E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mërkiq: Kosova në rajon vetëm me fusnotë

Në organizatat rajonale Kosova mund të marrë pjesë vetëm me fusnotë, që nuk prejudikon statusin. Kështu citojnë mediet e Beogradit ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivan Mërkiqin.

Sipas tij, Kosova, pavarësisht nga Marrëveshja e arritur në Bruksel, transmeton Koha.net, nuk do të mund të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare, siç është OSBE-ja dhe Këshilli i Europës, por vetëm në organizata rajonale.

Në një deklaratë për të përditshme serbe, “V. Novosti” Mërkiq tha se “Marëveshja që kemi arritur me Prishtinën nuk ka asnjë lidhje me anëtarësimin e organeve të Kosovës në OSB dhe Këshill të Europës. E dimë se Prishtina e do këtë kaherë, porse është e vetëdijshme se nuk mund ta realizojë pa marrëveshjen përfundimtare rreth statusit të saj”. Sipas tij, anëtarësimi në Këshillin e Europës presupozon dy parakushte: të jetë kandidat për anëtarësim në OKB dhe që pranimin e saj ta mbështesin dy të tretat e shteteve që janë në atë organizatë.

“Anëtarësimi i Kosovës në OSBE po ashtu e ka bishtin e vet, meqë anëtaret, duke përfshirë Serbinë e Rusinë, kanë të drejtën e vetos ndaj pranimit të anëtarëve të rinj, e anëtare mund të bëhen vetëm shtetet dhe jo territoret”, i ka thënë Mërkiq “Novostit”. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›