Proza tregimtare e Azem Shkrelit
Do të ndalem gjithashtu te një problem, që ka të bëjë me ribotimin e veprave të autorëve tanë, të cilët shkruan dhe botuan para unifikimit të gjuhës letrare. Euforia e këtij unifikimi bëri që puna në këtë drejtim të bëhet pa kriter dhe shpesh me gabime të mëdha, të cilat cenojnë esencën e shkrimit të letërsisë, posaçërisht prozës. E them me bindje të plotë se këto ribotime, siç është bërë në rastin e përmbledhjes “Sytë e Evës” të Azem Shkrelit dhe në rastin e tregimeve të Anton Pashkut, kanë qenë veprime shkatërruese, me pasoja të mëdha për veprat e këtyre autorëve. Kthimi në gjuhën letrare me rastin e ribotimit i ka humbur kësaj proze jo vetëm shkrimin dhe koloritin gjuhësor, por në të shumtat e rasteve ka prekur indin artistik dhe ka ngatërruar deri në çorodi kontekstin historiko-letrar. Gjuha e ribotimit të veprave të këtyre autorëve del e unifikuar dhunshëm. Ajo nuk është më as gjuhë letrare, as dialektore, as idiomë lokale. Është një ngatërresë e panatyrshme e të gjithave, e tillë që tani, shikuar nga kjo distancë kohore, mund të quhet gjuhë-pengesë për rilexim dhe njohje më të thellë të këtyre veprave. Pra, ka ndodhur ajo që nuk është menduar se mund të ndodhte: tregimet e Anton Pashkut dhe të Azem Shkrelit më lehtë lexohen dhe shijohen ashtu siç ishin shkruar, sesa me unifikime të këtilla krejtësisht të paqëndrueshme. Prandaj, nëse ndonjëherë bëhen projekte për botimin e serishëm të autorëve të kësaj periudhe, përfshirë këtu edhe autorët që i përmendëm, del i domosdoshëm ribotimi sipas versioneve të botimeve të para, pa ndërhyrje, ose me ndërhyrje krejt minimale. Ndoshta është koha që këto ribotime të bëhen pikërisht tani, si veprim që do të synonte t’ua kthente këtyre autorëve vlerat autentike.
Mehmet KRAJA
Azem Shkreli është ndër autorët tanë jo aq të shumtë, vepra e të cilit tani kërkon një shqyrtim të gjithanshëm, studim historiko-letrar dhe analizë sa më të plotë tekstore, duke përfshirë këtu edhe rrafshet e ndryshme të referencave komunikuese. E them këtë për shkak se, gjatë kësaj kohe, kam vënë re se shkrimet diskursive për veprën e Azem Shkrelit ende sillen në rrafshin e interpretimit, kryesisht të poezisë dhe nëse këto shkrime shikohen nga shkalla e aplikimit të instrumentariumit shkencor e të dijes letrare, del se ende kemi të bëjmë me analiza dhe shqyrtime të çastit, të cilat janë të dobishme për krijimin e një atmosfere të favorshme, të thuash mediale, por nuk arrijnë të bëjnë shumë të qartë vendin që ky autor dhe vepra e tij zënë në kontekstin historiko-letrar të gjysmës së dytë të shekullit XX, veçmas në këtë krah të letërsisë shqipe. Gjithashtu, kam vënë re se në këto shkrime për veprën e Azem Shkrelit mungon një dimension i rëndësishëm i saj: shqyrtimi dhe analiza e prozës. E kjo mungesë më ka nxitur të mendoj nëse kemi të bëjmë me dy nivele të ndryshme të shkrimit letrar të këtij autori, ku poezia, e parapëlqyer nga kritika dhe e interpretuar shpesh, avancon aq shumë në krahasim me prozën e dramën, sa që anashkalimi i tyre i deritashëm të dalë i arsyeshëm dhe të gjejë mbështetje te vetë vepra e Azem Shkrelit.
Këto fakte, pra nevoja që veprën e Azem Shkrelit ta marrim në shqyrtim me krejt plotëninë e saj, qoftë edhe në mënyrë iniciale, si dhe ideja, ndoshta e pashprehur aq vendosmërisht, se kemi të bëjmë me nivele të ndryshme të shkrimit letrar, ku njëri (poezia) paraqitet me e avancuar, ndërsa tjetri (proza) më i paarrirë, më kanë nxitur që edhe një herë t’i marr në dorë tregimet e këtij autori, të vetmen vepër që ai e botoi me krijime të kësaj gjinie.
