E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merret si provë ADN italiane. Prokuroria: Burg përjetë Tufës

27/10/2011  Pretenca për të dyshuarin për vrasjen e Mirit të Xhikes e 2 të tjerëve te “Kartodromi”

TIRANE-Për 9 vite radhazi Prokuroria nuk tërhiqet nga dënimi me burgim të përjetshëm të të pandehurit Lavdërim Tufa, i cili akuzohet prej saj si personi që vrau në 2003 pronarin e kompleksit “Kartodrom” Fatmir Ramën, Kristaq Canin dhe kamerierin Julian Drishti. Kërkesa drejtuar gjykatës së Tiranës, është përsëritur sërish, ku dje përfaqësuesit e prokurorisë lexuan konkluzionet përfundimtare ndaj të pandehurit të vetëm Lavdërim Tufa, për të cilin u kërkua dënimi me burgim të përjetshëm. Sipas konkluzioneve të Prokurorisë, nuk ka asnjë dyshim që personi që ka qëlluar mbi Fatmir Ramën ose “Mirin e Xhikes” të jetë ose jo i pandehuri Tafa, pasi një fakt të tillë e kanë vërtetur të gjitha analizat e ADN kryer në Itali, Angli dhe së fundi në Shqipëri. Lavdërim Tufa ka rezultuar tepër i përputhshëm me kampionet e analizuara të pështymës dhe fijes së flokut, me një probabilitet atribuomi mbi 90 për qind. Mbështetur në këtë provë që sipas akuzës është e pakundërshtueshme, Prokuroria ka kërkuar dënimin maksimal, për autorin e vrasjes së trefishtë të ndodhur në vitin 2003. Gjatë gjykimit gjenetistët shqiptarë, duke ju referuar ADN-së së kryer në Itali, ku thuhet se ADN-ja e Tufës ka përputhshmëri 90 për qind me këtë ngjarje, thanë se në Evropë, për të akuzuar një person përputhshmëria duhet të jetë në kufirin 99, 97 për qind. Ndërsa FBI për të ngritur një akuzë e ka kufirin e ADN-së 99.99 për qind. ADN-ja është e vetmja provë që ka Prokuroria për të ngritur akuzën ndaj Tufës, i cili është edhe i vetmi i akuzuar, ndonëse dëshmitarët kanë pohuar se kanë qenë tre vrasës. Gjatë tetë vjetëve nga njëra gjykatë në tjetrën Lavdërim Tufa ka pretenduar gjithmonë pafajësinë, edhe pse ka marrë një herë dënimin me burgim të përjetshëm e procesi u rikthye nga Gjykata e Lartë. Nga aktet e ekspertimit 1194 dhe 1195 të ekspertes Mimoza Haxhihyseni fija e flokut e gjetur te kapuçi-maskë “Champion” është dërguar në Itali në shtator 2003. Ka rezultuar i përshtatshëm për ekstraktim ADN-je. Kur i është nënshtruar analizës, nuk ka dhënë rezultat dhe është shkatërruar si provë gjatë procesit të ekstraktimit të ADN-së. Nuk bëhet dot krahasim me profilin e Lavdërim Tufës. Nisur nga kjo situatë është bërë krahasimi i pështymës nga ekspertë italianë dhe shqiptarë, të cilët kanë mendime të ndryshme. Pavarësisht kësaj Prokuroria ka konsideruar si provë të vlefshme analizën e ekspertit italian Renato Biondo, mbi bazën e të cilës ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për të pandehurin Lavdërim Tufa.

Mbrojtja: Pafajësi

Pritet që në seancën e radhës avokatët mbrojtës, do i drejtohet gjykatës së Tiranës me një kërkesë për dhënie pafajësie ndaj të pandehurit Lavdërim Tufa. Duket se kjo kërkesë do argumentohet mbi konkluzionet e ekspertëve shqiptarë, të cilët pas analizave të kryera të ADN shmangën Tufën nga ngjarja e “Kartodromit” e ndodhur në vitin 2003. Për vite me radhë Tufa këmbëngul se nuk është ai vrasësi i Mirit të Xhikes, por Prokuroria dhe policia nga tjetër shprehen të bindura maksimalisht se një nga autorët që qëlluan me armë është i pandehuri Tufa.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›