E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeinfermierja e farmacistja në akuzë, abuzimi me barnat

27/10/2011  Task-Forcë, merr të pandehur kryeinfermieren Arentina Arifaj dhe farmacisten Margarita Kola

Abuzimi 10 milionë tek Onkologjiku. Në 2009, kirurgu i arrestuar Karaj, informoi prokurorët.

TIRANE-Dy punonjëse të spitalit Onkologjik në Tiranë, janë marrë të pandehura nga njësia Task-Forcë për shkak se në bashkëpunim me njëra-tjetrën ato kanë mundur të përfitojnë 10 milionë lekë të vjetra, si rezultat i vjedhjes së ilaçeve në farmacinë e spitalit. Kryeinfermierja Arentina Arifaj dhe farmacistja e këtij spitali Margarita Kola, akuzohen për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, pasi gjatë hetimeve është faktuar se ato vidhnin barnat e kimioterapisë për pacientët që vuanin nga sëmundje të rënda. Zbulimi i këtij skandali duket se e ka zanafillën në çështjen penale kundër kirurgut të Onkologjikut Agim Karaj, i cili në vitin 2009 u arrestua nga Prokuroria për korrupsion. Gjatë marrjes në pyetje, ndër të tjera Karaj ka treguar dhe abuzimet që kryheshin në spital, madje për të faktuar këtë ai u ka pohuar prokurorëve se ekziston dhe një raport me shkelje i hartuar nga KLSH. Në datën 27 mars 2009 kur ka dhënë dhe deklarimet Agim Karaj ka vënë në dispozicion të prokurorisë disa dokumente. Me qëllim zbardhjen e rrethanave të hetimit është kryer këqyrja dhe marrja e një kopje projekt-raport të kontrollit të ushtruar nga inspektorët e KLSH në pavijonin, në të cilin ka diferenca midis barnave që janë tërhequr nga farmacia e spitalit për pavijonin onkologjik. Kontrolli është shtrirë për periudhën 1 deri në 30 shtator 2008. Për këtë periudhë janë shqyrtuar të gjitha kartelat e pacientëve të mjekuar me barna citostatikë ku janë veçuar 153 kartela, nga të cilat 68 kartela nga pavioni i kimioterapisë. Ky kontroll është ushtruar në zyrën e statistikës së spitalit onkologjik, në prani të të pandehurës Arentina Arifaj me detyrë kryeinfermiere e repartit të Kimioterapisë. Nga grupi i kontrollit për çdo kartelë janë verifikuar llojet e barnave dhe sasitë e tyre, recetat bashkëlidhur kartelave, regjistrat e repartit etj. Si rezultat i këtij kontrolli rezulton se në regjistrat e farmacisë e repartit, nuk korrespondojnë shifrat, bilanc ky që arin në një dëm financiar prej 1.044.280 lekë të reja. Hetimi i Prokurorisë ka nxjerrë në dritë mungesën e 19 kartelave mjekësore origjinale dhe se në vend të tyre ishin hapur në mënyrë fiktive kartela të tjera. Të pandehurat Arentina Arifaj dhe Margarita Kola gjatë deklarimeve të dhëna, kanë ngritur pretendimet mbi mungesën e dokumentacionit, si dhe mbi pasaktësitë e inspektorëve të KLSH. Pavarësisht pretendimeve të tyre, Prokurorisë i kanë mjaftuar si prova tre akt-ekspertimi që të marrin të pandehura dy punonjëset e onkologjikut Arentina Arifaj dhe Margarita Kola, dhe se momentalisht çështja në ngarkim të tyre i ka kaluar për gjykim gjykatës së Tiranës. E.Qyno

Kryeinfermierja fshehu dokumentet

Gjatë hetimeve që Prokuroria kryente lidhur me këtë çështje, e pandehura Arentina Arifaj nuk ka pranuar të dorëzonte regjistrat e barnave dhe kartelave. Për këto dokumente Prokuroria kishte urdhëruar sekuestrimin e tyre, por një veprim i tillë është vonuar për shkak se ato janë marrë në mënyrë të kundërligjshme nga e pandehura Arifaj. Mirëpo pas përpjekjeve të Oficerëve të Policisë Gjyqësore, këto dokumente janë marrë dhe më pas mbi bazën e tyre është kryer një ekspertim kontabël, gjë e cila ka nxjerrë në mënyrë të saktë dëmin financiar që i është shkaktuar buxhetit të shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›