E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merr udhë reforma zgjedhore, Fyle: Hap deciziv

Kartonëve jeshilë iu bashkua edhe opozita, e cila nuk ka votuar asnjë ligj që prej zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, ndërsa sot dha votat e saj pas një marrëveshjeje të arritur të hënën që lamë pas.

Komisioni për reformën zgjedhor do të hartojë amendamentet për kodin zgjedhor, në kuadër të rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODIHR. Në bazë të vendimit, komisioni do të përbëhet nga dhjetë anëtarë, pesë nga opozita e pesë nga mazhoranca.

Kështu, Partia Demokratike do të ketë dy anëtarë, një Partia Republikane dhe një Partia e çamëve (PDIU), ndërsa katër anëtarë të tjerë do të jenë të Partisë Socialiste dhe një i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Komisioni do të drejtohet nga dy bashkëkryetarë, një nga Partia Demokratike dhe një nga Partia Socialiste, ndërsa pranë tij do të ngrihet një grup ekspertësh teknikë. Për çështje të veçanta, për të cilat palët nuk gjejnë  konsensus, do të kërkohet ekspertiza e OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias.

Gjatë punës së tij komisioni do të zhvillojë konsultime dhe seanca diskutimi me partitë politike jo parlamentare të interesuara për reformën zgjedhore, të cilat në zgjedhjet e fundit kanë marrë më shumë se 1% të votave në shkallë vendi, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile që kanë ekspertizë dhe eksperiencë në procesin zgjedhor. Konsultime e dëgjesa publike do të zhvillohen me kërkesën e palëve edhe me përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, KQZ-së, si dhe institucione shtetërore që kanë rol në procesin zgjedhor.

Konsensusi, Fyle: Hap deciziv

Bruksel – Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle, përshëndeti vendimin me unanimitet të Parlamentit të Shqipërisë për ngritjen e komisionit për reformën zgjedhore si dhe miratimin e disa ligjeve që kërkojnë 84 vota në Kuvend.

“Këto zhvillime, së bashku me rifillimin e plotë të punës së Parlamentit në shtator, përbëjnë hapa vendimtarë drejt normalizimit të marrëdhënieve politike në vend dhe pritet të shënojnë fundin e ngërçit politik. Këto janë elementë të rëndësishëm të përpjekjeve të ringjallura të Shqipërisë për të lëvizur përpara në reformat kyçe dhe për të përmbushur 12 kriteret kyçe të përcaktuara në Opinionin e 2010 së Komisionit mbi aplikimin e vendit për anëtarësim në BE", shkruan Fyle në reagim.

Sipas tij, këto vendime përbëjnë hapa deciziv për normalizimin e klimës politike në vend. “Inkurajoj fuqishëm mazhorancën qeverisëse dhe opozitën që të ndërtojnë mbi këto zhvillime pozitive, duke rivendosur dhe ruajtur tërësisht dialogun konstruktiv politik, për të mundësuar funksionimin e duhur të institucioneve kyçe demokratike, sidomos të Parlamentit dhe të arrijnë rezultate të një reforme zgjedhore konsensuale në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe të Komisionit të Venecias. E gjithë kjo duhet të rezultojë në krijimin e një momenti të ri për reformat e integrimit evropian në Shqipëri dhe në veçanti në zbatimin e 12 prioriteteve kyçe të Opinionit të Komisionit”, tha Fyle. ”, vijon ai.

Ruçi: Mazhoranca t’i përmbahet marrëveshje

Gjatë miratimit të ligjeve në Parlament, kreu i grupit kuvendor të opozitës, Gramoz Ruçi, duke marrë shkasë nga votimet dhe debatet e shumta në Qarkun e Fierit, kërkoi nga mazhoranca që t’i përmbahet marrëveshjes. Sipas tij, përgjegjësitë për të gjitha aktet do ta ketë mazhoranca.

“Opozita shqiptare, edhe pse ju vodhën votat në dy palë zgjedhje, edhe pse ju vra një koleg dhe katër protestues më 21 janar, edhe pse i janë kufizuar mjaft hapësira, ajo në një marrëveshje të arritur jo më lart se ditën e hënë dha dakordësinë e saj. Ashtu sikurse kemi gjëra të përbashkëta kemi edhe të kundërta, siç është reforma zgjedhore dhe ajo parlamentare”, theksoi Ruçi.

Sipas tij, opozita ulet dhe nënshkruan marrëveshjen, ndërsa mazhoranca shton ai, në kundërshtim me ligjet dhe vendimet e Gjykatave, “ndodh një akt bandidesk duke bllokuar punën në Qarkun e Fierit”. “Opozita shqiptare do t’i qëndrojë marrëveshjes, por nëse mazhoranca nuk ndal veprimet e saj bandideste, jo vetëm që klima politike nuk do të përmirësohet. Për këtë, fajtore nuk do të jetë opozita. Ndaleni këtë veprimtari”, shtoi ai.

Ligjet me 84 vota
Seanca e sotme votoi në radhë dhe me shumicë votash edhe disa ligje që kërkojnë 3/5-t e votave të deputetëve në Kuvend. Kështu, me shumicë votash u miratua Kodi Rrugor, Hekurudhor, Detar dhe Ajror.
/S.Ll/Start/

                                                                                             2011-11-17 15:38
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›