E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vret veten, se nuk lante dot borxhin

Durrës Burri 50 vjeç i la një letër familjes: Më falni për këtë që po bëj

Vetëvritet për t’i shpëtuar ferrit që po jetonte nga pamundësia e larjes së borxheve. Shkaku i fundit të trishtuar të një 50- vjeçari me banim në Tiranë është zbardhur nga një letër e lënë në apartamentin e familjes në plazhin e Durrësit. Athanas P. që këtë shtator do të festonte 50-vjetorin e lindjes, i ka dhënë fund jetës, duke konsumuar një sasi helmi të llojit fostoksinë. Ka shfrytëzuar fundjavën për t’u zhvendosur drejt banesës në bregdet ku dhe ka ndërmarrë aktin e vetëflijimit. Rreth orës 01:00, në katin e parë të një pallati në lagjen 13, në plazhin e Durrësit, ai është gjetur nga fqinjët në gjendje kritike për jetën. Ata që e gjetën kanë tentuar që t’i japin ndihmë dhe e kanë dërguar në spitalin e qytetit të Durrësit, por gjatë transportit për atje, ai ka gjetur vdekjen. Nga kryerja e veprimeve të para hetimore rezultoi se viktima, duke qenë nën efektet e depresionit nervor, ka përdorur një sasi fostoksine, duke i dhënë fund jetës. Ai ka pasur një sasi lekësh borxh, të cilat nuk ka mundur që t’i sigurojë dhe t’i kthejë në kohë. Nën presionin e krijuar ka ndërmarrë dhe aktin fatal për jetën dhe të familjarëve. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e plazhit në Durrës u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një letër e shkruar nga Athanas P., me të cilën ai u drejtohej pjesëtarëve të familjes. Në të u kërkonte falje për veprimin që po kryente. Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se vazhdon kryerja e ekzaminimeve të mëtejshme për saktësimin e shkakut të vdekjes, si dhe puna hetimore për përcaktimin e saktë të rrethanave të vdekjes së tij.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›