Mërziten fansat e Julian Dedës, për eliminimin nga konkurrimi
Eliminimi i Julian Dedës nga gara e “Dancing with the stars” gjatë spektaklit të së enjtes, duket se nuk pritej nga vetë artisti, po ashtu as nga fansat. Aktori i humorit ka marrë shumë komente në profilin e tij në facebook, ku fansat shprehen të zhgënjyer dhe të mërzitur për largimin e tij nga gara. Poshtë statusit të tij ku thuhet: “Përfundoi aventura ime në “Dancing with the stars”, ju falenderoj me gjithë zemër për votat dhe për fjalët e mira që keni thënë për mua”, fansat kanë komentuar duke u shprehur se në një farë mënyre nuk e prisnin. Julian Deda së bashku me balerinën Ledia, kërcyen për javë të tëra numra të ndryshëm baleti. Dukej se aktori i “Apartamentit 2XL” kishte hyrë në garën e vallëzimit të personazheve të njohur me ambicien për të fituar. Gjatë kësaj periudhe, ai arriti të humbte 20 kg nga pesha e tij, duke arritur një formë të mirë trupore. Gjatë netëve të spektaklit, ai u dallua për nota të theksuara të humorit, si dhe nuk e fshehu që qëllimii tij kryesor, përveç sfidës profesionale, ishte të fitonte patjetër 50 mijë eurot që janë vënë në dispozicion të fituesit.