuna Shalë s’ka votuar asnjëherë
Zgjedhjet e sotme në Shalë të Shkodrës zhvillohen për herë të tretë, por procesi s’është çuar asnjëherë deri në fund. Në dy datat e mëparshme, më 8 maj dhe 31 korrik nuk është votuar për shkaqe të ndryshme, edhe pse një pjesë e Qendrave të Votimit janë hapur që në orët e para të mëngjesit, por në orët e mesditës janë mbyllur. Shkak janë bërë parregullsitë e vërejtuara nga KQZ, pasi në një pjesë të mirë të Qendrave të Votimit s’u shpërnda baza materiale.
Edhe të dielën e 31 korrikut u vërejt e njëjta situatë, teksa mos funksionimi i procesit, për arsye se komisionerët socialistë dhe militantë të kësaj force politike çuan në pezullimin e zgjedhjeve.
Sot pritet që komuna Shalë të njohë zyrtarisht kryetarin dhe këshillin komunal.
...