Merr flakë autobusi, panik mes udhëtarëve
Një autobus i linjës urbane Plazh-Durrës ka marrë flakë pas një defekti në motor. Shumë udhëtarë, mes të cilëve gra e fëmijë, janë përfshirë në panik nga zjarri që ka shpërthyer në mjetin e transportit publik. Drejtuesi i autobusit të linjës ka ndaluar menjëherë në mes të rrugës që lidh Urën e Dajlanit me stacionin e trenit dhe të gjithë kanë braktisur mjetin në flakë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar zjarrfikëset, të cilat arritën të shuajnë zjarrin. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:00 të mbrëmjes së kaluar, në autobusin urban me targa DR 6787 B. Përveç dëmeve materiale dhe panikut që kanë përjetuar një pjesë e pasagjerëve nuk është shënuar asnjë dëm a lëndim tjetër. Linjat e autobusëve që lidhin qytetin bregdetar me plazhin, Currilat dhe unazën që përshkon Shkozetin, i përkasin parkut të autobusëve, një ndërmarrje në varësi të bashkisë së qytetit. Një pjesë e mjeteve janë të amortizuar dhe në jo pak raste kanë pasur probleme gjatë udhëtimit, veçanërisht gjatë lëvizjes në mbikalimin e urës së Dajlanit.
#