Merkel, një tjetër mandat për rimëkëmbjen e ekonomisë
Angela Merkel u rizgjodh sot si kancelare e Gjermanisë edhe për një tjetër mandat katërvjeçar. 55-vjeçarja e bija e një prifti, por e cilësuar me përkëdheli si vajza e ish-kancelarit Helmut Kohl, mori shumicën e votave të nevojshme në parlament, 332 nga 622 deputetë. Kjo falë koalicionit të arritur mes CDU Konservatorëve kristian-demokrat që ajo udhëheq dhe liberalët e qendrës pro biznesit të FDP-së. Një koalicion në dukje i brishtë, për shkak të ndryshimeve politike, por që ishte padyshim lëvizja më e mirë për të vazhduar reformat ndaj krizës ekonomike. Gruaja e hekurt gjermane me aleatët e saj liberalë i kanë mundësuar Gjermanisë rimëkëmbje ekonomike, ruajtjen e vendeve të punës. Në veçanti, ulja e taksave është kryefjala e këtij koalicioni. Partnerët në koalicionin e qendrës së djathtë kanë rënë dakord që tatimet në Gjermani të ulen gradualisht duke filluar prej filimit të vitit të ardhshëm duke kapur shumën e 24 miliardë eurosh. Ndërsa 4 vitet e para të qeverisjes së Merkel u konsideruan si vitet e provës, tani kancelarja ka shansin të provojë se sa e fortë është duke u kthyer në atë që analistët e cilësojnë si Margaret Theçerin e dytë të Europës. Pas rënies së interest të Francës tek progresi ekonomik I vendeve të Bllokut dhe një Britanie të lëkundur, revista times e cilëson Gjermaninë nën qeverisjen e Merkelit si të vetmen që mund të udhëheqë bllokun jo vetëm drejt sfidave por edhe drejt zgjerimit. Merkel prej kohësh është konsideruar një nga mbështetëset më të forta të vendit tonë në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian. Merkel duhet të marrë nga Presidenti Horst Köhler një çertifikatë të mandatimit dhe do të bëjë betimin në Parlament. Më pas ajo do të emrojë 15 ministrat e kabinetit të ri, të cilët do të bëjnë betimin në Parlament.