E Shtunë, 31 Tetor 2026

Babai vdes në aksident, teksa kërkonte të bijën

Kujtim Bonjaku u përplas nga një makinë në autostradën Tiranë-Durrës, ku kishte dalë me biçikletë natën vonë

Kërkonte të bijën, e larguar pa adresë nga shtëpia, aksidentohet për vdekje një 63-vjeçar. Largimi nga shtëpia i së bijës e ka çuar një baba në dëshpërim të plotë. Ndërsa djali i tij ka kërkuar ndihmën e policisë për gjetjen e së motrës 12-vjeçare, i ati ka vijuar vetë kërkimet nëpër të afërm dhe rrugë, por nuk ka mundur të kthehet as vetë për shkak të një ngjarjeje tragjike. Gjithçka ka ndodhur në fundjavë, për t’u mbyllur me vdekjen e babait në një aksident rrugor, kurse e mitura, sipas burimeve policore, vazhdon të jetë në kërkim. Ndërkaq, për aksidentin me vdekje, është arrestuar në flagrancë një shtetas kosovar. Shërbimet e Policisë së Durrësit kanë vënë në pranga 35-vjeçarin Shemsi Zhdrella nga Podujeva, i cili aksidentoi për vdekje 63- vjeçarin Kujtim Bonjaku. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:30 në segmentin rrugor Tiranë-Durrës, pranë karburantit “Elda”. Në kohën kur podujevasi drejtonte automjetin e tij tip BMW, me targa 555-KS-900, ai ka përplasur për vdekje shtetasin Kujtim Bonjaku, banues në lagjen 15 të Durrësit, i cili udhëtonte me biçikletë. Shtetasi i Kosovës akuzohet për veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. Nga ana tjetër, dyshohet se i zhytur në shqetësimin e vet për të bijën dhe fatin e saj, viktima nuk e ka parë automjetin që lëvizte në rrugë dhe ka dalë para tij, duke shkaktuar përplasjen fatale. Ndërkaq, pasditen e së shtunës, rreth orës 16:00, në Komisariatin e Policisë së Durrësit ka bërë kallëzim penal 22-vjeçari H. Bonjaku me banim në lagjen periferike nr. 15 të Durrësit. Ai ka deklaruar largimin nga banesa të motrës së tij, shtetases Ambra Kujtim Bonjaku, e cila më 23 mars, mbushi 12 vjeç. Burime policore thanë se po hetohet për të zbardhur motivin e largimit të vajzës, e cila është shpallur në kërkim dhe po punohet për gjetjen e saj.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›