Mesatarja mbi 6, kriter pranimi në Inxhinierinë Matematike dhe Fizike
Jonida Tashi
Mesatarja mbi notën 6 do të jetë kriter pranimi në Fakultetin e Inxhinierisë Matematike dhe Fizike pranë Universitetit Politeknik. Këtë vit, për herë të parë, drejtuesit e Politeknikut, propozojnë që të respektohet nota mesatare, për pranimet e studentëve të rinj në degët Inxhinieri Matematike dhe Inxhinieri Fizike. Kjo do të thotë se maturantët, që mesataren e lëndëve të formimit bazë e kanë më pak se nota 6, nuk do të kenë të drejtë të ndjekin studimet në Fakultetin e Inxhinierisë Matematike dhe Fizike pranë Universitetit Politeknik në Tiranë.
Mesatarja
Shkak për vendosjen e mesatares mbi 6 si kriter pranimi janë bërë problemet e hasura gjatë viteve të fundit, ku në shumë fakultete janë pranuar maturantë që nuk kanë pasur njohuri për degën që do të studionin. Kjo edhe për faktin se në disa degë të fakulteteve të Universitetit Politeknik, ndjekin studimet studentë që nuk kanë mundur të fitojnë të drejtën për të studiuar në një degë tjetër. Deri tani, nuk dihet ende nëse edhe universitete të tjera të vendit do të vendosin mesataren si kriter pranimi për të ndjekur studimet e larta. Por edhe kriteri i mesatares që propozon Universiteti Politeknik, do të jetë i vlefshëm vetëm nëse miratohet nga Ministria e Arsimit.
Arkitektura
Ndryshe nga maturantët që do të zgjedhin degë të përgjithshme për të vijuar shkollën e lartë, të rinjtë që do të konkurrojnë për Arkitekturë, duhet t’i nënshtrohen edhe një konkursi specifik, për t’u shpallur fitues. Kështu, pas përfundimit të maratonës së provimeve të Maturës Shtetërore, ata duhet të kalojnë me sukses edhe provën e konkursit special që organizohet nga vetë Universiteti Politeknik. Në programin e studimit Arkitekturë në Universitetin Politeknik të Tiranës raporti i rezultateve të Maturës me konkursin do të jetë në masën 35 për qind me 65 për qind, ku peshën kryesore do ta ketë konkursi i universitetit. Konkursi, i cili do të ketë 65 për qind të peshës së vlerësimit, do të jetë i vështirë si dhe do të bazohet në talentin e kandidatëve. Konkursi do të zhvillohet në tri faza, dhe baza e tij do të jetë talenti i maturantit në kompozimin e një objekti arkitektonik, njohuritë në vizatimin teknik, si dhe vizatimi i një objekti që kandidati e krijon vetë.
Konferenca e Rektorëve, ikën Kaçani vjen Kule
Rektori i Universitetit më të madh në vend, për nga numri i studentëve që është ai i Tiranës, Dhori Kule, do të drejtojë tashmë edhe Konferencën e Rektorëve. Gjatë zgjedhjeve të djeshme për kryetarin e ri të Konferencës së Rektorëve, me pjesëmarrjen e pjesës më të madhe të drejtuesve të universiteteve publike dhe private në vend, rektori i Universitetit të Tiranës, Prof.Dr.Dhori Kule, u zgjodh kryetar i ri i Konferencës së Rektorëve, duke zëvendësuar, ish-kreun e kësaj Konference, Jorgan Kaçani, i cili e ka drejtuar atë që prej muajit qershor të vitit 2008. Ish-kryetari i Konferencës së Rektorëve, që njëkohësisht ka qenë dhe është rektor i Universitetit Politeknik të Tiranës, Prof.Dr.Jorgo Kaçani, mblodhi dje në orën 10:00, në mjediset e Universitetit Politeknik, Konferencën e Rektorëve me qëllim zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarit të ri të këtij institucioni. Pas zgjedhjeve të zhvilluara, rezultoi se kryetar i ri i Konferencës u zgjodh Dhori Kule, duke fituar ndaj kandidatit tjetër, ish-kryetarit Kaçani. Ndërkaq, nënkryetar u zgjodh rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Adrian Civici. Pas shpalljes së rezultateve të votimit për zgjedhjen e kreut të ri të Konferencës së Rektorëve, Kule falënderoi kolegët e tij për nderin dhe përgjegjësinë që i dhanë, duke e vendosur në krye të institucionit më të lartë që mbron interesat e universiteteve publike dhe private në vend. Ai premtoi bashkëpunim të gjerë me të gjithë aktorët e arsimit të lartë, duke e vendosur theksin në rritjen e cilësisë së universiteteve dhe në reformat e reja në financimin e universiteteve publike.
