E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debatet e fabrikuara cënojnë imazhin e Shqipërisë



Mentor Beqa

Debati publik është mbërthyer ditët e fundit nga një raport investigimi i brendshëm i Bankës Botërore, i cili konstaton shkelje në administrimin e një projekti që Banka Botërore në bashkëpunim me qeverinë shqiptare kanë në zbatim për menaxhimin e bregdetit shqiptar. Foxnews publikoi në web-in e tij një investigim mbi këtë raport të brendshëm të BB-së, bashkangjitur me raportin konfidencial, duke e fokusuar problemin tek problemet e brendshme të BB-së që kanë të bëjnë me fshehje informacioni nga punonjësit e Bankës. Bordi i BB-së, sipas këtij raporti, do të mblidhet më 17 shkurt për të dhënë një përgjigje në lidhje me këtë shqetësim. Por si reflektohet kjo çështje në debatin publik në Shqipëri? Sa korrekt dhe profesional janë raportimet që media apo aktorë të tjerë publikë bëjnë mbi këtë çështje? Duke qenë se vij nga një përvojë me një projekt të ngjashëm të Bankës Botërore, po radhis disa nga nonsenset e trajtimit publik të këtij të ashtuquajturi skandal.

Së pari, nuk kemi të bëjmë me një raport të Bankës Botërore për ecurinë e këtij projekti, por me një hetim të brendshëm të Bankës Botërore, pas ankesave që mund të jenë depozituar nga aktorë të ndryshëm të interesuar mbi këtë projekt. Banka Botërore është një institucion skrupuloz nga pikëpamja burokratike dhe shqyrton me seriozitet maksimal çdo ankesë që regjistrohet nga çdokush për sa u përket projekteve ku ajo është palë. Hetimi bëhet edhe më i kujdesshëm kur bëhet fjalë për qytetarë të prekur për keq nga projektet e Bankës Botërore, pasi kjo bie ndesh me parimet mbi të cilat është ndërtuar ky institucion. Në rastin konkret kemi të bëjmë me prishjen e disa shtëpive në fshatin Jalë dhe Banka Botërore e ka në parim që dëmet që shkaktohen prej projekteve të saj të shpërblehen në proporcion me dëmin e shkaktuar. Dëmshpërblimi nuk ka ndodhur dhe kjo me shumë gjasa ka ardhur për shkak të mosparashikimit në kontratën e lidhur nga BB-ja me qeverinë shqiptare për raste të tilla. Banka Botërore, për të qenë korrekte me parimet e saj, duhet të kishte parashikuar në kontratë që në rast të dëmeve të shkaktuara nga zbatimi i projektit, qeveria shqiptare ose BB-ja angazhohen të kryejnë dëmshpërblimin e nevojshëm. Kjo, me sa duket, nuk ka ndodhur dhe ka lejuar që situata të arrijë deri në këtë pikë.

Së dyti, konotacioni politik që kësaj çështjeje i ka atribuuar media afër opozitës dhe vetë opozita nuk është i qëndrueshëm, pasi në këtë pikë nuk flitet për një praktikë korruptive, por për një sensibilitet të veçantë që BB-ja ka ndaj qytetarëve që preken nga projektet e saj. Në raportin investigues mbi 100 faqesh të Werner Kiene përshkruhet edhe thelbi i të gjithë problematikës që ka ndarë në dy pjesë Bankën Botërore. Kjo ka të bëjë me shtëpitë që shërbenin si banesa dhe si biznes turistik për disa familje në Jalë. Werner Kiene raporton sfondin e familjeve që janë prekur, por duke anashkaluar dy elementë kryesorë. Pranohet që janë ndërtime të paligjshme, por potencohet fakti se janë dërguar për legalizim në Bashkinë e Himarës, duke artikuluar dy mosnjohje të legjislacionit shqiptar; së pari, kërkesa për legalizim bëhet në Agjencinë Rajonale të Legalizimit dhe së dyti, ndërtimet e paligjshme në bregdet nuk parashikohet me ligj që të legalizohen. Përpos kësaj, në raport shmanget konstatimi që këto ndërtime nuk ishin thjesht për akomodim familjar, por për biznes turistik. Shmangia e këtyre dy elementëve të bën të dyshosh për tendenciozitet në hartimin e raportit investigues dhe për palë të interesuara fort në këtë çështje.

Së treti, Shqipëria nuk përfiton asgjë në imazhin e saj ndërkombëtar, nëse opozita dhe media fokusohen në çështje të fabrikuara nga interesa të caktuara. Kakofonia e trajtimit të kësaj problematike nuk ndihmon askënd, përpos atyre që duan që çështja të mos argumentohet, por të debatohet në mënyrë të zhurmshme. Nëse flitet për shkelje të të drejtave të qytetarëve, atëherë duhet thënë se janë prishur banesa të ligjshme në truall të poseduar në mënyrë të ligjshme. Kjo nuk ka ndodhur. Nëse dikush nga projekti ka përfituar, qoftë ky dhëndri i Kryeministrit, duhet thënë se çfarë ka përfituar në rastin konkret, kur dihet që koordinatori i projektit nuk ka asnjë më shumë në kompetencë të tij, sesa përcaktimin e modelit zhvillimor të zonës. Titujt e pronësisë i ndan tjetër institucion dhe lejet e ndërtimit i jep tjetër institucion. Për të qenë serioz, në debat duhet thënë se ku qëndron skandali në këtë mes. Gjithçka ka ndodhur ka të bëjë me një mosparashikim në kontratën e lidhur për dëmshpërblimin e personave që preken nga ekzekutimi i projektit. Opozita duhet mirëkuptuar në dëshirën për të instrumentalizuar në favor të saj çdo diskutim që bëhet, por nuk duhet të jetë në qëllimin e opozitës që të përdoret çdo trillim vetëm për të demonizuar familjen e Kryeministrit. Fundja e fundit, kjo nuk është dhe aq shumë e rëndësishme, por më i rëndë është fakti se në raste të tilla humbasin të gjithë shqiptarët që me të padrejtë cënohen në imazhin e tyre.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›