Merzhev, poezi shqipe pa alfabet
Tradita gojore dhe shkrimi. Në fshatrat shqiptare të Ukrainës ka poetë që jo vetëm krijojnë vargje, por edhe i shkruajnë, duke përdorur sistemin alfabetik të vet pa ditur atë të shqipes së sotme dhe pa pasur kontakte të ngushta me shqipfolësit. Fjala bie për poetin Petr Merzhev, i cili duke qenë dygjuhësh për gjuhët amtare i ka shqipen dhe rusishten. Petr Merzhev tregon biografinë e vet: “Unë, Merzhev Petr, i biri i Kirillit, u linda më 1 maj të vitit 1937. Tërë jetën kam punuar në kuadrin e bujqësisë dhe bagëtisë, 20 vite kam qenë ekonomist kryesor, pastaj nisa të shkruaj poezi. Shkruaj shqip, rusisht dhe ukrainisht. Ka njerëz që nuk më besojnë, që dhe në gjuhën ukrainase shkruaj, por kam tri poezi me të cilat do t’ju vërtetoj, që këto gjuhë unë i zotëroj...” Tani Petr Merzhev është në pension, ka një fermë të vogël dhe bashkë me gruan dhe familjen e tij të madhe punon atje.
Ka disa vite që Universiteti i Sh. Pjetërburgut organizon dhe realizon ekspedita linguistike dhe etnografike në fshatra të Ukrainës të banuara nga pasardhësit e shqiptareve. Duhet thënë që nga viti 1970 po zhvillohet programi i planifikuar të studimit të këtyre fshatrave. Këtu mund të përmenden emra të Irina Voroninës, e cila madje botoi veprën “E folmja e shqiptarëve të Ukrainës” (Pjesa e intervistës së regjistruar nga A. Nikolsakaja dhe A. Novik në korrik-gusht të vitit 2008), Julia Ivanova, antropologes së shquar, Aleksandër Novik, i cili po vazhdon punën e tyre, duke i përfshirë në ekspedita të përmendura jo vetëm albanologë me eksperiencë, por edhe studentë të degëve të ndryshme të universitetit tonë.
Në krahinën Priazovje të zonës Zaporozhje të Ukrainës ka 3 fshatra të banuara nga pasardhësit shqiptarë, të cilat janë: Georgievka (emri i mëparshëm – Tyshki), Devninskoje (Taz), Gammovka (Xhandran). Fshatra të përmendura u themeluan në vitet 1861 – 1862 nga shqiptarët që kishin ardhur më parë nga fshati Karakurt (Zhovtnevoje), që ndodhet afër qytetit të Odesës. Kurse në vetë Karakurtin shqiptarët kishin ardhur në vitin 1811 sipas sanksionit të qeverisë ruse, e cila ishte e interesuar në shtimin e banorëve në krahinat afër detit Azov dhe Detit të Zi. Këto krahina Perandoria Ruse i fitoi gjatë luftërave të gjata me Turqinë. Në stepë të Priazovjes vinin për të jetuar përfaqësuesit e popullsive nga më të ndryshmet. Në fshatrat Georgievka dhe Devninskoje fillimisht u vendosën vetëm shqiptarët. Në fshatin Gammovka shqiptarët bashkëjetonin me gagauzët. Në zonat fqinj ndodhnin fshatra bullgare, ukrainase, ruse, ashtu edhe me popullsinë e përzier. Gjatë një periudhe mjaft të gjatë popullsia e fshatrave shqiptare mbetej monoetnike (veç Gammovkës). Para viteve 1920 shqiptarët nuk pranonin dhe nuk miratonin martesat me përfaqësuesit e popullsive fqinje. Pleqtë insistonin që shqiptarët të martoheshin vetëm me shqiptaret. Por me kalimin e kohës, pas dy luftërave dhe krizave ekonomike vdekjeprurëse, mundësia e zgjedhjes së bashkëshortëve shqiptarë u zvogëlua dhe popullsia shqiptare nisi të përzihej me të tjerët, dhe si pasojë filloi procesi i humbjes gjuhësore dhe kulturore dhe i përzierjes.