Bibliotekat e shkollave, MASH nis punën për përzgjedhjen e librave
Ministria e Arsimit nis punën për përzgjedhjen librave që do të kenë bibliotekat e shkollave për vitin 2010. megjithëse për vitin aktual, nuk ka filluar ende realizimi i fondit të bibliotekave, pasi Ministria e Arsimit, është duke punuar për përmirësimin e procedurave të realizimit të këtij fondi, mbështetur kjo edhe në përvojën e viteve të kaluara. Burime nga kjo Ministri bëjnë të ditur se parimet kryesore mbi të cilat po realizohet një proces i tillë janë: titujt e rinj të librave t’i shërbejnë më mirë realizimit cilësor të programit mësimor si për nxënësit ashtu edhe për mësuesit; në bibliotekat e shkollave të përzgjidhen libra që përbëjnë vlera të njohura në fushat e dijeve njerëzore. Ministria e Arsimit synon që përveç librave që mbështesin programet e disa lëndëve bazë, veçanërisht Letërsia, Gjuha shqipe dhe Historia, bibliotekat e shkollave duhet të kenë kryeveprat dhe librat që i shërbejnë procesit të edukimit të nxënësve dhe atij të kualifikimit të mësuesve. Për këtë, MASH do të bashkëpunojë me studiuesit më të mirë në të gjitha fushat e shkencës për t’u rekomanduar shkollave, zyrave dhe drejtorive arsimore rajonale, veprat më të rëndësishme në përputhje me kriteret e përcaktuara dhe buxhetin e akorduar. Në vijimësi të studimit të kritereve, standardeve të tjera dhe përmirësimit të mëtejshëm të procedurave, Ministria e Arsimit, përmes Drejtorisë së Auditimit në këtë institucion, po verifikon në detaje zbatimin e të gjithë procedurave, me qëllim rritjen e objektivitetit dhe transparencës në përzgjedhjen e librit për bibliotekat e shkollave.
Shkencëtarët shqiptarë, të ftuar në universitetet e huaja
Dy pedagogë të Universitetit të Tiranës, Departamenti i Neurologjisë janë ftuar në dy prej universiteteve më prestigjioze në botë, Kembrixh dhe në Universitetin e Gjenevës, për të referuar punimet e tyre. Më konkretisht Dr.Gentian Kaloshi është i ftuar në Kembrixh në datat 05-09 prill 2010 në BTEC (Brain Tumor Consortium Epidemiology) për të referuar një nga punimet e tij me temë “Supratentorial loë-grade gliomas in elderly”. Ndërkohë, Prof.Mentor Petrela është lektor i ftuar nga Departamenti i Neuroshkencave të Universitetit të Gjenevës nga Prof.Karl Scholler më 5 maj 2010 për të referuar. Këto janë vetëm disa nga rastet kur pedagogë të njohur të Universitetit të Tiranës janë të ftuar në universitete prestigjioze ndërkombëtare, çka stimulon rritjen e cilësisë në arsimin e lartë vend, si edhe fuqizon programe si “Brain Gain”
Ujësjellësi i Tiranës do të nisë aksion për lidhjet e paligjshme
Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve në bashkëpunim me Policinë e Tiranës, do të nisë një aksion për ndërprerjen e të gjitha lidhjeve të paligjshme në rrjetin e Ujësjellësit, si dhe për arkëtimin e faturave dhe konsumatorëve debitorë të ujit. Ky aksion, i cili do të vijojë përgjatë muajve në vazhdim, do të mundësohet në sajë të një marrëveshje që ka nënshkruar dje Ndërmarrja e Ujësjellësit me Policinë e Tiranës, për të ndëshkuar të gjithë abuzuesit e ujit të pijshëm që vjen nga rrjeti. “Do të jetë një aksion i vazhdueshëm për pastrimin e linjave të transmetimit, për pastrimin e linjave të shpërndarjes, nga lidhjet e paligjshme dhe nga ata që e keqpërdorin ujin e pijshëm. Me këtë aksion ne do t’u mundësojmë qytetarëve të Tiranës që ta paguajnë ujin aq sa e konsumojnë, të kenë një furnizim akoma më të mirë”,- tha drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve në Tiranë, Sahit Dollapi.
22 Mars 2010