Dosja “Eagle”, Krimet e Rënda japin 69 vite burg dhe tri pafajësi
Gjykata për Krime të Rënda dënoi dje të pandehurit e dosjes “Eagle”, duke dhënë në total 69 vite burg dhe tri pafajësi.
Pas dy vitesh hetimi gjyqësor, mes shtyrjeve të shumta, arriti t’i japë fund procesit ndaj nëntë të pandehurve nga Korça, akuzuar për trafik droge në bashkëpunim. Arben Çollaku, 13 vite burg, Juxhin Kulla, 12 vite burg, Aleko Jorgaqi, Roni Dhimitri, Altin Sotomeni dhe për Artur Fecanjin, secili me nga 11 vite burg. Ndërsa për Ernest Nanen, Rexhep Abdillarin dhe Dritan Muçën u dha pafajësi. Sipas Prokurorisë, ngarkesat e drogës që do të shpërndaheshin në tokën helene janë bërë nga i burgosuri shqiptar nëpërmjet bisedave telefonike me celular nga burgu dhe nga kabina telefonike e institucionit të vuajtjes së dënimit. Hetimi ka filluar më 4 prill 2007, pas referimit të materialeve nga Drejtoria e Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Ministrinë e Brendshme. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka filluar menjëherë hetimet duke verifikuar personin me emrin Arben Çollaku, i cili me bashkëpunëtorët e tij dyshohej se trafikonte drogë nga Shqipëria në drejtim të Greqisë. Nga verifikimet e agjentëve të Policisë është bërë identifikimi i të dyshuarit Arben Çollaku, i cili në të vërtetë kishte edhe një identitet tjetër, Gjergji Çollaku, lindur dhe banues në Korçë. Sipas Prokurorisë, ky person vepronte në mënyrë të sofistikuar përmes lidhjeve të tij, çka ka bërë që për një periudhë kohe policia të dështonte në kapjen e ngarkesave me drogë të qarkulluara prej tij.
13 Maj 2010