Mes violinës dhe kudhrës së një kovaçi
REPORTAZH/ Në shtëpinë e Ibrahim Kovaçit, njeriut që di të punojë hekurin dhe t'i bjerë violinës nëpër dasma
Është një e diel dimri. Makina gjarpëron në rrugën e mbushur plot gropa që të çon në fshatin Rëmbec vetëm16 km larg qytetit të serenatave. Është një fshat i vogël, në mes të fushës së Korçës. Me t'u ndalur makina jonë, pranë na afrohen shumë fshatarë të cilët posa marrin vesh se kemi lidhje me shtypin e shkruar, na njoftojnë se ka muaj të tërë që në rubinetat e dy çezmave të vetme të fshatit nuk rrjedh asnjë pikë uji.
Ankohen se tubacionet e rrjetit të ujësjelljellësit janë krejtësisht të amortizuara, se kanë shumë nevojë për ujë... Kështu, mes etjes së tyre marrim vesh edhe adresën e Ibrahim Kovaçit, i cili na ka sjellë në këtë fshat të mbushur me rrugë plot baltë dhe vetëm me dy çezma të boshatisura në qendër të tij.
Violina
Një zjarr i madh është mikpritësi i parë që të fton aq butësisht tek pragu i familjes Kovaçi. Zjarri ka mbledhur rrotull gratë e familjes, të cilat ulur anës flakëve gjigante lëvizin shtizat duke thurur çorape, që krijojnë një harmoni tingujsh që shkon aq mirë me kërcitjen e flakëve që purpurojnë fytyrat e familjarëve, të cilët të ftojnë në shtëpi posa të takojnë.
- Po bëjmë qymyrin e kovaçanës, - thotë me një theks verior nusja.
- Të dyja nuset e djemve Ibrahimi i ka nga Veriu i Shqipërisë, - na thotë shoqëruesi.
Dhe ja, përballë nesh ndodhet personazhi për të cilin kemi bërë gjithë atë rrugë. Janë duart e mëdha e plot kallo që flasin për një jetë të tërë plot punë, duke u ndeshur me hekurin. E pyesim për shëndetin dhe ai na tregon se para pak kohësh ka dalë nga spitali, ku është operuar nga një sëmundje që e kishte mërzitur shumë dhe se tani, edhe pse pak i lodhur, ndihet mirë.
-Më kanë shërbyer mirë. Të gjithë mjekët më njihnin, më pyesnin për violinën, - thotë ai.
Kërkesës sonë për të parë instrumentin që e ka bërë të famshëm tek të gjithë, Ibrahimi i përgjigjet duke na treguar violinën e tij të dashur dhe duke thënë se i mungonte një tel. Ajo ishte shumë e përdorur, por kjo vetëm nga pamja. Kur Ibrahimi filloi të luajë, edhe pse me një tel mangët, melodia e saj ishte e ëmbël dhe tepër "e re".
Ajo u kthye në një instrument virtuoz si vetë i zoti i saj. Ibrahimi tregon se si kish filluar rrugën e muzikës së bashku me violinën e tij.
- Të gjitha e dasmat e fshatit, të fshatrave përreth, madje të gjithë krahinës i ka bërë ky hark dhe kjo violinë. S'ka nuse dhe dhëndër që të mos ketë kërcyer nën tingujt e saj, - thotë ai.
Ibrahimi fillon të tregojë për festivalet, për çmimet, për xhelozitë, nga të cilat nuk kishte vuajtur pak. Pasi interpretoi dhe la të çlodhej violinën mbi divanin e tij, 73-vjeçari filloi të tregojë për pasionin tjetër, pasion që i kishte dhënë mbiemrin dhe kishte ardhur tek ai pas një trashëgimie shumëvjeçare.
Kovaçi
Ibrahimi ka trashëguar profesionin e kovaçit prej gjyshit dhe babait të tij. E ndërsa violinën e trajtonte si një pasion plotësisht të realizuar, për profesionin e dytë ai fliste me pasionin e një dëshire ende të parealizuar... ende të pashpallur.
Ibrahimi që në rini ka luajtur me hekurin ashtu si luanin me lodrat bashkëmoshatarët e vet. Në mënyrë krejt autodiktate ai njeh shkëlqyeshëm jo vetëm tabelën e Mendelejevit, por akoma më tej ai kish arritur rezultate të shkëlqyera në përpunimin e hekurit dhe të llojeve të ndryshme të metaleve, rezultate dhe shpikje të tilla që linin pa mend këdo.
Ai ka realizuar ngjitje metalesh që shkenca nuk i ka arritur ende. Ka arritur një fortësi të tillë metali të barabartë me diamantin. Para syve tanë, Ibrahimi me një gozhdë, e cila kishte fortësinë e diamantit me lehtësi të madhe arriti të presë një copë xham.
Historitë e çudirave, artisti i moshuar vazhdon e vazhdon të na i tregojë. Nga ato që janë aq shumë, mund të veçojmë takimet në kohën e rinisë me Mehmet Shehun apo bisedat telefonike me Enver Hoxhën, të gjitha këto lidhen me talentin e tij prej shpikësi metalesh.
Gjithmonë për Ibrahimin, hekuri ishte dhe është një botë çudirash.
Madje, çuditë e metalit vazhdojnë për të edhe sot, si atëherë kur ishte vetëm 15 vjeç dhe shkonte të punonte tek baba Muharremi, që kishte mësuar zanatin e tij tek usta Çili, një nga kovaçët më të dëgjuar të kohës.
Kovaçi i famshëm na tregon se si në kohën e diktaturës në fshatin e tij ishte prishur ingranazhi i makinës së korrjes së grurit. Sapo e zëvendësonin ingranazhin me të ri, ai shtypej. Kryesia e kooperativës i kërkoi ndihmë familjes Kovaçi. Ibrahimi me "magjinë" e tij temperoi në mënyrë të tillë detalin sa ai rezistoi edhe tre vjet të tjera, gjë që ia shtoi famën. Sipas tij, ngjitja e aluminit me kallaj ishte dhe është e pamundur, por ai këtë e ka arritur.
Gjatë "lojërave" të tij me metalet, si shkrirjen e tyre, Ibrahimi tregon se si midis shumë "aventurave" gjatë një eksperimenti ishte çliruar lëndë radioaktive, gjë që e kishte vënë me të vërtetë në siklet jo vetëm atë, po dhe mjeken e fshatit, e cila e kishte propoganduar shpikjen e tij tek specialistët dhe udhëheqja e asaj kohe duke u ndier krenare për bashkëfshatarin e saj.
Midis realizimeve të tij ai nuk harron të përmendë edhe prodhimin e amalgamit të dhëmbëve. Amalgami i shpikur nga ai i kishte rezistuar kohës tek dhëmbët në mënyrë të përkryer. Nga fundi i bisedës, Ibrahimi shprehet se ndihet i zhgënjyer, sepse arritjet e tij, të cilat i konsideron unike në rang botëror, kanë mbetur vetëm në kuadrin e thashethemeve dhe të "krenarisë" që ai ndien. Ibrahimi do që arritjet e tij t'u shërbejnë të gjithëve dhe të publikohen sa më parë...
Me këtë dëshirë që ai e quan një ëndërr të bukur që do t'ia zgjatë më tepër jetën, largohemi nga familja Kovaçi, ku na mbeti në mendje kudhra e tij e thjeshtë në një cep të oborrit të tij të madh dhe bashkë me kudhrën na mbeti në mendje edhe etja e njerëzve për ujë në fshatin Rëmbec, i cili brenda tij mban dhe ka një vlerë të papërsëritshme me emrin Kovaç.