Një fizarmonikë mes malesh
Libri i parë ishte veç një nisje e mbarë, që i shërbeu për të zbuluar vetveten. Sot, të jesh vetja, duhet të grumbullosh lëndë në dukje të parëndësishme dhe me ngjasime të vogla, për të ngritur një tërësi të re. Këtë e kupton duke lexuar librin e shkrimtarit Miri Dhrami. Ky vëllim, si një prezantim i denjë, është edhe një përgatitje sa serioze, aq befasuese. Dihet se fillimet gjithmonë janë të ngarkuara me ankthe drejtimi. Por autori nuk ka më kohë të presë në semafor. Ai mund të ecë përpara, pasi tashmë i ka shfaqur shenjat se është i aftë për më tej.
Alush AVDULI
Tashmë pasioni i të shkruarit për prozatorin M. Dhrami, është një fat i pashmangshëm. Me librin e tij të parë me tregime “Një fizarmonikë mes malesh”, ai e ka sjellë honin e artit para këmbëve. Ekziston edhe rreziku i urtë i moshedhjes, si narcizëm i gufuar, pasqyrë e shpëlarë me reflekse pellgjesh... Por dua ta shpërfill këtë dyshim. Etja e hedhjes së tij duket e sigurt. Ia ofrojnë disa tregime ku joshja vjen si këngë sirenash.
“Dhëmbët e krehrit” është njëri prej tyre. Aty lexojmë: “...atë ditë që u shitën dy krehra njëkohësisht, edhe dielli sikur e humbi. Ngeci midis dy dritareve.” Tregim i ndërtuar me një fabul të pabujshme. Botë naive. Detaje të holla. Dhëmbë të imta krehri që sfidojnë madhështinë e rreme të një gjysmë shekulli. E përjeton si tym të mbyllur në shishen që hapet pas vitesh, si ulërima të pagoja, si forma ere endur fije-fije. Pasazhe që, edhe se të përshkruara thjeshtë, të trazojnë kujtesën e një kohe mjerane. “...shikoja sharrën me një kërshëri të thellë. Pastaj kaloja te gozhdët që mbathnin kuajt. Aty vërtet hutohesha pak. E kush do të blinte gozhdë kali, kur në fshat nuk kish më as kuaj e as kapedanë? pyesja dhe i përgjigjesha vetvetes. (Pyetjet dhe përgjigjet ndaj vetes ishin të parapëlqyera në ato vite.) Për mua mjaftonte që kishte diçka në të majtë të vitrinës, ku shtriheshin si kopaçe disa topa stofi, që të tërbonin era naftalinë...” Në mbyllje të tregimit, arrin në përfundim se Dhrami nuk është nga ata shkrimtarë që spekulon me varfërinë, tmerret, shkatërrimet, heroizmin, frikën apo dashurinë. Ai nuk ekspozon epifanien. Por të padukshmen e parëndësishme për të tjerët, ai e kthen në vlerë të veçantë.
“Lëkuraxhiu dhe hija” është gati “një ndotje letrare”, një pështirosje, një neveri e harruar sartiane. “...unë, që të bindesha për indetitetin e tij, doja ta shikoja nga sytë. Kërkoja t’i gjeja ata krimbat e rrumbullakët, që i flinin qetë poshtë qepallave, të bëra si me dy copëza lëkure.” Dhe më tej: “...hija lëshoi thesin me buzëqeshje diku në anë të rrugës, dhe iu përvesh prej trupit. Ndërkohë, ai vazhdonte të sillej i trembur, ngaqë nuk dinte ku ta çonte një lëkurë të shpuar...” Tregimi është ndërtuar si një skenografi sa evazive, aq edhe e rrokshme. Lëndë e gatshme, grishëse për një film të suksesshëm.
“Një fizarmonikë mes malesh” është një tjetër tregim i bukur, që e lexon me kënaqësi. Fantazi e nderë, diçka e ylbertë mes malesh, në hapësirë si vegim. Një fizarmonikë me tinguj të qashtër, të mermertë si dritë polare, magjepse. Zbarztësira që ëndërrojnë mbushjen me dashuri adoleshentësh, si trille subjektive. Zakone të vjetra që këpusin zinxhirët e ekzistencës. Muzika e dashurisë që zbut instinktet e egërsisë gati muzeale. Vetëm njeriu i lirë do të jetë qenie e plotë njerëzore.
