"Teknologjia dhe edukimi të përqendrohen tek Interneti"
Shqipëria zë vendin e fundit në Europë për përdorim të Internetit, me vetëm 1% të popullsisë në moshë të rritur, të lidhur në linjë. Që kjo shifër është jashtëzakonisht e ulët, e vërteton edhe fakti që, përveç Maqedonisë me 5%, të gjitha vendet e tjera të Europës kanë përqindje përdorimi dyshifrore, duke filluar nga Turqia me 14%, Bosnjë-Hercegovina me 21%, Mali i Zi me 32%, Serbia me 37%, Greqia me 46% e kështu me radhë, deri te Islanda, ku pothuajse 90% e popullsisë së rritur e shfletojnë Internetin rregullisht.
Këtu është e nevojshme të punohet në dy drejtime njëkohësisht: teknologjik dhe edukativ. Nëse brenda Shqipërisë hendeku midis elitave informacionale dhe vulgut televiziv vjen duke u thelluar, i njëjti hendek do të projektohet edhe në raportet midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Europës. Interneti vërtet varet nga teknologjia dhe infrastrukturat ekzistuese, por po shndërrohet tashmë edhe në një mënyrë themelore për të përftuar dhe riprodhuar komunitetet: kulturore, etnike, shkencore, profesionale, ekonomike, financiare. Në një kohë që elitat politike dhe kulturore në Tiranë tallen me bathorist, nuk po duan ta vënë re se, nën sundimin e tyre, Shqipëria po konsolidohet përditë e më tepër në rolin e Bathores së Europës.