* * *
Që në fillim duhet theksuar se botimi i fundit i përmbledhjes së tregimeve të Azem Shkrelit, “Sytë e Evës”, është bërë gati tridhjetë vjet më parë, më saktë në vitin 1973 dhe se ai është ribotimi që ende mund të gjendet në bibliotekat tona.
Botimi i parë, i bërë dhjetë vjet të tjera më herët, është tepër i rrallë dhe hyn ndër ato botime që tashmë mund të konsiderohen të harruara. Përmendja e këtyre botimeve dhe datave në rastin e tregimeve të Azem Shkrelit, sikur edhe në rastin e tregimeve të Anton Pashkut, ka një rëndësi, sepse ndërmjet botimeve të para dhe ribotimit të mëvonshëm te ne ka ndodhur i ashtuquajturi “shkapërcim gjuhësor”, i cili, shikuar nga kjo distancë, paraqitet si fakt i rëndësishëm krijues, veçanërisht për këta dy autorë dhe te ndonjë tjetër që shkruante prozë gjatë viteve gjashtëdhjetë.
Këta autorë e kultivuan shkrimin e prozës nën ndikimin e fuqishëm të qarkut letrar të Shkodrës që, ndonëse tashmë ishte shpërbërë, për shkak të afrive gjuhësore, te ne në Kosovë vazhdoi edhe për një kohë të shërbente si model i shkrimit.
Në Shqipëri, për shkak të rrethanave politike dhe rrethanave të tjera, shkrimi i letërsisë sipas këtij modeli brenda vendit filloi të degradojë, ose të zhvendoset në diasporën politike, atje ku përfunduan autorët ndër më të spikaturit, si Koliqi, Maloki, Camaj dhe ndonjë tjetër.
Shkrimtarët kosovarë të kësaj kohe, për shkak të mungesës së traditës vendore, por edhe për shkak të komunikimit të natyrshëm me këtë krah letrar, te qarku letrar i Shkodrës gjetën literaturën bazë për mësimin e shkrimit të prozës. Përveç kësaj, prania e Camajt për një kohë sado të shkurtër në krahun letrar të Kosovës, duket se ka ushtruar ndikim për një komunikim më të fuqishëm me atë literaturë, e cila krijohej në diasporën politike, ku vend kryesor zënë vetë Camaj dhe Koliqi në veçanti. Gjurmët e kësaj shkolle letrare i gjejmë tek autorët më të mirë të prozës, e cila u shkrua gjatë viteve gjashtëdhjetë në Kosovë, ku fillimisht bënte pjesë edhe Azem Shkreli.
* * *
Mirëpo, krahas kësaj tendence, në këto vite në Kosovë hetohet qartë edhe një rrymë tjetër, më pak tradicionale dhe shumë më e afërt qoftë me shkollën e realizmit socialist, qoftë me ndikime e preferenca që vinin nga letërsia botërore, kryesisht përmes përkthimeve. Adoptimin e shkollave moderne përmes një diskursi gjuhësor tradicional në këtë periudhë, në prozë më së miri e bëjnë Anton Pashku dhe Martin Camaj, i pari duke mënjanuar në masë të madhe etnografizmin e Koliqit, kurse i dyti duke e kthyer shkrimin e prozës në “etnografi revokuese”, nëse mund të thuhet kështu.
* * *
Te tregimet e Azem Shkrelit ndërkaq, veçmas nëse rilexohet nga kjo distancë botimi i parë, hetohen dy tendenca gati përjashtuese: ndikimi i fuqishëm i traditës, pra i shkollës letrare të Shkodrës në disa tregime, në njërën anë, dhe rrymimet bashkëkohore që nuk asimilohen dhe nuk i adaptohen këtij tradicionalizmi as gjuhësor dhe as përmbajtësor.
Nuk do mend se tregimet më të mira të Shkrelit mbesin ato që ishin shkruar si vazhdim i traditës letrare, sepse kjo mënyrë shkrimi del shumë adapte me subjektet lokale, me mendësinë dhe preokupimet e personazheve, me koloritin e ambientit etj. Por edhe sa i përket prosedeut: shkrimi rrjedh më natyrshëm, shkrimi është më i zhdërvjelltë, idetë janë më të qarta, gjetjet janë më interesante dhe përshkrimet janë më lirike, pra rrjedhimisht më të frymëzuara.
Duket se ambientit rural, për të cilin shkroi disa tregime Azem Shkreli, i shkonte më shumë jo vetëm gjuha, por edhe përvoja dhe dija letrare e këtij autori. Në këtë grup hyjnë pjesërisht tregimi “Sytë e Evës” (njëra linjë e rrëfimit), pastaj “Bjezga”, “Trungjet”, “Buka” dhe “Mëkushti”.