“Midis turpit dhe Aliut” është një tregim i zakonshëm si vrasjet në luftë. Histori prej një ngjarjeje të ndodhur. Ai vetë çapitet mbi gjurmë të lëna herët. Ndërsa “Aeroplani prej kompensate” , “Jakopsi” “Foleza e djegur” etj, janë tregime të veçanta, që e bëjnë të dallueshëm këndvështrimin origjinal dhe risik të prozatorit M. Dhrami. Tregime të tjerë si meteorë të vegjël që enden qiejeve, shtjellime gati telepatike, ke përshtypjen se nuk të shpien asgjëkund, por të shpërndajnë në shumë drejtime. Janë pulsime të ndezura artistike, që djegin realitetet e thata dhe të këshillojnë si busull. Këto gjetje pikante, në prozën e Dhramit shpallen si dritëza të fshehura, si ekzema të lehta vjetërsirash, të obsurbuara nga kthjelltësia. Dhrami dëfton se është një prozator i ri e me talent të spikatur. Si i padëshiruar në turmën e skribanëve, ai hyn në minoritetin e krijuesve si një veçim.
Sot, të jesh vetja, duhet të grumbullosh lëndë në dukje të parëndësishme dhe me ngjasime të vogla, për të ngritur një tërësi të re. Këtë e kupton duke lexuar librin e parë të shkrimtarit Miri Dhrami. Ky vëllim, si një prezantim i denjë, është edhe një përgatitje sa serioze, aq befasuese për një udhëtim jo të zakonshëm. Dihet se gjithmonë fillimet janë të ngarkuara me ankthe drejtimi. Por me pasionin, talentin, ngazëllimin e brendshëm, përkushtimin e veçantë, me një fantazi të nxjerrë si nga legjendat e grisura prej lashtësisë, ju kërkon të nderuar lexues që jeshilja t’i qëndrojë hapur. Ai nuk ka më kohë të presë në semafor. Vetëm të ecë përpara, pasi tashmë i ka shfaqur shenjat se është i aftë për më tej.
Libri i parë ishte veç një nisje e mbarë, që i shërbeu për të zbuluar vetveten. Po kur ajo bëhet e bukur, ngelet një mëtim për t’u rikthyer i pashoqërueshëm.
Dalan LUZAJ
MOTRA
Motra ka krah’ e të vjen.
Motra pas nënës bëhet nënë.
Motra ka zemër e të ndjen.
Motra brenda shpirtit të gjen!
VËLLEZËRIT
Vëllezërit larg, në mes humnerë.
Pa asnjë urë, asnjë sinjal.
Urrejtja shfryn mbi ta pa prerë.
Në mes, për ndarje rri një mal.
T'u ça një venë, rrodhi gjak.
Paksoi gjaku tek ai.
Vëllai gjakun pyet nga larg:
Nga cila zemër rrodhe ti?
DY ZEMRA
Do të fluturoj, the, drejt meje.
Mbi det, lumë, me krahë si zog.
Shpinës vitet do t’m’i ndjeje,
Si ortek do binin në tokë
Çast i rrallë sa do të zgjasi?
Ç'të zbres të ndihesh më lirë.
Të nxjerr zemrën jashtë që t’ju flasi?
Se ndoshta gjuha s'flet aq mirë?
Kudo e bardhë, kudo e ngrohtë.
Qerpiku njomur, për ç'na pret
Një mall, dy zemra bërë tok
Mbi ne një pulëbardhë kërkon det.
DITË TË MIRË
Ditë të mirë paç, Mëmëdhe!
Gjaku yt kënd më kënd shpërndarë.
Sa më larg, aq më pranë na ke
Gjithësesi të urojmë për mbarë!
Natë të mirë paç, Mëmëdhe!
Si u errën bijtë e vuajtur, bijtë e tu aty?
Për shpërblim jepu dy pashë dhé
Për gjithë ç'vuajtën, ndizu një qiri!
VELAT E BARDHA
Velat e bardha mbi liqen,
Si luleshqera livadhi të vendit tim.
Tej horizonti i fsheh
Për të çelur buzë…
Chicagos në perëndim
Karaburun e Sazan kam përballë!
Përgjaket dielli supeve shkëmbore.
Syri pikon e bëhet mall.
Malli rritet e bëhet Vlorë.
PRES
Me rren mesnata e pabesë.
Besnike mike aq e rrallë.
Në paça jetë, një shekull pres
Ndaj nisma shpresën të bëj gjallë.
A thua ndihemi me mend?
Apo më ndien kur më ke pranë?
Thellë shpirtit është një vend
Ku zemra zemrën ngrohtë e mban.
Ngatërroj me kohë ç'kaloi
I marrë, marrosa dikë tjetër.
Të mori malli e të çoi,
Mbi blunë e detit aq të vjetër.
Me ditë e net pres mbi shkëmb
Pulëbardha tej nën klithmën blu
Mbi krahë malli aq i rendë
Pa krahë, veç klithma sos këtu.
DITË TË MIRË
Ditë të mirë paç, Mëmëdhe!
Gjaku yt kënd më kënd shpërndarë.
Sa më larg, aq më pranë na ke
Gjithësesi të urojmë për mbarë!
Natë të mirë paç, Mëmëdhe!
Si u errën bijtë e vuajtur, bijtë e tu aty?
Për shpërblim jepu dy pashë dhé
Për gjithë ç'vuajtën, ndizu një qiri!
13 Korrik 2009