E Diel, 1 Nëntor 2026

Po festonte në dasmë, vritet i riu

Sherri i nisur 6 muaj më parë për ngacmimin e një vajze përfundoi mesnatën e së martës me një të vdekur e një të plagosur. 

FIER/ MAJLINDA RAMA

Ngjarja e rëndë, ku mbeti i vrarë Flogert Toska, 22 vjeç dhe u plagos rëndë i vëllai 17-vjeçar, Xhuliano Toska, ndodhi në fshatin Pish-Poro të Fierit.
Autori i krimit, Arben Dhano, 30 vjeç, i ka takuar dhe kërkuar të diskutojë me dy vëllezërit gjatë kohës që ata ishin në dasmën e një të afërmi të tyre në fshat. Pas debatit ai qëlloi me thikë dhe më pas mbyti të riun, ndërsa me kaçavidë qëlloi adoleshentin. Pas krimit ai është larguar me shpejtësi për t’i shpëtuar arrestimit, por është ndaluar paraditen e djeshme në një pyll në vendin e quajtur “Grykëderdhja e Vjosës”. Ndërsa 17-vjeçari është dërguar në spitalin rajonal të Fierit, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Sipas policisë së mbërritur menjëherë në vendngjarje, gjithë skena e krimit është zhvilluar mbrapa një lokali në Pish-Poro, ku mbrëmjen e së martës organizohej një ceremoni martesore. Në këtë ceremoni ishin të ftuar edhe vëllezërit Flogert dhe Xhuliano Toska, banorë të këtij fshati, të cilët kishin ardhur me pushime në Shqipëri, pasi gjatë kohës tjetër qëndronin si emigrantë ekonomikë në shtetin grek. Nga dëshmitë e marra nga të pranishmit në dasmë, rreth orës 23:00, Arben Dhano ka nxjerrë jashtë lokalit 22-vjeçarin Toska për të diskutuar rreth disa akuzave të bëra ndaj tij, sipas të cilave ai kishte ngacmuar motrën e vogël të Toskës. Diskutimi ka kaluar në nxehje gjakrash dhe pasi kanë kaluar mbrapa mureve të lokalit, ata janë konfrontuar fizikisht me njëri-tjetrin. Sipas provave të mbledhura në vendngjarje, mendohet se Dhano ka goditur me thikë Toskën dhe më pas e ka mbytur atë duke përdorur një copë litar. Pak çaste më vonë, i shqetësuar për moskthimin e të vëllait, nga lokali ka dalë edhe Xhuljan Toska. Kur ka shkuar mbrapa lokalit ai është përballur me skenën e tmerrshme, kur i vëllai ishte mbuluar në gjak. Menjëherë Dhano i është vërsulur dhe e ka qëlluar me një kaçavidë në qafë dhe në shpatull, duke e plagosur rëndë. Pas krimit të dyfishtë, Dhano është larguar me shpejtësi. Të lajmëruar nga të tjerë të pranishëm në dasmë, në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie si dhe një grup hetimor. Ndërsa banorë të zonës transportuan 17-vjeçarin në spitalin e Fierit, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Rreth 250 policë janë aktivizuar për kapjen e Dhanos, duke rrethuar gjithë zonën dhe rreth orës 11:30 të ditës së djeshme realizuan arrestimin e tij. Sipas hetuesve, Arben Dhano ishte përballur disa herë kohët e fundit me dy vëllezërit Toska, të cilët i kishin tërhequr vëmendjen për faktin se po u ngacmonte motrën. Banorët e zonës kanë treguar se ky debat mes tyre kishte filluar rreth 6 muaj më parë dhe kishte rinisur ditët e fundit me kthimin e dy vëllezërve nga emigracioni. Ndërkohë që bëhet e ditur se Dhano ka qenë i dënuar më parë për veprën penale të kultivimit të bimëve narkotike dhe vrasjes së mbetur në tentativë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›