Imoraliteti politik si kërcënim publik
27/10/2011 Ajo që po ndodh me zgjedhjet në disa qarqe të vendit është, pa dyshim, një fenomen tejet i rrezikshëm për demokracinë shqiptare, por sigurisht pasojë e politikave të aplikuara në këta 20 vjet të pluralizmit politik e ndoshta edhe më shumë. Në zgjedhjet për krerët e qarqeve në të paktën tri qarqe nga më të mëdhenjtë e vendit - Berat, Fier dhe Vlorë - opozita e Edi Ramës po humbet, megjithëse rezultati zyrtar i zgjedhjeve të 8 majit e ka përcaktuar këtë opozitë si fituesen e tyre. Pa tjetër që kjo situatë ka shqetësuar dhe tronditur PS-në dhe mbështetësit e saj në këto qarqe, ndërkohë që përbën gjithashtu edhe një zhvillim negativ e të rrezikshëm për të gjithë qytetarët që besojnë te demokracia dhe vota e lirë si garanci e saj. Nga opinionet dhe prononcimet në medie kjo përdhosje e demokracisë dhe votës së lirë, e përkthyer në pushtet politik, po trajtohet si humbje apo fitore politike e elektorale nga pozita dhe opozita, që guxojnë madje të marrin meritat apo të akuzojnë palën tjetër për këtë maskarallëk politik, që ka çuar në situatën anormale në tri qarqet në fjalë. E parë teknikisht, situata nuk është asgjë më tepër se një trafikim i pastër i votave, që ka deformuar hapur vullnetin e zgjedhësve, që kanë të gjithë të drejtën të ndihen të tradhtuar e të zemëruar me atë që po i bëhet votës së tyre. Politikisht loja duket e rregullt, pasi qëllimi i shpallur i saj është pushteti, kështu që fituesit në këtë kumar politik mund të justifikohen me faktin se kjo gjë është e ligjshme dhe humbësit duke anatemuar tradhtarët dhe blerësit më shumë se politikë të tyre. Problemi qëndron te moraliteti, apo më mirë tek imoraliteti i klasës politike dhe krejt shoqërinë shqiptare, mungesa e theksuar e të cilit ka degjeneruar në një situatë si kjo në tri qarqet e Jugut. I vetmi që nuk mund të gjendet fjalë e argument të justifikohet në këtë situatë është morali dhe vetëm morali. Mirëpo kjo situatë nuk erdhi si rrufe nga qielli, patjetër është produkt i politikave dhe filozofive politike të aplikuara në këta 20 vjet nga klasa politike shqiptare, pa harrur edhe atavizmat e trashëguara nga diktuara 50-vjeçare komuniste. Imoraliteti politik shqiptar ka një traditë të hershme dhe rezulton më konkret gjatë përpjekjeve për krijimin e “njeriut të ri” gjatë diktaturës komuniste, një individ pa ideale, pa fe, pa atdhe, pa familje etj., thjesht një njeri vetëm me instinkte. Jam i sigurt se “njeriu i ri” përbën bazën e të gjithë këtij imoraliteti politik që po demonstron politika, por edhe shoqëria shqiptare. Janë disa breza që në një përllogaritje të shpejtë të moshës bëjnë pjesë edhe “tradhtarët” dhe shumica e politikanëve, të rritur në sistemin politik komunist, që promovoi më shumë se kurrë ndonjëherë në historinë botërore antivlerat dhe veset më të shëmtuara të qenies njerëzore. Krimi, tradhtia, pabesia, spiunllëku, servilizmi, frika, poshtërimi, dyfytyrësia, hipokrizia etj., ishin ato që me të gjitha mjetet në dispozicion nga vrasjet e persekutimet, propaganda e jashtëzakonshme e deri tek arti e kultura. Por jo vetëm kaq. Pushteti dhe krejt të mirat materiale e shoqërore iu rezervuan pikërisht asaj pjese të shoqërisë që mbart këto antivlera e vese, ndërkohë që pjesa e moralshme e shoqërisë, që mundohej t’i shpëtonte apo ta kundërshtonte politikën e formimit të “njeriut të ri”, ishte shpallur si antivlerë, armike dhe u ndëshkua me masa e mjete nga më