Unë pata mundësi të merrja pjesë në një nga ekspeditat e përmendura, në korrik – gusht të vitit 2008. Një ndër detyrat e mia ishte mbledhja e materialeve, regjistrimi dhe analiza e të dhënave të poezisë gojore, që mund të ishte ruajtur në atë zonë. Kjo punë hynte në planin e studimit të sistemeve të vargëzimit që ekzistojnë në gjuhën shqipe. Në këtë kumtesë të shkurtër nuk do të hyjmë thellë në probleme të kësaj fushe. Mjafton të shpjegoj që disertacioni im i është kushtuar studimit të strukturës së vargut shqip që nga fillimi i shekullit XIX deri në ditët tonë. Përdoren edhe të dhëna e traditës gojore, e cila sigurisht ndikon shumë në prozodinë e vargut. Unë analizoj me metoda të ndryshme (ndërtimi i profileve të theksimit, analiza e nivelit të theksimit në fjalë etj.) vargun që ekziston në kushte krejtësisht të ndryshme: 1) vargu gegë dhe toskë brenda kufijve të Shqipërisë; 2) vargu në kushtet silabike (vargu arbëresh); 3) vargu kosovar. Veç ndarjes gjeografike-dialektore, duhet thënë që nuk mund të evitohet ndarja sipas periudhave letrare (në analizë kështu hynë Rilindja Kombëtare (1878 – 1912), letërsia e pavarësisë, letërsia e realizmit socialist dhe pjesërisht letërsia bashkëkohore).
Më interesojnë jo vetëm vargjet origjinale, por edhe përkthime nga gjuhët e ndryshme (anglishtja, italishtja, gjermanishtja, spanjishtja, frëngjishtja etj.), që pa dyshim i kishin dhënë letërsisë kombëtare ide dhe forma të reja, ashtu edhe dëshmojnë për mundësitë dhe kapacitetet e sistemit të gjuhës të adaptojë metra të huaj. Vëmendjen e veçantë unë i jap zhvillimit të dramës në vargje dhe të formave solide, të ngulitura, siç është tingëllimi (soneti).
Dhe këtu del që në fshatra shqiptare të Ukrainës ka poetë (P. Merzhev nuk është i vetmi që krijon tekste në gjuhën shqipe, por ai është pothuajse i vetmi që i regjistron dhe madje i boton.), që jo vetëm krijojnë vargje, por edhe i shkruajnë, duke përdorur sistemin alfabetik të vet pa ditur atë të shqipes së sotme dhe pa pasur kontakte të ngushta me shqipfolësit. Fjala bie për poetin Petr Merzhev, i cili duke qenë dygjuhësh për gjuhët amtare i ka shqipen dhe rusishten. Petr Merzhev tregon biografinë e vet:
“Unë, Merzhev Petr, i biri i Kirillit, u linda më 1 maj të vitit 1937. Tërë jetën kam punuar në kuadrin e bujqësisë dhe bagëtisë, 20 vite kam qenë ekonomist kryesor, pastaj nisa të shkruaj poezi. Shkruaj shqip, rusisht dhe ukrainisht. Ka njerëz që nuk me besojnë, që dhe në gjuhën ukrainase shkruaj, por kam tri poezi me të cilat do t’ju vërtetoj, që këto gjuhe unë i zotëroj...”
Tani Petr Merzhev është në pension, ka një fermë të vogël dhe bashkë me gruan dhe familjen e tij të madhe punon atje.
Sipas mendimit tim, primitivizmit të poezisë së Merzhevit, e cila është ritmikisht e varfër dhe me motive mjaft të thjeshta (jeta e fshatarit, poezi për jubile dhe ditëlindje të ndryshme, vjersha për fëmije etj.), janë fshehur mekanizma shumë të posaçme dhe të rëndësishme të funksionimit të sistemit të vargëzimit. Prandaj ne nuk mund të mos e vërejmë këtë material unik, edhe nëse në krahasimin me tërë vëllimin e materialit të analizës sonë ai është mjaftë i kufizuar.
Ne këtë kumtesë do të argumentojmë këtë mendim dhe do të prezantojmë disa vërejtje.
