Mero Baze: Një rrëfim për veten dhe për Berishën
Z.Baze, ju jeni bërë shumë i njohur për publikun me shkrimet tuaja apo komentet që bëni në televizion. Dhe aty jeni një gazetar dhe analist që "nxirrni zjarr" nga goja. Kush është Mero jashtë këtij këndëvështrimi në jetën e përditshme?
Nuk kam shumë aftësi të vizatoj vetveten në punë apo jashtë saj. Besoj se as në shtyp nuk jam aq i ashpër sa dukem, por përpjekja për të shkuar tek e vërteta në Shqipëri, të detyron tëpërdorësh shpesh ashpërsinë si mjet shprehje. Për ata që më njohin në jetën private jam njeri jo i mërzitshëm, racional dhe shumë i drejtpërdrejtë. Kjo gjë më ka shkaktuar më pakhumbje në jetën private se sa në atë publike.
Ju keni patur një karrierë do të thoja të çuditshme në jetë. Mund të ishit një inxhinier gjeologjie, sepse punuat edhe disa vjet në minierë. Përse e braktisët për t`iu kushtuar medias?
Unë i përkas gjeneratës që u diplomuam vitin e fundit të komunizmit. Në atë kohë dega nuk zgjidhej, por të caktohej dhe mua pas disa ndërrime degësh, nga elektronika, tek inxhinieria e ndërtimit më në fund më përplasën në Gjeologji. I apasionuar qysh në gjimnaz pas letërsisë dhe gazetarisë, unë përfundova qysh vitin e parë në gazetën "Studenti" dhe më pas si redaktor i saj dhe gjatë gjithë viteve si student kam qenë një gazetar aktiv dhe në organet e tjera të shtypit. Fakulteti më ndihmoi për të njohur një Shqipëri që nuk e njihja dhe nuk e njohin ende sot shumë njerëz. Pedagogët e atij fakulteti në shumicë të shkolluar në shkollat ruse dhe ato perëndmore, ishin emblema të vërtetësisë dhe antikonformizmit. Ata ishin bibioliteka lëvizëse, që të edukonin qoftë dhe shembujt e jetës së tyre, me përplasjet e tyre me diktaturën, me paranojat e Enver Hoxhës për të zbuluar naftë dhe krom, atje ku shikonte ai ëndrra natën etj. Ishte një Shqipëri që nuk zbulohej për të gjithë por vetëm për ata që fitonin besimin e tyre. Unë kisha fat të isha një mik i pedagogëve të mi, dhjetra emblema të gjalla të një Shqipërie që po vdiste e heshtur. Unë më shumë se sa për të zbuluar minerale mësova të zbuloj një pasion të madh timin që lidhej me kulturën, historinë dhe antikomunizmin në Shqipëri. Në atë fakultet i kam gjetur të gjitha dhe ndihem me fat që nuk shkova të mësoja diku tjetër banalitetet e propogandës së fundkomunizmit në Shqipëri. Në këtë pikë nuk mund të them se braktisa diçka nga profesioni im. Përfundova fakultetin dhe mora dy emërime, një si gazetar në shtypin e Tiranës nga Bashkimi i Gazetarëve të Shqipërisë dhe një si inxhinier gjeolog në Martanesh. Për arsye biografike, më lanë në fuqi të dytin dhe më "shpëtuan" nga puna një vit pranë gazetës "Bashkimi", në vitin 1990.
Duke mbetur te media, ju po bëni gati dy dekada në të dhe keni jetuar fillimet e medias së lirë dhe ngritjen e saj. A është media shqiptare sot ajo që kishit menduar ju në fillimet tuaja dhe cilat janë plagët e saj?
