E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merkel dhe Hollande ne Paris perpara samitit

Merkel dhe Hollande takohen në Paris pak orë përpara nisjes së samitit të BE. Në këtë takim të dy liderët kryesorë të Europës kanë biseduar për rritjen. Në konferencën për shtyp pas këtij takimi bilateral kancelarja gjermane ka deklaruar se kemi nevojë për më shumë Europë dhe duhet të thellojmë më tej bashkimin monetar. Anëtarët e BE duhet të bashkëpunojnë më shumë mes tyre për të arritur në një bashkim më të integruar. Po kështu edhe presidenti francez ka deklaruar se si Franca ashtu edhe Gjermania janë në favor të një bashkimi më të thellë në nivel europian.  Hollande ka shtuar se kemi punuar mirë, kryesisht mbi rritjen. Për kancelaren gjermane situata në të cilën gjendet Europa është serioze dhe liderët e BE ndihen të angazhuar të krijojnë një Europë me një valutë më të fortë. Merkel ka deklaruar se shpreson që pas progreseve të bëra me miratimin e paktit fiskal, mund të vendoset edhe për të ardhmen politike të BE. Dëshirojmë të gjithë një bashkim më të thellë ekonomik, monetar  dhe në të ardhmen edhe politik  për të arritur integrimin dhe solidaritetin ka thënë Hollande. Ndërkohë që Merkel ka përforcuar edhe njëherë idenë se nevojitet më shumë Europë për zgjidhjen e krizës aktuale. 
 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›