Ndahen apartamente për familjet e pastreha
TROPOJË
Tregu, jashtë standardeve higjieno-sanitare
TROPOJE - Në çdo rrugicë, trotuar apo lagje të qytetit të Bajram Currit ndeshemi veçse me tezga te mbushura me produkte të ndryshme ushqimore, që nga zarzavatet, frutat, perimet e deri tek bulmetrat, si: gjalpi, djathi, qumështi, të cilat tregtohen në çdo stinë të vitit jashtë, në shi, mes baltës, borës, erërave apo ngricave.
Tregtimi i këtyre produkteve jetike për qytetarët vazhdon të mbetet një problem shqetësues, i cili rëndon shumë në shëndetin e konsumatorit, e kryesisht tek fëmijët, - thonë specialistët e shëndetësisë. Por duhet theksuar se edhe drejtoria e bujqësisë dhe ushqimit, e sektori përkatës në bashki, mban përgjegjësinë e saj për kontrollin dhe bllokimin e shitjes jashtë kushteve higjieno-sanitare, e cila ka bërë fare pak kontrolle, për të mos thënë fare apo bllokuar tregtarët që shesin jashtë standardeve ligjore.
Problem mbetet therja e bagëtive, ku ndonëse në mbledhjet e këshillit bashkiak është diskutuar shpesh për ndërtimin e një thertoreje, duke iu përshtatur kushteve bashkëkohore, ende therja e bagëtive bëhet jashtë standardeve, pa folur për kulturën e këtij shërbimi ndaj konsumatorit. Para disa vitesh, me një fond të miratuar nga bashkia filloi ndërtimi i tregut të qytetit, por ai mbeti përgjysmë e ndonëse kanë kaluar vite e janë shpenzuar fonde, ai mbetet i papërfunduar.
Shitja e këtyre produkteve në kushte jashtë çdo parametri higjieno-sanitar, bëhet burim i rrezikshëm për përhapjen e sëmundjeve të ndryshme ku shumë qytetarë ankohen për fëmijët, të cilët kanë probleme shëndetësore. Ata ankohen edhe për shitjen e produkteve ushqimore në këto kushte të papërshtatshme higjienike. Vetë tregtarët shprehen se shesin në këto kushte, pasi nuk kanë mundësi të tjera.
"Kërkojmë të ndërtohet tregu dhe të paguajmë rregullisht taksat dhe detyrimet, sepse ne paguajmë edhe tani rregullisht, bile më shumë se detyrimet e caktuar nga bashkia. Pronarëve të truallit iu paguajmë sa të thonë, se përndryshe nuk na lejojnë të tregtojmë",- thonë tregtarët. Ndërkohë, punonjësit e bashkisë shprehen se këtë vit është planifikuar të ndërtohet thertorja dhe përfundimi i tregut ushqimor.
------------------------------------------------------------------------------
SHKODËR/ Ngrihet komisioni për vlerësimin e familjeve që kanë më shumë nevojë për strehim
SHKODËR - Ndarja e 40 apartamenteve të reja për familjet e pastreha në qytetin e Shkodrës ka bërë që këshilli bashkiak të ngrejë një komision për verifikimin dhe vlerësimin e familjeve që kanë më shumë nevojë për strehim, të cilat do t'i paraqiten për votim këtij këshilli. Sipas sekretarit të komisionit të ngritur nga këshilli bashkiak i Shkodrës, Agim Halluni, janë 40 apartamente banimi në një pallat të vetëm të ndërtuar nga enti i banesave, të cilat do të ndahen për të pastrehët, ndërsa pranë bashkisë Shkodër janë të regjistruar 1400 familje të pastreha.
Halluni thotë se ato familje që kanë paraqitur kërkesa së bashku me dokumentacionin përkatës, do t'i nënshtrohen verifikimit dhe vlerësimit nga komisioni përkatës. Pas verifikimit të gjendjes aktuale, do të përcaktohen dhe rastet më emergjente. Sipas Hallunit, përparësi do të kenë familjet që kanë statusin e grupit A , pra që jetojnë në shtëpitë e ish-pronarëve, familje të cilave u është djegur apo shembur shtëpia, si dhe familje të cilat kanë mundësi financiare për të paguar këstet e vlerës së apartamenteve që do t'u ndahen.
Nga ana tjetër, vetëm 40 apartamente për 1400 familje të pastreha janë shumë pak për zbutjen e këtij problemi madhor në qytetin e Shkodrës. Numrin më të madh të familjeve të pastreha në këtë qytet e përbëjnë ato që jetojnë në shtëpitë e ish-pronarëve dhe që përballen me amortizimin e madh të ambientit ku jetojnë, ku nuk ndërhyjnë dot për të bërë rikonstruksion as ata vetë dhe as pronarët e ligjshëm.
Banesa të tilla ka në çdo lagje të Shkodrës, pa folur për ato familje që janë shtuar në numër nga martesat e vazhdojnë të jetojnë në hyrjet e pallateve të dikurshme apo për jetimët që jetojnë ku të mundin ose në konviktet e shkollave të mesme. Përveç pallatit me 40 apartamente, pritet të ndërtohet dhe një pallat tjetër po me aq hyrje.
Shpresa për të pastrehët shkodranë duket se janë banesat sociale, të cilat thuhet se do të ndërtohen me fondet e shtetit austriak, ku bashkia Shkodër do të jetë partnere. Ky është një projekt që është zbatuar nga Austria në vende si Mali i Zi, Rumani e Bullgaria dhe që ka shfaqur interes për ta zbatuar dhe në Shqipëri, ku projekti pilot do të realizohej në Shkodër.
Bëhet fjalë për rreth 150 apartamente banimi, të cilat do të ndërtohen me fonde të dhëna nga shteti austriak me kredi të butë dhe afatgjate, dhe bashkia është partnere. Burime nga bashkia Shkodër sqarojnë se për 10 vjet familjet që do të strehohen në këto banesa do të jetojnë me qira në to, dhe këtë qira do ta marrë Bashkia e Shkodrës.
Më pas ato kanë të drejtën e blerjes së apartamentit ku jetojnë duke zbritur amortizimin. Bashkia do të përzgjedhë ato familje që do të jetojnë këtu, duke pasur parasysh që të strehohen ato familje që kanë mundësi ekonomike të paguajnë qiranë.
Por ndërsa pritej që në shtatorin e vitit të kaluar shteti austriak dhe ministria përkatëse shqiptare të bien dakord, pasi nga dikasteri i punëve publike, transportit e telekomunikacioneve dhe enti i banesave duhet të mbulohet një pjesë e kredisë, ndërsa rreth 60% e saj mbulohet nga shteti austriak, kjo nuk ka ndodhur dhe banesat sociale nuk duken të kenë filluar gjëkundi.