Shtypi pluralist i Shqipërisë, startoi duke thënë të vërteta në një mënyrë jo shumë etike dhe ka përfunduar në një shtyp cilësor nga ana etike, por që fsheh me mjeshtëri të vërtetat e hidhura. Shtypi i fillim viteve 90-të ishte i ashpër, jo cilësor, bardhë e zi, por më i vërtetë. Tani je i lirë të flasësh diku, por jo gjithkund, je i lirë të kritikosh dikë, por jo gjithandej, je i lirë të denoncosh, por jo doemos të ndëshkohet e keqja, je i lirë të ngresh zërin, por jo doemos të dëgjohesh. Shtypi natyrisht ka më shumë lluks, më shumë luk perëndimor, është më i rehatshëm dhe i ngjan pak a shumë një dembeli të shtrirë në diell, i cili djersin lirinë e vet, të cilën jathithinme sfungjer duke e përkëdhelur.
Emri juaj është lidhur prej shumë vitesh me PD-në dhe kryetarin e saj Berisha. Si ka evoluar në syrin tuaj prej vitit 1992 dhe deri më sot PD-ja dhe udhëheqësi i saj?
Kam një lidhje historike me PD pasi kam qenë pjesë e atyre që e kanë themeluar atë. Në Dhjetor të vitit 1990 Azem Hajdari më ka nisur në Burrel të themeloj degën e PD-së atje, me një autorizim nga Komisioni Nismëtar i PD-së. Është i vetmi dokument që ruaj nga përfshirja ime në politikë. Pesë vitet e para të qeverisjes së Sali Berishës ishin një eksperiment që dështoi. Nuk funksionoi autoritarizmi, nuk funksionoi opozita, nuk funksionoi as disidenca pasi u detyrua të ekstremizohet dhe mbi të gjitha nuk funksionoi demokracia pasi në fund përfundoi ndërrimi i pushtetit me armë.
Pas vitit 1997 Berishën e braktisën të gjithë dhe unë besoja se ky ishte një mësim i madh për të. Sulmi i paprincipt i shtetit ndaj tij, përpjekja për ta izoluar dhe poshtëruar, i dhanë atij një kartë të fort morale, për të qenë përfaqësuesi i njerëzve që po poshtëroheshin në emër të tij. Dhe mbijetoi. Mposhti antiopozitarizmin, shmangu përpjekejt për eleminimim politik dhe fizik dhe nisi pak nga pak të ndryshonte imazhin pas vitit 2001. Zgjedhjet e vjedhura të vitit 2001, i dhanë atij një kartë të fort morale. Ai arriti një rezultat të frikshëm në ato zgjedhje dhe nëse Gjykata Kushteuesenuk do ti kishte hequr 40 mandate dhe nëse vjedhja e votave nuk do ishte brutale, ai do ishte në pushtet qysh në vitin 2001. Kjo bëri që të gjithë të ndyshonin sjellje. Pushteti filloi të zbutej, ndërkombëtarët filluan ta shikojnë si partner dhe media jo më si armik. Marrëveshja e tij për presidentin e vitit 2002 e faktorizoi dhe tek kundërshtari, duke i dhënë fund një armqiësie historike me Fatos Nanon, nga e cila fitoi besimin e elektoratit të ndërmejtëm dhe si njeri i paqes. Në prag të zgjedhjeve të vitit 2005, kurorëzoi shumë teknikat e ndryshimit që kish nisur prej vitit 2002 duke rikthyer në PD ish themeluesit dhe duke ju bashkangjitur për fasadë dhe një grup të rinjsh që më vonë u quajt KOP. PD që kishte qëndruar bashke më të për tetë vite u bë promotore e këtij ndryshimi. Askush nuk e ndryshoi PD në vitin 2005. PD ndryshoi historinë e saj, duke bërë atë që bëri. Dhe ja doli të fitonte.Periudha e tij në pushtet pastaj është një histori e përsëritur por në mënyrë shumë më të keqe se ajo e vitit 92- 97 dhe shpresoj mos të ketë të njëjtin fund.
Duke mbetur në këtë lidhje, juve ju kanë cilësuar "eminenca gri" e z. Berisha si një këshilltar i tij. Për çfarë e keni këshilluar Berishën dhe sa i i ka përfilluar ai ato?
Kam qenë një mik i Sali Berishës dhe jo një këshilltar i tij. Nuk njoh akoma ndonjë të tillë.
Njohësit tuaj dhe të PD-së, thonë se shmangia juaj filloi kur Doktori gjeti këshilltarë të tjerë.Si po e këshillojnë atë?
