Avokati i Popullit, shkresë për orët shtesë të papaguara të gardianëve
Laureta Rryçi
Avokati i Popullit, gjatë shumë inspektimeve të vitit të kaluar, por edhe gjatë atyre të kryera në vitin 2010, është vënë shpesh në dijeni për ankesa të efektivave të Policisë së Burgjeve për mostrajtim të rregullt financiar. Duke marrë shkas nga këto ankesa, vitin e kaluar ka paraqitur edhe disa kërkesa për shpjegime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, duke kërkuar të sqaronte në mënyrë të detajuar bazueshmërinë e pretendimeve të ngritura. Nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve është kthyer përgjigjja se nuk ekziston ndonjë parregullsi në trajtimin financiar të efektivave të Policisë së Burgjeve, por vetëm disa probleme në planifikimin e fondeve të vëna në dispozicion për këtë qëllim. Mirëpo ankesat e gardianëve kanë vijuar edhe gjatë këtyre muajve të vitit 2010. Përballë kësaj situate, Avokati i Popullit ka vënë në dijeni për shqetësimin e ngritur drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Gazmend Dibra dhe drejtorin e Policisë së Burgjeve, Shpëtim Baçi.
Pretendimet
Pretendimet që ngrihen nga një pjesë e konsiderueshme e Policisë së Burgjeve pranë disa IEVP-ve; Rrogozhinë, Krujë, Lezhë, Burrel, por edhe në disa burgje të tjera, kanë të bëjnë me mospagimin e orëve jashtë orarit, të ditëve të festave dhe shërbimet shtesë të kryera për vitin 2008 dhe vitin 2009. Ndërkohë që në disa prej IEVP-ve të tjera është konstatuar se ky problem nuk qëndron dhe pagesat janë kryer në kohë. Avokati i Popullit është vënë në dijeni se ende nuk ka një trajtim financiar të rregullt sipas gradave të Policisë së Burgjeve, megjithëse funksionet e mesme dhe të larta kanë kohë që janë konvertuar me grada dhe paga të reja. Kjo ka sjellë që në disa prej IEVP-ve, drejtues të policisë të mos marrin pagën që u takon në bazë të funksionit që kryejnë. Gjithashtu, një tjetër problem mbetet edhe trajtimi i barabartë me pagë i drejtuesve të policive të IEVP–ve, në kushtet kur disa prej tyre duhet të përballojnë një volum pune 3 herë më të lartë sesa kolegët e tyre në IEVP më të vogla dhe me veprime më të kufizuara ditore në aspektin e sigurisë.
Konstatimi
Avokati i Popullit vëren se të gjitha konstatimet e ngritura edhe nga efektivat punonjës së Policisë së Burgjeve duhet të merren në konsideratë, të verifikohen e trajtohen sa me shpejt. “Për këtë qëllim ju propozojmë që të ngrini menjëherë një grup pune dhe të nisni kontrollin ekonomiko-financiar të të gjitha IEVP-ve që kanë ngritur probleme të tilla. Ky grup pune duhet të ketë tagrin kryesor që të marrë takim me të gjithë efektivat punonjës të policisë dhe të presë ankesa prej tyre, të verifikojë pretendimet e tyre në regjistrat përkatës të pagesave dhe në rast se nuk konstatohen shkelje financiare, të ketë detyrimin të sqarojë me hollësi policët përkatës”, - shkruhet në rekomandimin e Avokatit të Popullit. Sipas tij, krahas kësaj mase, ky grup duhet të rishikojë edhe njëherë trajtimin financiar sipas gradave dhe fondin fizik që lëvrohet aktualisht sipas kategorive të veçanta, duke nxjerrë parregullsitë e mundshme. Njëkohësisht, në propozimet përfundimtare vlen të merret në konsideratë edhe volumi i punës i disa prej drejtuesve të Policisë së Burgjeve në IEVP-të e mëdha, i cili duhet të reflektohet në pagë, dieta dhe forma të tjera të ligjshme shpërblimi, në krahasim me homologet e tyre në IEVP më të vogla. Sipas Avokatit të Popullit, marrja e këtyre masave do të bëjë të mundur eliminimin e pabarazisë së kësaj kategorie punonjësish me kolegët e tjerë të trajtuar, si në plotësimin e nevojave të tyre financiare, ashtu dhe në respektimin e dinjitetit të tyre njerëzor si punonjës të këtij shteti. Gjithashtu, Avokati i Popullit çmon se një efektiv policie i paguar dhe i trajtuar në mënyrë korrekte, sipas dispozitave në fuqi, është më i motivuar për të respektuar detyrën dhe të drejtat e njeriut. “Ndaj mendojmë se këto masa të propozuara do të ofrojnë zgjidhje apo sqarime të plota në rrugë administrative, pa qenë e nevojshme që probleme të tilla për neglizhencë dhe burokraci të bëhen objekt i shqyrtimeve gjyqësore. “Është në të mirën dhe suksesin e përbashkët që brenda një kohe të shkurtër, askush nga personeli policor në sistemin penitenciar të mos ketë ngelur pa u trajtuar në mënyrë të plotë financiare ose të mos ketë marrë një sqarim të hollësishëm mbi pretendimet e tij të pabazuara në mënyrë transparente”, - thuhet në shkresën zyrtare të Avokatit të Popullit.
Rekomandimet e Avokatit të Popullit
- Marrja e masave për zgjidhjen e të gjitha kërkesave të ligjshme të efektivave punonjës të Policisë së Burgjeve, të patrajtuar financiarisht sipas detyrimeve ligjore.
- Sqarimin në mënyrë transparente të të gjithë efektivave punonjës të Policisë së Burgjeve, në rast se ankesat e tyre nuk janë të bazuara ligjërisht.
-Realizimin e një kontrolli të plotë dhe të gjithanshëm ekonomiko-financiar të IEVP-ve, duke ngritur një grup të posaçëm pune për këtë qëllim.
Pretenca, 23 vite burg për trafik droge
Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkoi dje Gjykatës të dënojë me burg të pandehurit Flamur Xeka dhe Ernest Aliaj. Mbi të dy të pandehurit rëndojnë akuzat për “trafikim narkotikesh, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim”, “prodhim dhe tregtim i narkotikeve”, “mbajtje pa leje e armëve luftarake”, “mbajtje pa leje të municionit”. Për Flamur Xekën Akuza kërkoi dënimin me 10 vjet e 6 muaj burg, ndërsa për Ernest Aliajn dënimin me 13 vjet burg. Janë dashur vetëm pesë seanca gjyqësore që gjyqtarja Etleva Deda të mbyllë shqyrtimin, duke pranuar që në fillim kërkesën e të pandehurve për gjykim të shkurtuar. Të dy bashkëfajtorët kanë pranuar të gjykohen në gjendjen në të cilat ndodhen aktet, duke thjeshtuar procesin.
Të pandehurit u arrestuan disa muaj më parë në qytetin e Durërsit gjatë një operacioni të koduar “Shpërndarja”. Policia, sipas Akuzës, ka marrë informacione në rrugë operative e më pas ka vënë nën vëzhgim shtetasin Ernest Aliaj, i cili dyshohet se ka qenë një nga kokat e shpërndarjes së drogës. Gjatë një kontrolli të ashtuquajtur rutinë, është bërë i mundur zbulimi i një sasie prej 14 kilogramësh lëndë narkotike e dyshuar si Cannabis sativa. Droga ishte e fshehur në shasinë e makinës tip "Fiat" me targë BG820XV, të drejtuar nga Xeka.
13 Maj 2010