çnjerëzoret. Me pak fjalë, shoqëria shqiptare mbërriti në prag të demokracisë në vitin 1990 me këtë sistem të deformuar, të përmbysur vlerash morale e qytetare, sistem që kishte përcaktuar edhe formimin e elitave politike e shoqërore, që u takoi të merrnin drejtimin e vendit pas rënies së diktaturës komuniste. Me përjashtime të vogla, elita - nëse do të mund ta quajmë të tillë - postkomuniste ishte vazhdimësi e inteligjencës popullore të diktaturës, e cila, në mos ishte implikuar drejtpërdrejtë në krime, kishte si formim bazë sistemin e antivlerave të diktuar prej saj. Gabimi i parë dhe më i madh i kësaj elite postkomuniste ishte, pa dyshim, mosndëshkimi i politikës së antivlerave që përmenda më lart, duke lejuar që ato të fitonin qytetarinë edhe në demokraci, gjë që mund të thuhet se qëndron pas çdo dështimi të demokracisë shqiptare. Nëse krimi, tradhtia, spiunllëku, hipokrizia dhe të tjera cilësi të “njeriut të ri” do të ishin denoncuar publikisht dhe imponuesit e mbartësit e tyre do të ishin ndëshkuar ligjërisht dhe publikisht, shoqëria shqiptare, ose më mirë një pjesë e konsiderueshme e saj, do të ishte më e qartë dhe më e orientuar ndaj vlerave reale, mosnjohja dhe mosrespektimi i të cilave e ka vënë sot në një situate sa qesharake aq dhe të rrezikshme. E sikur të mos mjaftonte kjo politikë e mosndëshkimit, tradhtia dhe vese të tjera politike të diktaturës u rehabilituan politikisht e u përdoren si mjete e metoda politike edhe nga politika postkomuniste. Nuk dua të zgjatem shumë në histori ndërkohë që konfigurimi politik i sotëm është i dominuar në masë nga antivlerat si kjo situatë e qarqeve të Jugut. Tradhtia politike, madje edhe ajo personale, e ka humbur krejt kuptimin dhe sot shikon në politikë krah për krah politikanë e zyrtare të lartë të shtetit, që deri para pak vjetësh përpiqeshin të vrisnin apo të burgosnin njëri-tjetrin, ndërkohë që ish-“miq për kokë” janë bërë armiq nga më të egrit. Mungesa e moralit që demonstron sot politika dhe elita zyrtare e shoqërore është sigurisht një nga problemet më serioze kombëtare e shoqërore të shqiptarëve. Kjo, pa dyshim, vlen për të dy krahët politik, ku po të duash mund të gjesh shembuj nga më autentikët, të denjë për çmimin “Gines” për sa i përket moralit politik, shoqëror e njerëzor të elitave. Por le të kthehemi te rasti konkret: me atë që po ndodh me zgjedhjet e krerëve të qarqeve në Jug, duke u hedhur një sy politikave, arsyeve përgjegjësive dhe përgjegjësve të kësaj situate imorale. Opozita e zotit Rama dhe mediet e saj po akuzojnë qeverinë e zotin Berisha për blerje të të zgjedhurve të saj në pushtetin lokal. Ky mund të jetë një fakt, mirëpo kjo nuk e bën të pafajshëm zotin Rama dhe politikën e tij të përzgjedhjes së strukturave dhe individëve përfaqësues politikë e elektoralë në PS. Politika pragmatiste e zotit Rama të aplikuar në përzgjedhjen e kandidaturave për deputetë e drejtues të pushtetit vendor janë përcaktuar si faktorë të humbjes në dy zgjedhje rresht të PS-së së drejtuar prej tij. Politika “përtej së majtës dhe së djathtës” të shpikur nga Edi Rama si slogan i zgjedhjeve parlamentare është justifikimi më i mirë për çdo “tradhti” apo “tradhtar” në partinë e tij apo nga radhët e aleatëve. Me politikat e përfaqësimit, pazaret e aleancat e bëra nga zoti Rama, PS-ja i ngjan sot më shumë një shoqërie aksionare, për të mos thëne një bande, ku njerëzit, ashtu siç afrohen apo blihen mbi bazën e interesave, ashtu dhe largohen