"Shumica e deputetëve as që janë koshientë për rolin që kanë"
Shqiptarëve u intereson të kenë në Kuvend, njerëz me ide dhe programe të qarta për reforma. Mbrojtës të palodhur nismash për përmirësimin e jetës së qytetarëve nëpërmjet akteve normative ligjore dhe kontrollit të punës së qeverisë. Dhe jo parazitë që nuk lexojnë as ligjet që votojnë dhe bëjnë garë për të thyer rekordin e daljes nëpër ekrane. Politika nuk zhvillohet vetëm me llogje përpara kamerave.
Deputeti duhet të çmësohet së qëni një lloj ambasadori shëtitës për qytetarë të krahinës së vet, që i kërkojnë ndere tek filan apo fistek ministër. Deputeti, detyrën e vet madhore nuk e realizon duke ngritur kartonin për të miratuar, shpesh, ligje që as nuk i di për çfarë flasin. Ajo apo ai, e realizon detyrën si përfaqësues i popullit nëse i qëndron "ganxhë" mbi kokë ministrit përkatës për të zbatuar ligjin. Nga ana tjetër, deputeti nuk ka pse të jetë as edhe tellall apo zëdhënës i interesave politike të qeverisë apo të opozitës, sikurse ka ndodhur rëndom deri tani. Roli i tij parësor, për të cilin vetëm se do ta përshëndesnin e duartrokisnin shqiptarët e ndershëm, është të sigurojë zbatimin korrekt të ligjeve. Pra, jo thjesht miratimi formal me ngritje kartoni të tyre.
Ky rol, gati i shenjtë, deri tani nuk është kryer asnjëherë në mënyrë të plotë nga shumica e deputetëve. Në të kundërt, roli kryesor i deputetit është parë në deklaratat nëpër media për t'i bërë qejfin kryetarit përkatës të partisë, apo në hartimet e forta denoncimi apo mbrojtjeje të një politike qeveritare. Zgjedhjet proporcionale do të sjellin në sallën e Kuvendit, pikë së pari, njerëz me kostum moral e etik të atillë sa të mos u përkulen pa kurrfarë bosht kurrizor urdhrave të njëshit partiak apo qeveritar.
Në Kuvend ata do të sjellin gjithë investimin intelektual që kanë bërë deri tani dhe ky investim duhet, së pari, të shkojë në garantimin e zbatimit efikas të ligjeve. Kjo optikë nuk mund veçse të mos përshëndetet nga shqiptarët e ndershëm. Prandaj edhe etiketimet ndaj Ramës tingëllojnë inate të vegjlish, që shikojnë humbjen e privilegjeve të pamerituara në politikën shqiptare.