E Diel, 1 Nëntor 2026

Merr formë Gjykata kushtetuese, betohet Thanza

Anëtari më i ri i Gjykatës kushtetuese, Admir Thanza është betuar sot përpara presidentit të Republikës, Bamir Topi. Gjykata kushtetuse ka marrë kështu formën e saj të plotë duke u përgatitur për shqyrtimin e ankesave për ligjin e dosjeve. 

TIRANE- Gjykata kushtetuse ka marrë sot formën e saj të plotë duke u përgatitur kështu për shqyrtimin e ankimimin që 3 subjekte kanë paraqitur pranë saj për të pezulluar ligjin për hapjen e dosjeve.
Anëtari më i ri i kësaj gjykate, i votuar nga kuvendi vetëm një javë më parë, Admir Thanza është betuar përpara presidentit të Republikës, Bamir Topi.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo dhe anëtarë të tjerë të kësaj gjykate.
Presidenti Topi i shprehu Thanzës urimet më të mira për përmbushjen me sukses të detyrës së lartë dhe me shumë përgjegjësi.
Nuk ka ende ndonjë afat konkret se kur gjykata kushtetuese do të nisë shqyrtimin e animimeve, por burime zyrtare pranë saj konfirmojnë për “News 24” se do të jetë anëtari i gjykatës kushtetuese, Sokol Berberi, relatori për ligjin e dosjeve në të trë ankimimet e paraqitura.
Fillimisht ishte Partia Socialiste , ajo që dërgoi ligjin e dosjeve në gjykatën kushtetuese me pretendimin se ky ligj është antikushtetues. Ndërkohë, pas PS të njëjtën kërkesë e kanë depozituar edhe shoqata e prokurorëve si dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit.
(e.n/News24/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›