“Merrni kampionë gjaku dhe për virozët e stinës”
Bluzat e bardha në Tiranë e në rrethe do t’u marrin kampionë gjaku pacientëve që dyshohen se mund të jenë prekur nga gripi i derrit. Ministria e Shëndetësisë ka dërguar dje shkresën zyrtare në Institutin e Shëndetit Publik. “Kjo masë merret me qëllim që rastet të kapen në kohë, që në momentin që kanë kontaktin e parë me spitalin për shenjat me të vogla”, sqarojnë specialistët e Ministrisë së Shëndetësisë. Rrjeti i informacionit, masat mbrojtëse, dhe gjendja në gatishmëri janë pikat kryesore për mbajtjen në kontroll të situatës dhe përballimin e një pandemie të mundshme në muajin shtator. Sakaq duke nisur nga kjo javë, në bashkëpunim me shoqatat ndërkombëtare shëndetësore, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik do të nisë trajnimet në të gjithë vendin përsa i takon situatës që presim në vend. Në saj të një bashkëpunimi me laboratorët e huaj, përkatësisht në Britaninë e Madhe dhe Rumani, shteti shqiptar mund të dërgojë në çdo kohë në këto struktura kampionë për ekzaminim. Bëhet fjalë për analiza specifike me parametra edhe më të lartë se ato të Shqipërisë. Mjekët e qendrave të mëdha shëndetësore, të qendrave të vogla, poliklinika, apo qendra shëndetësore, në rast se dyshojnë për pacientët duhet të dërgojnë kampion për analizë. Në sajë të një bashkëpunimi me laboratorët e huaj, përkatësisht në Britaninë e Madhe dhe Rumani, shteti shqiptar mund të dërgojë në çdo kohë në këto struktura kampionë për ekzaminim. Bëhet fjalë për analiza specifike me parametra edhe më të lartë se ato të Shqipërisë. Dy pacientët që dyshohen aktualisht, pasi kanë kryer analizat në laboratorët në vend, presin një konfirmim nga Britania e Madhe dhe Rumania, nëse janë të prekur nga gripi i derrave apo jo. Ata kanë probleme respiratore, dhembje të trupit, apo shqetësime gastrointestinale. Specialistët kanë pohuar se konfirmimi i virusit në vendin tonë është vetëm çështje ditësh. Tashmë i gjithë rajoni dhe rreth 130 shtete të botës janë në hartën e vendeve të infektuara dhe Shqipëria nuk mundet kurrsesi ta shmangë të njëjtën situatë. Madje, sipas ekspertëve, virusi AH1N1 tashmë mund të jetë mes nesh por nuk është kapur ende nga strukturat shëndetësore. . Në rast se ne prekemi nga gripi i derrave dhe ai nis të përhapet me shpejtësi, mjekët mendojnë se brenda një jave do të kemi 15 persona të prekur nga ky virus, çka do të bëjë të domosdoshëm që të kemi 10 vende në reanimacion. Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se në reanimacionin e kirurgjisë së përgjithshme dhe në atë të senatoriumit ka vende të lira, por duket se fluksi i zakonshëm i të sëmurëve e bën të vështirë realizimin e këtij planifikimi. Këto ditë specialistët e ISHP-së, Ministrisë së Shëndetësisë dhe OBSH do të bëjnë një takim me mjekët e familjes, të cilët do të pajisen me tuba në mënyrë që edhe të marrin mostra, për të identifikuar personat që dyshohen se janë prekur nga ky virus.