Mjekimi i gabuar, në gjendje të rëndë fëmija 1 vjeç
Në vend të një shurupi, farmacistja i jep ilaç për të sëmurë mendorë. Në këtë mënyrë është vënë në rrezik jeta e një fëmijë 1 vjeç, e shtruar tashmë në Pediatrinë e spitalit “Nënë Tereza”. Gjendja e saj vijon të jetë kritike. Denoncimi vjen nga i ati i vajzës, Albion Musaj, i cili nuk kërkon gjë tjetër veçse që të bijën ta kurojë jashtë vendit. “E vizitova vajzën në një klinikë private dhe me recetën që më dha mjeku shkova te një farmaci në Laprakë. Farmacistja, në vend që të më jepte shurupin për ftohje më dha këtë ilaçin, që tani mora vesh që është për të sëmurë mendorë”, thotë i ati i vajzës. Sipas tij, vogëlushja ka reaguar menjëherë keq ndaj ilaçit dhe ka nisur të qajë, më pas është mpirë tërësisht. “Mjekët na thanë që ky medikament është shumë i fortë dhe kjo gjendje e vajzës u shkaktua vetëm prej tij. Unë time bijë e kisha në këmbë, vetëm ilaçe për ftohje i duheshin, dhe tani nuk dimë nga t’ia mbajmë”, shprehet babai. Menjëherë pasi gjendja shëndetësore e vajzës është rënduar, prindërit të shqetësuar i janë drejtuar Pediatrisë në QSUT. Pasi kanë parë recetën dhe më pas ilaçin që u ka shitur farmacistja, mjekët kanë konstatuar menjëherë se bëhet fjalë për kurë të gabuar. Nuk dihet çfarë pasojash mund t’i shkaktojë vajzës gabimi fatal i farmacistes, e cila sipas familjarëve ishte studente dhe jo drejtuesja teknike e saj”. Kjo është e tmerrshme. Farmacisti duhet të jetë kompetent njësoj me mjekun, kurse këtu të marrin në qafë. Unë dua që ime bijë të bëhet mirë. Sa për atë, të mendojnë strukturat përkatëse ta ndëshkojnë apo jo. Le të bëjnë ç’të duan”, flet jo pak i revoltuar i ati. Nuk është hera e parë që për faj të mjekëve apo farmacistëve pacientët marrin kurën e gabuar, duke pasur pasoja të rënda për shëndetin. Por në rastin konkret bëhet fjalë vetëm për një fëmijë 1 vjeç, ilaçi për të sëmurët mendorë që iu dha mund t’i kishte kushtuar edhe jetën.