Alarm për arrati, kontroll qelisë së Gaxhait në Krujë
FUSHë KRUJëTransferime në burgun e Fushë-Krujës, dyshime për arratisje të Gaxhait. Mbrëmjen e së enjtes janë lëvizur nga ky institucion dy të burgosur nga Shkodra, Fran Marashi dhe Altin Kodra, drejt burgut të Korçës dhe atij të Peqinit. Burime nga ky burg, të cilët mohojnë zyrtarisht dyshimin për arratisjen e Gazmir Brrakës, i njohur si Gaxhai, pritet që në ditët në vazhdim të ketë transferime të tjera. Rreth dy javë më parë, kur në këtë institucion u përhap dyshimi për përgatitjen e një plani arratisjeje nga të burgosurit e sigurisë së lartë, u kontrolluan qelitë e të dënuarve në kërkim të sendeve të rrezikshme, por që nuk u gjet asgjë e tillë. Paralelisht me këtë, policia e burgut mori masa për të përforcuar numrin e efektive të sigurisë dhe gardianëve në shërbim në këtë institucion. Por edhe pas kësaj mes policëve mbeti vetëm dyshimi, pasi edhe pas survejimit për një kohë të gjatë nuk u arrit të zbulohej asgjë mbi planin e arratisë, të cilin funksionarët e burgut e kishin mësuar nëpërmjet informacioneve të mbledhura në rrugë operative. Përballë kësaj situate, autoritetet e burgut vendosën që të largonin nga ky institucion dy të burgosurit shkodranë, nga të cilët Marashi ishte shok qelie i Gaxhait. Burime të tjera nga burgu pohuan se shkak i transferimit të Marashit ishte dyshimi se ai mund të ishte përfshirë në tentativën për arrati, pasi më 5 prill të vitit 2008, së bashku me bashkëvuajtësin Pashk Lleshi u arratisën nga qelitë e Burrelit dhe u kapën pas rreth një ore. I kontaktuar dje, pas transferimit, Marashi pohoi se policia nuk i kishte dhënë asnjë motiv për lëvizjen e tij nga qelitë e Fushë-Krujës për në Korçë. Duke pretenduar se e kishin larguar nga familja, të cilën e ka në Shkodër, Marashi tha se ishte transferuar kundër dëshirës së tij. Ai pohoi se rreth dy vite që ndodhet në qelitë e burgut të Fushë-Krujës nuk ka marrë asnjë masë disiplinore. Ai tha se ka pasur sjellje të mirë dhe nuk ka krijuar asnjë incident, qoftë të vogël, me bashkëvuajtësit apo punonjësit e sigurisë. Pas kësaj, Marashi pohoi se nëse nuk dërgohej sërish në qelitë e Fushë-Krujës apo të ndonjë burgu tjetër afër familjes, ai ditën e hënë do të niste grevën e urisë. Kjo për faktin se distanca Shkodër-Korçë është shumë e madhe dhe se familjes së tij do i duhej të udhëtonte të paktën dy ditë për të realizuar një vizite tek ai në burg. Po kështu, veç largësisë, sipas tij një arsye që familjarët ta braktisnin në qeli, ishin edhe kushtet e këqija të motit, ku për shkak të borës bllokohet qarkullimi ne një pjesë të rrugëve të Jug-lindjes. Ende nuk dihet nëse do merren masa për transferimin e Gaxhait, ish-të fortit të Vlorës në vitin 1997, apo ai do vazhdojë të mbetet në qelitë e këtij burgu, ku tashmë është shtuar prania policore. Të paktën vite më parë Gaxhai ka dështuar në disa tentativa arratisjeje. Ish-i forti i Vlorës në vitin 1997, Gazmir Braka, i njohur si Gaxhai ka tentuar disa herë për t’u larguar nga qelitë e burgjeve. Në burgun e Bënçës, atij iu kapën në qeli tritol dhe pistoleta, ndërsa ka tentuar dy herë të largohet nga qelitë e burgut 302 në kryeqytet. fa.ma.