Ndonëse bëhet fjalë për një numër të vogël tregimesh dhe për paraqitje, të thuash, fragmentare të një ambienti dhe të njerëzve që jetojnë në të, përmes këtyre prozave përvijohet qartë tabloja autentike e një etnopsikologjie dhe, çka është edhe më e rëndësishme për prosedeun e tregimit, ndërtohen heronj e karaktere letrare me një plotëni të pëlqyeshme.
* * *
Mirëpo, sikundër mund të vihet re, duke u gjetur si autor në shkapërcim kohësh, i nxitur nga rrethanat letrare dhe nga formimi i tij si shkrimtar, po në këtë përmbledhje do të paraqitet disi i dyzuar.
Kundrejt autorit që ndjek traditën, në shkrimin e tregimit shfaqet po ai autor që u bën jehonë zhvillimeve bashkëkohore në tema dhe në prosede. Në këtë grupëzim të dytë, ku bëjnë pjesë tetë tregime dhe njëra linjë e rrëfimit te tregimi “Sytë e Evës”, autori merr në shqyrtim fate personazhesh nga jeta urbane e kohës, duke nxjerrë në plan të parë shqetësime intelektuale, kontrakdita dhe konflikte me të cilat përballej deri në njëfarë shkalle njeriu i atyre rrethanave.
Në ndonjë tregim duket sikur ai për pak i shpëton stampës së realizmit socialist (“Puthja në bronzë”), në ndonjë tregim tjetër synon shkrimin e prozës psikologjike (“Alfa”, “Njerëzit dhe hijet”, “Kulla e Ajfelit”), në rastin e tretë përpiqet të krijojë një miksazh tekstore dhe të proseduet (“Helmeta”, “Sytë e Evës”), kurse në rastin e katërt i nënshtrohet pasionit të moshës, duke shpërfaqur me mjaft gjeturi shkrimi situatat paradoksale dhe shpesh tragjike të dashurisë (“Udhëtarët”, “Njerëzit dhe hijet”).
Kjo pasuri tematike i bën tregimet më të larmishme dhe autorit i jep mundësi të marrë në shqyrtim artistik situata të ndryshme jetësore dhe të merret me analiza të holla psikologjike e filozofike.
Por, pavarësisht nga kjo, tregimet e grupëzimit të parë mbesin më të realizuarat dhe me këto realizime Azem Shkreli hyn ndër autorët e suksesshëm të tregimit në këtë pjesë të letërsisë shqipe.
* * *
Së fundi do të ndalem te një problem tjetër, që ka të bëjë me ribotimin e veprave të autorëve tanë, të cilët shkruan dhe botuan para unifikimit të gjuhës letrare.
Euforia e këtij unifikimi bëri që puna në këtë drejtim të bëhet pa kriter dhe shpesh me gabime të mëdha, të cilat cenojnë esencën e shkrimit të letërsisë, posaçërisht prozës.
E them me bindje të plotë se këto ribotime, siç është bërë në rastin e përmbledhjes “Sytë e Evës” të Azem Shkrelit dhe në rastin e tregimeve të Anton Pashkut, kanë qenë veprime shkatërruese, me pasoja të mëdha për veprat e këtyre autorëve.
Kthimi në gjuhën letrare me rastin e ribotimit i ka humbur kësaj proze jo vetëm shkrimin dhe koloritin gjuhësor, por në të shumtat e rasteve ka prekur indin artistik dhe ka ngatërruar deri në çorodi kontekstin historiko-letrar. Gjuha e ribotimit të veprave të këtyre autorëve del e unifikuar dhunshëm. Ajo nuk është më as gjuhë letrare, as dialektore, as idiomë lokale. Është një ngatërresë e panatyrshme e të gjithave, e tillë që tani, shikuar nga kjo distancë kohore, mund të quhet gjuhë-pengesë për rilexim dhe njohje më të thellë të këtyre veprave.
Pra, ka ndodhur ajo që nuk është menduar se mund të ndodhte: tregimet e Anton Pashkut dhe të Azem Shkrelit më lehtë lexohen dhe shijohen ashtu siç ishin shkruar, sesa me unifikime të këtilla krejtësisht të paqëndrueshme. Prandaj, nëse ndonjëherë bëhen projekte për botimin e serishëm të autorëve të kësaj periudhe, përfshirë këtu edhe autorët që i përmendëm, del i domosdoshëm ribotimi sipas versioneve të botimeve të para, pa ndërhyrje, ose me ndërhyrje krejt minimale. Ndoshta është koha që këto ribotime të bëhen pikërisht tani, si veprim që do të synonte t’ua kthente këtyre autorëve vlerat autentike.
13 Korrik 2009