1. Alfabeti i Merzhevit
Petr Merzhev përdor për regjistrimin e vargjeve të veta sistemin e vetëm që njeh – alfabetin cirilik. Por ai vetë kupton që ka shumë tinguj për të cilët nuk ka ekuivalentë në këtë sistem. Kështu, duke punuar me dorëshkrime të tij, unë vendosa të veproj në një algoritëm të afërt, atë të cilin përdorën kolegët shqiptarë dhe italianë për ribotimin e autorëve të Rilindjes. Unë krijova një tabelë, ku jap paralele të alfabetit të Merzhevit me atë shqiptar duke përdorur për tingujt që ka vetëm e folmja e Ukrainës shenja specifike.
Kështu, në kuadrin e zanoreve një interes të veçantë përfaqësojnë grafemat /ы/ dhe /ю/.
Siç del nga analiza e teksteve, grafemës /ы/ i përshtaten:
Merzhev Transliterimi Kuptimi Shembuj
ы i i дыта/dita = dita;дылы/dilli = dielli; дымбры/dimbri = dimri
ы ы / ı ı ыshtë = ishte; парандыя/parandыja =perëndia
ы e e лютыми/lutemi = lutemi
ы ë ∂ агын/a hënë = e hënë
Nga tabela shihet që veç tingujve /i/, /e/ dhe /ë/, që i përmban gjuha standarde shqipe ka dhe një tingull i huazuar nga gjuhët fqinje i shënuar në tabelën time si /ı/.
Për sa i përket shkronjës /ю/ variantet e leximit janë:
Merzhev Transliterimi Kuptimi Shembuj
ю y y пютм/pyjtmы =pyetëm
ю yj yj pyjte = pyeti
Variantin që do t’i afrohej shqiptimit rus /ju/ nuk e gjeta në tekste që mora në analizë, por nuk përjashtoj mundësinë e ekzistencës së tij. Duket që shkronja ю pas zanoreve dhe në pozicionin nistor shënon bashkimin e tingujve /ju/.
Për sa u përket korrespondencave të tilla, në lëmin e zanoreve gjeta që në pozicionin brenda fjalës shkronja е shënon tingullin /e/ (p.sh. гер/γer = herë), ndërsa në pozicionin fillor si rregull ajo shqiptohet si bashkimi i zanorëve /je/: ера/jera=era. Kurse në fund të fjalës për të njëjtin tingull përdoret shkronja э: залагитэ /zallaγite=fola; лэ/lle=dhe. Këtu shihet qartë ndikimi i ortografisë ruse.
Po ashtu unë gjeta shumë dukuri interesante në lëmin e bashkëtingëlloreve. P.sh., shkronja г ka tre variante të fonemave që i përshtaten:
Merzhev Transliterimi Kuptimi shembuj
г g g га/ga=nga
г γ γ сагат/saγatë=sahat; горт/γort =fort
г χ χ дугет/duχet=duhet; гер/χerë=herë
Siç shihet, këtu kemi ndikimin e fortë të prononcimit ukrainas të tingujve g (e zëshme) dhe h (e shurdhët).
Duke shikuar dukuritë fonetike të të folmes së fshatit Georgievka (e cila në përgjithësi nuk ka variantin e shkruar) gjejmë vërtetime dhe në tekstet e Merzhevit. Për shembull, bashkëtingëllorët e zëshme në pozicionin e dobët kaluan në variantin e shurdhet (Është fenomeni i vjetëri dialekteve toskë, nga të cilat derivon dhe e folmja e Georgievkes ): кувент / kuvent = kuvendë, fjalë.
Tingujt që nuk kanë asnjë korrespondencë në alfabetin cirilik Merzhevi i shënon nëpërmjet shkronjave që përdoren për tingujt rusë (ose ukrainas) të ngjashëm. Kështu, për tingullin /q/ kemi /т/ i palatalizuar: тюш/qysh=qysh. Por vetë prononcimi i këtij tingulli mund të diskutohet, sepse në të folmen mënyra e prononcimit lëkundet midis /t’/ të palatalizuar dhe /q/ (mbylltore qiellzore palatale).
