E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fitojnë Trepça ’89 e Vëllaznimi

Trepça ’89 e ka nisur mirë sezonin pranveror. Skuadra mitrovicase të dielën ka shënuar fitore në derbin e xhiros së tetëmbëdhjetë të Superligës së Kosovës në futboll ndaj Hysit, me rezultat minimal, 1:0.

Hero i mitrovicasve ishte mesfushori Sylvester Ambe, goli i të cilit ia dhuroi Trepçës ’89 tri shumë të rëndësishme në luftën e saj për titull të kampionit. Golin e vetëm dhe të fitores për vendasit afrikani e ka realizuar me kokë nga afërsia, në minutën e 47-të të takimit, pas një harkimi të Ilir Nallbanit.

Ishte kjo një fitore e merituar e ‘Xehetarëve’, të cilët dominuan karshi kampionit në fuqi dhe pati më shumë raste të mira shënimi sesa Hysi, i cili për herë të parë u udhëhoq nga trajneri i njohur, Afrim Tovërlani.

Në këtë mënyrë, Trepça ’89 tani është ngjitur në kuotën e 32 pikëve dhe pozicionohet në vendin e tretë të renditjes tabelore, me pikë të njëjta sikurse Drita që gjendet në vendin e dytë. Të dyja këto kanë vetëm nga tri pikë më pak sesa lideri, Prishtina, e cila bashkë me Dritën e kanë nisur dobët sezonin pranveror. Ndërsa, pretendenti tjetër për titull të kampionit, Hysi pozicionohet në vendin e pestë të renditjes tabelore me 27 pikë.

Vëllaznimi – Lepenci

Sikurse Trepça ’89, ashtu edhe Vëllaznimi e ka bërë një hap të madh drejt kreut të tabelës, duke iu ofruar në vetëm tri pikë liderit aktual, Prishtinës. Gjakovarët mirë e kanë shfrytëzuar përparësinë e terrenit duke e mposhtur Lepencin me rezultat bindës, 3:0.

Kuqezinjtë kanë kaluar në avantazh prej 1:0 në minutën e 38-të nëpërmjet Roland Durakut. Vendasit e dyfishuan epërsinë në 2:0 në minutën e 55-të me golin e bukur që e ka shënuar Agron Skeraj. Kurse, goditjen e fundit ekipit kaçanikas ia ka dhënë Fatih Karahoda në minutën e 85-të, kur ka shënuar gol për rezultat përfundimtar 3:0. Me këtë fitore Vëllaznimi është ngjitur në kuotën e 32 pikëve, sa kanë edhe Drita e Trepça ’89 që i ndajnë pozitat dy dhe tre. Kurse, Lepenci është në vendin e tetë të tabelës me 22 pikë.

Rezultatet

Prishtina – KEK-u 0:0

Drita – Trepça 1:2

Drenica – Besa 1:2

Liria – Gjilani 4:1

Trepça ’89 – Hysi 1:0

Vëllaznimi – Lepenci 3:0

Tabela Nd Gd Pi

1. Prishtina 18 14 35

2. Drita 18 11 32

3. Trepça'89 18 11 32

4. Vëllaznimi 18 1 32

5. Hysi 18 6 27

6. Besa 18 -2 25

7. Trepça 18 -3 22

8. Lepenci 13 -6 22

9. Liria 18 -6 20

10. Drenica 18 -5 19

11. KEK-u 18 -8 16

12. Gjilani 18 -13 16

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›