dhe shiten kur llogaritë nuk i dalin mirë. Çfarë mund t’i thotë politikisht zoti Rama një këshilltari lokal në Fier, në Vlorë apo në Berat që voton për qeverinë e djathtë kur në koalicionin e tij janë të përfshirë politika e politikanë që pretendojnë se janë më të djathtë se Berisha, si Kurt Kola, Ndard Ndoka, Spartak Ngjela etj.? Nuk është se Berisha nuk ka aleatë të kësaj natyre në politikat e tij, por qenia në pushtet i jep përparësi mazhorancës së tij në këtë poker politik me Edi Ramën. Mbase është rastësi, por koalicioni me Metën ka rezultuar i suksesshëm në këtë pazar shitblerjesh votash e mandatesh politike, pasi “tradhtarët” e PS-së e kanë më të justifikuar tradhtinë duke u deklaruar të LSI-së dhe jo të PD-së, gjë që u krijon atyre oportunitet me opinionin publik, e sidomos atë të majtë, që duket se qetësohet para një pretendimi të tillë. Në fakt, e gjithë kjo i shërben më shumë Berishës, i cili në këtë mënyrë ka arritur që formalisht ta mbajë partinë jashtë kapërcimeve kaq ekstreme. Janë të gjitha gjasat që disa deputetë të PS-së, që nuk e kapërdinë dot vartësinë nga Meta, të kenë shprehur gatishmërinë për të kaluar te PD-ja, por ka qenë Berisha ai që e ka frenuar një gjë të tillë duke drejtuar dorën nga aleati LSI.
LSI-ja mund të konsiderohet pa frikë si “kampi i refugjatëve” të PS-së, që kalojnë kufirin nga opozita te pushteti, gjë që justifikon edhe hapësirat e gjëra në politikat e punësimit dhe interesave të tjera që Berisha i ka rezervuar në qeverisje partisë së zotit Meta. Ky diskutim për situatën në tri qarqet e Jugut, politikës dhe imoralitetit të saj, pa dyshim është shumë i gjatë dhe nuk mund të trajtohet vetëm në një shkrim gazete. Megjithatë, shpresoj që të jemi kuptuar e të kemi kapur pak nga thelbi i asaj situate anormale, e cila, edhe pse duket se dëmton vetëm PS-në, kërcënon seriozisht demokracinë. Devijimi kaq ekstrem i votës dhe përmbysja e votës popullore nga politika, dëshira dhe interesa kaq imorale është i paprecedentë, por i pritshëm si pasojë e një morali më të gjerë e më të hershëm të shoqërisë shqiptare. Ndoshta e teproj me gjykimin tim për shoqërinë, por nuk mund ta pranoj mënyrën se si elektorati socialist në këto qarqe ul kokën e pranon përdhunimin e vullnetit të tij politik, gjë e bën edhe të trishtueshme këtë situatë. Ka qenë morali ai që ka përcaktuar vlerat e demokracisë nga lashtësia e deri më sot. Pa moralin ato ngelen ligje e rregulla boshe, madje kthehen në bumerang, pasi përdoren për të justifikuar pikërisht imoralitetin politik. Kam besuar me vështirësi konstatimin se “politika është kurvë”, por nuk mund ta pranoj faktin si në rastin tonë që ajo mund të jetë edhe prostitutë, prandaj e shoh të nevojshme reflektimin dhe reagimin ndaj politikave të tilla. Mendoj se jemi para një virusi politik e shoqëror të trashëguar, që i sofistikuar me mutacionet e pësuara në këta 20 vjet, po tenton jo pa sukses ta mbys që foshnjë demokracinë shqiptare. Profesor Isuf Luzaj shkruan në një ese të mrekullueshme të tij se “Shqipëria do të fillojë të gjenerojë të mira politike, ekonomike shpirtërore etj. andej nga viti 2020, kur brezi që do drejtojë vendin ta ketë harruar diktaturën komuniste”. Shpresoj shumë të realizohet ky konstatim i prof. Luzajt, por dyshoj se ai nuk e ka parashikuar mosndëshkimin, madje edhe përdorimin në demokraci të antivlerave komuniste, gjë që mund ta shtyjë konsiderueshëm afatin e parashikuar prej tij për iluminimin e Shqipërisë.