Mes meje dhe Berishës ka hyrë një "Berishë tjetër", por jo njerëz të tjerë.
Megjithatë ju jeni munduar ta "ruani" Berishën, siç del edhe nga qëndrimi që ju mbajtët për tragjedinë e Gërdecit, duke e kufizuar përgjegjësinë te ish-ministri Mediu. Kush ishte modeli "Mediu" dhe pse duhej përjashtuar Berisha nga pagimi i faturës politike dhe morale të kësaj ngjarjeje të paprecedent?
Nuk kam kurrsesi prirjen të shpëtoj Sali Berishën nga fenomeni Gërdeci, por stili për të akuzuar Berishën është mënyra më e mirë për ta varrosur të vërtetën. Ajo histori ka një ideator, që e ka nisur dhe e ka deri tek tragjedia. Ai quhet Fatmir Mediu. Ai është i kapur me prova. Nëse ai ka prova për Sali Berishën, le ti nxjerrë. Por Fatmir Mediue ka pas planin në kokë. Ka tentuar ta bëjë zyrtarisht bashkë me Berishën, nuk ja ka dalë dhe e ka bërë vet. Ai le të shpjegohet kush ja solli amerikanët e SAC, pse Albdemoil ka krijuar selinë në Gërdec para se të merrte leje, kush nga pronarët e Albdemoil e ka shtëpinë tek rruga "Mustafa Matohiti" siç është e shkruar në degën e tatimeve etj. Por, ai s`po hetohet, por po llastohet, duke u ulur dhe në tryeza partish duke folur për të ardhmen e Shqipërisë.
A ishit edhe ju një ndër ata që prisnin një dorëheqje të Berishës pas krimit shtetëror të 15 marsit 2008 dhe çfarë parashikoni se do të bëjë kjo qeveri, të cilës i iku Mediu, por kanë mbetur ministrat që ju i konsideroni tipikë të abuzimit të votës së PD-së, si Ndoka apo Pollo?
Berisha është dorëzuar shumë përpara Gërdecit. Ai nuk ka fuqi as të dorëhiqet, as të ringrihet. Ai ecën i detyruar në koridoret që i hapin ata që e kanë marr peng. Për këtë arsye nuk pres asgjë prej tij veçse ta shtyj si në lëngatë pushtetin, deri në vitin 2009.
Në vitin e tretë të qeverisjes, çfarë note do t'i vinit koalicionit të djathtë dhe ku ka dështuar ai?
Viti i tretë i kësaj qeverisje do të mbetetmë i mirë se viti i katërt i saj, nëse do të vazhdohet kështu.
Sipas jush sa shpresa ka kjo shumicë të përsërisë një mandat tjetër në 2009?
Nëse tribunat e vitit 2009 do të kenë sërisht krah njëri- tjetrit Berishën, Mediun, Pollon e Ndokën shumica e demokratëve do të qëndrojnë në shtëpi.
"Kur akuzova Elvanën, kisha zemëruar Familjen..."
Ju keni vijuar ta kritikoni qeverisjen familjare, si në rastin e mbesës të bashkëshortes së kryeministrit. Çfarë reagimi kishit menduar kur nisën serinë e shkrimeve denoncuese për Elvana Hanën dhe afera të tjera korruptive në radhët e administratës?
Nuk e kam parë kurrë si mbesë të gruas të kryeministrit, por si një zyrtare e korruptuar që kishte kapur shtetin duke e përdorur për interesa private, që kishte krijuar një rrjet nepotik me emërime familjare shumica të rekomanduara nga fëmijët e kryeministrit dhe që diktonteçdo garë publike, duke paracaktuar fituesin. E prita me qejf përplasjen me të se ishte ndërkohë dhe një "lakmus" për të testuar vullnetin e kryeministrit për të mbajtur distancë nga korrupsioni. Në fakt ajo u trajtua si pjesë e paprekshme e familjes.
