E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mes urimeve për festën e Bajramit

Pas 30 ditëve të Ramazanit, pastrimit të shpirtit, stomakut dhe mendjes, besimtarët myslimanë festuan Bajramin e Madh. Rroba të reja, shtëpi të sistemuara dhe zbukuruara, gatime dhe ushqime të përgatitura enkas për këtë ditë, kanë qenë në qendër të vëmendjes gjatë ditës së djeshme. Por më shumë se gjithçka më të rëndësishmet kanë qenë urimet e përzemërta të Bajramit. Mes tyre veçohen: "mbarësi", "gëzuar", "të pranoftë Zoti Agjërimin", "paqe dhe begati", "Gëzuar Bajramin". Urime, por jo vetëm urime, mesazhe në telefon, por edhe vizita te të afërmit miqtë, komshinjtë dhe te besimtarët. Lutje përgjatë gjithë natës, në orare të caktuara në xhamitë e qytetit. Grumbullim parash, ushqimesh, veshjesh për të varfrit e regjistruar në xhami dhe ftesa për drekë dhe darkën e Bajramit. Nga ana tjetër, amvisat për këtë festë kanë gatuar pjata të veçanta, me bazë mishin e viçit, ëmbëlsira dhe pjata të bollshme enkas për këtë ditë të veçantë.

Shtëpitë kanë qenë të pastruara, me punë të mbaruara, kush ka pasur mundësi edhe i ka lyer ato. Sipas rregullave të shkruara në librin e shenjtë, një besimtar duhet të jetë i pastër, të ketë higjienë vetjake dhe të kujdeset për ushqimin që ha dhe ambientin ku jeton.

Lypësit

Një "ritual" pothuajse i zakonshëm në festat e Bajramit, përgjatë muajit të Ramazanit apo edhe në të ashtuquajturat "net të mira" është bërë zakon që në xhamitë e qytetit të rreshtohen lypësit që kërkojnë lëmoshë, që duan me domosdo para nga qytetarët, sepse nga besimtarët që i dinë rregullat nuk përfitojnë asnjë qindarkë, përveçse ndonjë pjatë të ngrohtë për t‘u ushqyer. Besimtarët e dinë që në librin e shenjtë kërkohet që sevapi të bëhet për ushqim, rroba e veshmbathje, kërkohet që sevapi të jetë i dobishëm dhe jo të shkojë për duhan, alkool apo për rituale të padobishme, siç është edhe darovitja me para për daullet në ditët e Ramazanit. Dje, në xhaminë në qendër të qytetit, më shumë se 8 lypës kishin rrethuar derën e këtij institucioni. Besimtarët nuk i largonin, por edhe nuk u jepnin para. Përballë xhamisë së madhe në rrugën e Pallatit të Kulturës, lypës të tjerë qëndronin ngjitur e ngjitur, duke kërkuar lëmoshë nga kalimtarët e nga ata qytetarë që në ditën e Bajramit kërkonin të bënin sevap, si për të "justifikuar" veten në ditën e festës së madhe. Dikush 10 lekë, dikush 20, dikush edhe më shumë. Fitimet e lypsarëve në ditën e Bajramit kanë qenë më shumë se 2 mijë lekë të reja përgjatë orëve të paradites.

Turistë në xhami

Xhamia qendrore, xhamia në rrugën e Kavajës, apo xhamia në Urën e Tabakëve kanë qenë dje tre më të frekuentuarat jo vetëm nga besimtarët myslimanë, por edhe nga vizitorë të huaj. Ata dukeshin që nuk i përkisnin fesë myslimane, pasi habiteshin kur shikonin besimtarët që hiqnin këpucët. Përpiqeshin t‘i kopjonin e më pas futeshin në xhami, për të parë se si ishin të ndërtuara ato. Besimtarë apo punonjës të xhamisë i ndihmonin, duke i treguar për xhaminë, duke i shpjeguar ritualet, mbi rregullat e shkruara në librin e shenjtë, mbi besimin mysliman dhe mbi festën e bajramit e 30 ditët e Ramazanit. "Ka pasur shumë të huaj sot, të tjerë do të vijnë, besimtarët janë lutur përgjatë gjithë natës, do të kthehen sërish", tha një besimtar në xhaminë e kryeqytetit. Shumë i kënaqur për vizitat e të huajve, për faljet dhe lutjet e besimtarëve kanë uruar dje të gjithë vizitorët e xhamisë, vëllezërit dhe motrat, të afërmit dhe të dashurit: "Gëzuar festën e Bajramit", "Mbarësi, paqe dhe mirësi për të gjithë shqiptarët".

Festa e Bajramit, e përkthyer nga arabishtja, do të thotë: gëzim dhe hare. Por nuk ka rëndësi kjo më tepër sesa termi pararendës: Fitër. Kjo fjalë vjen nga arabishtja dhe në origjinal i thuhet fitre, që ka kuptimin e foshnjës që sapo ka dalë në jetë. Në doktrinën islame, nuk pranohet mëkati i trashëguar. Përkundrazi, njeriu lind i pastër, (pra fitre), e jeta më pas i kalon në trazime, si pasojë e gjynaheve që janë të pashmangshme për nga natyra njerëzore, ndërsa me anë të besimit në Zot, këto gjynahe zvogëlohen e pastrohen me pendim e lutje.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›