E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merkel dhe Brown: Të ulet numri i ushtarakëve në Afganistan

Gjermania dhe Britania njoftuan për një konferencë të përbashkët që do të organizohet në Afganistan me qëllim që autoriteteve afgane t'iu transferohet pushteti që mbahet nga një pjesë e forcave paqeruajtëse të NATO-s si edhe të ulet numri i ushtarakëve britanikë dhe gjermanë në këtë shtet.
Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryeministri britanik Gordon Brown njoftuan këtë nismë në një konferencë për shtyp në Berlin, duke pohuar se pjesë e saj do të ishte edhe presidenti francez Nikolas Sarkozi.
"Plani ynë është që të përgatisim qeverinë afgane, gjatë periudhës së tranzicionit që vjen, për të rritur numrin e përgjegjësive të saj shtetërore", u tha gazetarëve Merkel.
"Ne do të ndihmojmë me trajnim dhe rindërtim të strukturave civile, por qëllimi jonë nuk është që të lëmë në harresë një strukture të qëndrueshme të sigurisë në Afganistan," shtoi ajo.
"Ne duhet të lëvizim përpara me vendosmëri për këtë dhe afganët duhet me patjetër të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre, pastaj angazhimi ndërkombëtar do të mund të reduktohet".
Merkel refuzoi të japë një afat kohor se kur vendet do të reduktojnë nivelin e trupave, duke thënë se ky ishte një vendim që duhet të merret së bashku me aleatët.
Merkel dhe Brown janë përballur me presion mjaft të lartë në vendin e tyre duke ditur se popullsia evropiane është gjithnjë e më skeptike në lidhje me misionin e NATO-s në Afganistan. Britania ka 9.000 trupa në vend dhe Gjermania ka 4.200.
Brown tha se misioni i kësaj konference do të jetë që të bashkohen qeveria e ardhshme afgane, Kombet të Bashkuara, NATO si edhe vendet kryesore të cilat kanë kontribuar në misionin e NATO-s atje.
"Gjermania dhe Britania janë kontribuesit kryesor të 41-të vendeve të koalicionit në Afganistan," tha Brown.
Pas paraqitjes së kësaj nisme të dy si Brown edhe Merkel komentuan takimin e ardhshëm të G20 në Pitsburg.Të dy udhëheqësit thanë se duhet bashkëpunim për të përmbushur sfidat afatgjate të rritjes së qëndrueshme dhe të punësimit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›