E Shtunë, 31 Tetor 2026

Polici vret kushërirën e tij 18-vjeçare për vijën e ujit

tropojeTropojë/Një polic rrugor ka vrarë kushërirën e tij për një grindje banale për pronat. Pas sherrit të 18 vjeçares Gjyste Paplekaj dhe gruas së tij ka marrë armën e punës dhe ka gjuajtur me disa plumba adoleshentet që e ka pas të afërme në fis. Ngjarja e rëndë ka ndodhur paraditen e djeshme në fshatin Lekbibaj të rrethit të Tropojës, kurse autori i dyshuar është dorëzuar vetë menjëherë pas krimit në familje. Viktima është Gjyste Paplekaj, kurse në pranga për vrasje me dashje u vendos efektivi Fran Paplekaj, 38 vjeç, i cili do hetohet nga SHKB-ja edhe për shpërdorimin e detyrës.
Ngjarja
Policia e Kukësit dhe e Tropojës nisën menjëherë hetimet dhe njoftuan se shkaku i vrasjes ishte një grindje banale për motive pronësie për ujin në fshat. Efektivi nuk ka preferuar si zgjidhje të qetësonte gjakrat mes gruas së tij dhe kushërirës, por pas ankesës së bashkëshortes ka qëlluar me disa plumba 18-vjeçaren. Mësohet se familjet prej vitesh nuk shkonin me njëra-tjetrën dhe debatonin për ujin e burimit të fshatit që përdorej për të pirë dhe vaditur të mbjellat.
Dëshmia
Vetë i dyshuari që u dorëzua tek kolegët pa bërë rezistencë, së bashku me armën e shërbimit, ka dëshmuar se nuk e kontrolloi dot veten për shkak të fyerjeve të vazhdueshme që i bënte kushërira gruas dhe familjes së tij. Grupi hetimor ka zbuluar se mëngjesin e djeshëm, bashkëshortja e policit dhe Gjyste Paplekaj kanë nisur të debatojnë për radhën e ujit. Adoleshentja ka hedhur fyerje ndaj të afërmes dhe efektivi që po bëhej gati për punë ka ndjekur të gjithë ngjarjen. Në një moment, ai ka ndërhyrë duke nxjerrë nga këllëfi pistoletën dhe qëlluar mbi kushërirën. Por vetë Paplekaj ka mohuar që qëllimi i tij ishte që ta vriste 18-vjeçaren, duke thënë se donte ta paralajmëronte, ndërsa qitja ka qenë e pakontrolluar. Por duket se tentativa për ta trembur kushërirën ka përfunduar në një vrasje me pasojë vdekjen në vend të së resë. Policia e Kukësit, përveç hetimeve, është përpjekur të qetësojë edhe dy familjet me lidhje gjaku që të mos kalojnë në gjakmarrje mes tyre, por tia lënë çështjen drejtësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›