2. Karakteristikat ritmike
Struktura e vargut “Dumë shiu t’bierë” është mjaft origjinale dhe mendoj që ky tekst na dëshmon pjesërisht faktin që poezia e Merzhevit mund të konsiderohet shumë e afërt me traditën gojore shqipe. Ka dy pika që argumentojnë këtë mendim: ndarja e parregullt në vargje brenda tekstit të shkruar dhe prirjet tonike. Në strofën e parë hapa daktilike shndërrohet me hapën trokaike dhe kjo skemë dyfishohet, që çon tek ndarja e plot e vargut në dy pjesë të pavarura në strofa të mëtejshme.
1) gjysma e strofës së parë, vargje të dyfishuara
Dita u zë / giga ajo punë, 1 0 0 1 1 0 0 1 0
Dilli u pull, / bullute nok ka. 1 0 0 1 0 1 0 0 1
2) gjysma e strofës së dytë, rreshtat janë ndarë në dy vargje të veçanta
T’nglazur na jemi, / 0 0 1 0 1 0
Dumë nesër të bjerë, / 1 0 1 0 0 1 0
Në strofat 2-5 përdoret më shumë principi tonik dhe vargu ndërtohet rreth 2 aksentëve baze me variacione të llojllojshme të rrokjeve të patheksuara.
Në vargje “E hënë” dhe “Musafirë” ne dallojmë shndërrimin e amfibrakëve dhe daktilëve të parregullt me prirjen e fortë ndaj vargut aksent të organizuar në bazën e 4 theksave të fortë me numrin e rrokjeve të patheksuara e të lëvizshëm. Këto karakteristika i përkasin dhe shumicës së teksteve të poetit të shkruara rusisht.
Kështu, si rezultat unë konstatoj, që vargu i Merzhevit ka prirje të forta ndaj sistemit që mbizotëron në sfondin e tij kulturor. Vetë poeti deklaron që kishte 3 poetë që e ndikuan – A. Pushkin, K. Simonov dhe N. Nekrasov. Pushkini i dha një shtysë për të shkruar, K. Simonov e habiti me formën e vargut të tij dhe me zgjedhjen e temave, kurse për poetin-mësues që është më i afërt shpirtit të tij Merzhevi e pranon Nekrasovin. Ai thotë që vargu e tij i shkurtër është më i përshtatshëm për tema që ngre, kurse vargun “e stërgjatë” të Simonovit ai e gjen të përshtatshëm jo vetëm për të dëgjuar, por edhe për të mësuar përmendesh (!).
Por nuk duhet harruar që gjuha dhe prozodia e saj i formojnë faktorët kryesore ritmoformuese. Duke rishikuar poezinë shqipe të Merzhevit mund të gjejmë lidhje të paevitueshme me sistemin e vargëzimit amtar. Kështu mund të përmendim përdorimin e ë-së për aranzhimin e duhur të ritmit brenda vargut (p.sh.: Parandыja na jep aqë sa ka apo Ni katër saγatë u χap jena koγa), ndalimin e luajtjes së vendit të theksit dhe reduktimet të nyjave dhe pjesëzave (t’kemi, t’i shtonëm). Dukuri që nuk u shfaqën në këtë tip të vargut janë elizioni dhe reduktimi e zanoreve në përemra të shkurtër. Zhdukja e këtyre mënyrave të rregullimit të ritmit karakterizon edhe periudhën e realizmit socialist, kur letërsia shqipe ishte nën ndikimin e fortë të vargut rus.
Si përfundim, dua të them që karakteristikat ritmike, motivet dhe zhanret, ashtu si edhe lidhja e vargut shqip të shkruar në të folmen e Ukrainës janë duke u sqaruar dhe u përshkruar. Vendi i asaj poezie në tërë sistemin e vargëzimit shqip nuk është i caktuar akoma, të jetë ajo е kuptuar si pjesa e traditës gojore apo e shkruara. Unë po vazhdoj studimin dhe shpresoj se bashkë me punën time do të zhvillohet dhe vetë poezia që doli si objekt analize në këtë kumtesë.