E Diel, 1 Nëntor 2026

Merrni dosjen...

• Skënder MinxhoziSa herë e ka përdorur pardje në Kuvend     kryeministri këtë ftesë për opozitën?! Sa herë ai dhe deputetët e tij kanë folur për Gërdecin, si për një tragjedi kombëtare, duke kapërcyer si pa të keq, në një fraksion sekonde, mbi përgjegjësitë, për të vënë në dukje vetëm punën dhe angazhimin ekzemplar të mjekëve, ushtarëve dhe zjarrfikësve. Pra, si për të na thënë se “ne ju hodhëm në erë, këta erdhën për t’ju dhënë një dorë”. Ky cinizëm i ulur këmbëkryq në sallën e Kuvendit, kishte përfaqësuesin, imazhin, starin e tij – kryeministrin, i cili i palodhur dhe i papërtuar, bëri për orë të tëra “dispeçerin” parlamentar, duke i dhënë përgjigje kujtdo, majtas dhe djathtas, që guxonte të ngrihej e të fliste në tribunë.Kryeministri tregoi në fakt se nuk e ka tradhtuar ende impulsi i tij i brendshëm, për të reaguar fort sa herë që është në vështirësi. Por nga ana tjetër atë po e tradhtojnë rrezikshëm argumentet dhe faktet, të cilat sot janë të gjitha kundër tij, kokëforta dhe të palëvizshme. Megjithatë njeriu që ka kaluar krizën e vitit ’97 pa lëvizur nga zyra e tij presidenciale, vështirë se do të vihet në lëvizje nga një ngjarje që ai shpreson të mbyllet mundësisht nën tringëllimën e gotave të shampanjës për ftesën në NATO. Berisha i tregoi opozitës “sinorin” përtej të cilit nuk është i gatshëm të hedhë as edhe një hap më tepër. Jua dhashë Mediun, vazhdojmë punën, të tjerat i di drejtësia. Kjo është oferta cinike e kreut të qeverisë, i cili po mundohet me çdo lloj marifeti që të minimizojë kostot e një afere që sapo na ka treguar petën e parë të byrekut. Duke shkelur në mënyrë absurde mbi përgjegjësitë politike, ai ka vendosur të kapet fort e deri në fund te përgjegjësitë ligjore, a thua se ai vetë dhe ministri i tij i Mbrojtjes nuk përfaqësojnë asgjë politikisht. Berisha po sillet sikur të ishte një zyrtar i vogël komune, i cili kërkon të shpëtojë duke treguar ligjet dhe procedurat, pa përfillur për elementin politik që ai ngërthen si figurë publike dhe si zyrtar i lartë i shtetit.Mbetet të shihet në këto kushte se çfarë do të bëjë opozita përballë këtij muri gome të një maxhorance që duket se po vepron e kushtëzuar nga frika e humbjes së afërt të pushtetit. Deri tani partitë e opozitës i kanë besuar apelit publik për ta çuar në dorëheqje kryeministrin. Tani që ky i fundit duket i gatshëm të shfrytëzojë edhe rregulloret e reparteve ushtarake për ta shkarkuar nga vetja përgjegjësinë, hapësira për ta rrëzuar qeverinë vjen e ngushtohet. Berisha e ka të qartë se kur vjen puna te largimi i qeverisë nën një klimë të tillë, të gjithë ata që ka pas shpine do të investohen që kjo të mos ndodhë. Qëndrimet e disa deputetëve kundërshtarë të kryeministrit gjatë orëve të fundit, na thonë se brenda PD-së po vjen e forcohet uniteti rreth kabinetit, e kjo është mëse e shpjegueshme për një shumicë që ndjehet e rrezikuar.Gërdeci nuk është vetëm një tragjedi humanitare. Nën rrënojat e tij ka mbetur peng edhe paqja e brishtë pozitë-opozitë. Askush nuk di të thotë tani se cili do të jetë fati i reformave që do të na hapnin rrugën për në NATO. Askush nuk di të thotë se cili do të jetë vullneti konkret i palëve për t’u ulur sërish në tryezën e kompromisit, pasi kanë harxhuar të gjitha bateritë e mundshme të akuzave në altarin e përgjakur të një tragjedie që, në fakt, është shumë më e gjerë dhe përfshirëse sesa rrezja e shpërthimit të 15 marsit. Pozita nga ana e saj po mundohet t’i kthehet sa më parë normalitetit të dikurshëm, por opozita, megjithëse e ndarë për ligjin elektoral, ka gjetur një unitet në distancë rreth kërkesës për të larguar Berishën. Ky transformim i skakierës politike në harkun e pak orëve, përbën një ekuacion më vete për t’u zgjidhur. A do të ketë një trysni të dytë të ndërkombëtarëve për të afruar palët, apo do të shkojmë qorrazi dhe pa timon drejt Bukureshtit, në pritje të vendimit të minutës së fundit. Gjithsesi, konflikti i sotëm mes maxhorancës e pakicës duket se është i “vlefshëm” për sot e për nesër. Që do të thotë se një stinë e re e akullt mund të vijojë edhe pas Bukureshtit, madje edhe më e fortë, në kushtet kur nuk do të ketë më afate dhe data konkrete në horizont.Gërdeci është padyshim një incident i papritur rrugëtimi. Porse ai është gjithashtu edhe një dështim i qartë i një modeli politik të ngritur mbi hipokrizinë dhe premtimet e pambajtura. Tre vjet pas 3 korrikut 2005, PD-ja ka humbur rrugës disa “pjesë” të rëndësishme të korpusit të saj elektoral dhe politik. Qeverisja e “dritës së diellit” duket sot si një përcaktim mëse ironik dhe jashtë kontekstit, ashtu siç duken jashtë kohe dhe hapësire shumë prej premtimeve që u bënë solemnisht në atë moment. Në Gërdec u rrëzua zhurmshëm shteti aktual, me gjithë imazhin e tij të pretenduar të pastërtisë.Prandaj ajo ftesa e pasinqertë e kryeministrit për të “marrë dosjen”, është në fakt edhe tentativa e një maxhorance për të fituar kohë dhe për ta shtyrë në kalenda zbardhjen e një tragjedie që, potencialisht, mund ta ribëjë nga e para klasën tonë politike në javët dhe muajt që vijnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›