Mes këngës e valles, Vlora hap zyrtarisht sezonin turistik 2025. Dredha: Aktivitete edhe në muajt në vijim

Vlora, e cilësuar si perla e rivierës shqiptare, ka hapur zyrtarisht sezonin turistik 2025, edhe pse turizmi nuk është ndalur gjithë vitin në qytetin bregdetar.
Në një koncert madhështor në bregun e detit, nën ritmet e muzikës, këngëve dhe valleve, si edhe me pjesëmarrjen e disa prej artistëve më të njohur shqiptarë dhe grupeve të huaja artistike, qyteti bregdetar i Vlorës çeli mbrëmjen e djeshme zyrtarisht, sezonin turistik 2025.
Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, në një intervistë në media, foli për nisjen e sezonit turistik në qytetin bregdetar, ndërsa u shpreh se aktivitetet sportive gjithashtu nuk do të mungojnë.
Dredha, u shpreh se aktivitetet hapëse të sezonit turistik nisin me “Miss Summer World”, ku përpos koncertit madhështor i cili u mbajt të shtunën në mbrëmje, janë parashikuar edhe plot aktivitete të tjera përgjatë gjithë Lungomares.
Koncerti kulmoi me një spektakël të jashtëzakonshëm fishekzjarresh, ndërsa surpriza të tjera i presin sot qytetarë vlonjatë dhe turistët e shumtë që ndodhen në këtë qytet bregdetar.
Edhe ditën e sotme, në Vlorë do të vazhdojnë aktivitetet artistike në kuadër të çeljes zyrtare të sezonit turistik për këtë vit, ndërsa pjesë e ofertës turistike janë edhe muzetë, kultura, kulinaria dhe tradita në të gjitha dimensionet e saj.
“Ky është një promovim i Vlorës me të gjitha vlerat e saj, jo vetëm për ti dhënë gjallëri qytetit bregdetar por edhe për të mirëpritur pushues e turistë”, tha kryebashkiaku Dredha.
Vlora ka atraksione arkeologjike dhe fshatrat përreth që ofrojnë mjedise shumë tërheqëse.
/rtsh.al/