Merkel së shpejti viziton Vatikanin

Kancelarja gjermane Angela Merkel, për herë të parë prej se ka filluar detyrën si kryeministre e vendit në vitin 2005, do të vizitojë zyrtarisht Vatikanin, selinë e shenjtë të katolikëve të botës, së cilës i përket gjysma e popullsisë gjermane. Qeveria gjermane njoftoi sot në Berlin se Merkel do të vizitojë Vatikanin më 18 maj.
Biseda e saj me Papa Franciscon do të zgjasë 45 minuta, gjë që për rrethana të selisë së shenjtë paraqet “audiencë shumë të gjatë”, njofton agjencia informative e Vatikanit VIA.
Sipas Vatikanit, me këtë vizitë thyhet rregulli i pashkruar që presidenti apo kryeministri i një vendi të mos pranohen në vitin kur në atë shtet mbahen zgjedhjet nacionale.
Kancelarja gjermane e pati vizituar Papa Palin II privatisht në vitin 2003, Papa Benediktin nuk e vizitoi fare në Vatikan, edhe pse e kishte bashkëvendës, por e takoi një herë në rezidencën verore afër Romës dhe dy herë në Gjermani, kur ish-kreu i Vatikanit e vizitoi Gjermaninë, në vitin 2006 dhe 2009.
Qarqet me ndikim në Vatikan nuk e kanë harruar kritikën që ajo ia kishte bërë Papës në vitin 2009, kur Merkel pati shprehur pakënaqësi për arsye të zvarritjes së kreut të katolikëve për të dënuar antisemitizmin e një peshkopi.
Merkel ka marrë pjesë në shpalljen zyrtare të Papës Francisco më 19 mars të këtij viti. Ndryshe vet Merkel i përket sektit protestant dhe rrjedh nga babai prift protestant.
Vetëm para një muaji u kuptua se gjyshi i kancelares, me origjinë polake, ka qenë katolik deri në vitin 1920.
Pritet që Merkel ta ftojë Papën e ri për vizitë në Gjermani./Indeksonline./