E Hënë, 2 Nëntor 2026

Merz shton presionin ndërkombëtar ndaj Izraelit- Si rrallëherë, kancelari gjerman kritikon TelAvivin

Veprimet e qeverisë izraelite në Gaza “nuk mund të justifikohen më”, tha të hënën kancelari gjerman Friedrich Merz, duke sinjalizuar një ndryshim të thellë në tonin e njërit prej mbështetësve tradicionalisht më të vendosur të Izraelit në Evropë.

“Kur kapërcehen vijat, kur ligji ndërkombëtar po shkelet vërtet, edhe kancelari i Gjermanisë duhet të flasë”, tha Merz për transmetuesin publik gjerman ËDR në një intervistë të hënën.

Veprimet e qeverisë në Gaza “nuk mund të justifikohen më”, shtoi ai.

Ndërsa udhëheqësit e Kanadasë, Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar dënuan veprimet e Izraelit në një deklaratë të përbashkët javën e kaluar, Merz nuk e bëri këtë.

Ai në përgjithësi ka refuzuar të kritikojë ashpër qeverinë izraelite, duke pasur parasysh marrëdhëniet e ndjeshme mbi përgjegjësinë historike të Gjermanisë për Holokaustin.

Menjëherë pas fitores në zgjedhjet federale të shkurtit, Merz ftoi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Gjermani.

Më pas, ai e hodhi poshtë si “krejtësisht absurde” idenë që Netanyahu, i cili është subjekt i një urdhër-arresti nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, mund të mos jetë në gjendje të vizitojë vendin pa u arrestuar.

Qeveria e Gjermanisë, si dhe partia konservatore e Merz, gjithashtu kishin hezituar të sugjeronin se Izraeli po shkelte ligjin ndërkombëtar në Gaza.

Por toni i Merz të hënën ishte dukshëm i ndryshëm. “Ajo që ushtria izraelite po bën tani në Rripin e Gazës – sinqerisht, nuk e kuptoj më se cili është qëllimi i saj… Duhet ta themi këtë pak më qartë tani”, tha ai.

Gjatë intervistës, e cila u përqendrua në politikën evropiane të Gjermanisë, Merz tha gjithashtu se presidenti rus Vladimir Putin nuk tregon gatishmëri për t’i dhënë fund luftës së tij në Ukrainë dhe shpresat për një paqe të afërt ishin të gabuara.

“Nëse edhe një ofertë për t’u takuar në Vatikan nuk merr miratimin e tij, atëherë duhet të jemi të përgatitur që kjo luftë do të zgjasë më shumë nga sa mund të dëshirojmë ose imagjinojmë të gjithë”, tha ai.

“Pas tre javëve të fundit, … askush nuk mund të na akuzojë seriozisht se nuk i kemi shteruar më të gjitha mjetet diplomatike në dispozicion”, tha Merz.

Putini deri më tani i ishte përgjigjur “ të gjitha përpjekjeve për të hyrë në dialog me të” duke dyfishuar përpjekjet e tij të luftës,  shtoi ai, duke vënë në dukje se kjo e kishte lënë gjithashtu Trumpin “padyshim gjithnjë e më të zhgënjyer me Putinin”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›