Unë kisha zemëruar në të vërtetë "Familjen". Prej atëherë nuk kam pasur asnjë kontakt me ta. Berisha thërriste shpesh miq të mi dhe thoshte se do më sqaronte për korrupsionin e Elvanës, por nuk guxoi ta bënte kurrë. Dhe kur konstatoi se pas Elvanës unë kisha në dorë dhe dosjen e Gërdecit, më sulmoi publikisht në grup parlamentar në fund të Dhjetorit dhe më pas publikisht në Kuvend pas ngjarjes së Gërdecit u muar tre orë me mua. Ndoshta u kujtohet që më quajti "kapter" të Gramoz Ruçit se kisha bashkëpunuar me gazetën "Neë York Times". Por kulmi i cinizmit ishte se disa ditë më parë, ky kryministër i kishte dhënë liçencë për Universitet privat, një prej banditëve që desh më morën jetën në vitin 2005 në Kardhiq të Gjirokastrës, nën shoqërinë e nipave të Gramoz Ruçit. Pra nën drejtimin e Sali Berishës banditët po bëhen intelektualë dhe po e pastrojnë biografinë e tyre, kurse intelektualët që mbështetën Berishën po etiketohen si kapterë. Këto janë gjeste shumë burracake në raport me një njeri, me të cilin mund të prishej dhe në tavolinë duke ja thënë privatisht hallet e familjes së tij në pushtet, ashtu sikundër i ka ndarë me të në opozitë.
PYETSORI I PRUSTIT
"Gjendja shpirtërore e kohëve të fundit? I shqetësuar.."
Çfarë është lumturia absolute për ju?
Kur i shkoj në fund një beteje ose objektivi.
Çfarë ju bën të zgjoheni në mëngjes?
Ajo që kam lënë gjysëm në mbrëmje
Hera e fundit që keni qeshur me shpirt?
Sa herë jam bashke me të dy djemtë
Tipari kryesor i karakterit tuaj?
I drejtpërdrejtë
Defekti juaj kryesor?
I drejtpdrejtë
Ndaj cilave gabime jeni më tolerantë?
Ndaj gabimeve njerëzore.
Hera e fundit që u përlotët?
Im bir më bëri për të qarë para një jave.
Me cilat personalitete historike identifikoheni më shumë?
Me politikanë dhe gazetarë të viteve 30-të
Udhëtimi juaj i preferuar?
Arratisja natënpër në jug
Shkrimtarët tuaj më të dashur?
Kadareja, Markezi, Hajnrih Bël
Cilin virtyt vlerësoni më shumë tek një burrë?
Të arrij të dojë gruan.
Tek një grua?
Të dijë të mbrojë martesën
Kompozitori juaj i preferuar?
Vagner
Kënga që fërshëlleni kur bëni dush?
Ajo që më ka mbetur në mendje një ditë më parë
Libri që ju la mbresë të pashlyshme?
Libri i At Zef Pëllumit, "Rrno vetëm për me tregue"
Filmi që ju la mbresë të thellë?
"Gjoleka, i biri i Abazit"
Piktori juaj i dashur?
Edouard Manet
Ngjyra juaj e preferuar?
Vërtitem mes bezhës dhe lejlasë
Kë konsideroni si suksesin tuaj më tëmadh?
Mbetjen gazetar
Pija juaj e preferuar?
Remy Martin
Çfarë është ajo për të cilën pendoheni më shumë?.
Kur më ikën dita pa shkruar
Çfarë urreni më shumë në këtë botë?
Nevojën e vazhdueshme për para
Kur nuk shkruani çfarë ju pëlqen të bëni?
Të udhëtoj
Frika juaj më e madhe
Pasiguria për fëmijët
Në çfarë rastesh zgjidhni të thoni gënjeshtra?
Kur u tregoj djemve të mi, që kam qenë nxënës i rregulltë.
Cila është motoja juaj?
Të mbetem në gazetari
Si do të dëshironit të vdisnit?
Pa e ditur që po vdes.
Po të ndodhte të takonit Zotin, çfarë do t'i thoshit?
Të vazhdojë të takojë të tjerë që se besojnë se ai takohet.
Në çfarë gjendje shpirtërore gjendeni kohët e fundit?
I shqetësuar