Nënë e bijë asfiksohen nga rrjedhja e gazit
DURRËS – Harresa për të mbyllur bombolën e gazit është kthyer në tragjedi. Nënë e bijë janë gjetur të vdekura mëngjesin e djeshëm në një banesë në Durrës si pasojë e asfiksimit nga rrjedhja e gazit. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se kanë gjetur vdekjen nga asfiksia shtetaset: Xhybrie dhe Sabrije Kabashi, respektivisht 94 dhe 57 vjeçe, banore në rrethin e Durrësit. Policia është njoftuar nga djali i kësaj familjeje, i cili ka shkuar dje në banesë, por ka gjetur trupat e pajetë të nënës dhe motrës së tij.
Ngjarja
94-vjeçarja dhe vajza e saj invalide kishin rënë për të fjetur si çdo natë në dhomën e tyre, por të nesërmen ato janë gjetur të pajeta në shtratin e tyre. Menjëherë pas zbulimit të dy viktimave polica e qytetit bregdetar ka mbërritur në vendngjarje nga ku ka nisur hetimet e para për të zbuluar shkaqet e vdekjes së tyre. Pas hetimeve të kryera policia dyshon se vdekja e dy grave ka ardhur si pasojë e asfiksisë nga gazi. Uniformat blu njoftuan se shtetaset Xhybrie Kabashi, 94 vjeçe dhe Sabrije Kabashi, 57 vjeçe, vajza e Xhybries, janë gjetur të pajeta në një prej dhomave në banesën e tyre. Trupat u zbuluan nga djali i familjes Kabashi, i cili, i tronditur, ka lajmëruar menjëherë policinë. Grupi hetimor dyshon se vdekja është aksidentale dhe se ka ardhur si pasojë e rrjedhjes së gazit të bombolave të ngrohjes. Duket se gjatë mbrëmjes gratë e kanë harruar hapur bombolën e gazit dhe më pas janë shtrirë për të fjetur, por pa mundur të zgjohen më kurrë. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe në bashkëpunim me prokurorinë po punon për sqarimin e rrethanave, ndërsa për trupat e dy viktimave ekspertiza mjeko-ligjore do të përcaktojë shkaqet e sakta të vdekjes.
Precedentët
Aksidentet që kanë ardhur si pasojë e rrjedhjes së gazit dhe nga asfiksia janë shtuar ndjeshëm kohët e fundit. Vetëm disa ditë më parë në Tiranë një shtëpi u përfshi nga flakët në momentin kur njëra prej banueseve të asaj shtëpie ndezi dritën. Ekspertët dolën në konkluzionin se shkak i këtij shpërthimi ishte rrjedhja e gazit, i cili u ndez në momentin kur çelësi i dritave u ndez. Për fat, në këtë rast nuk ka pasur viktima, por vetëm dëme materiale. Por raste të shumta të shpërthimit të bobolave të gazit ka pasur dhe në qytete të tjera të vendit.
Pranga dy personave, sekuestrohen 5 pistoleta
KUKËS – Trafikonin armë, pranga dy personave që iu gjetën 5 pistoleta. Fillimisht, policia e Kukësit, pas informacioneve të marra në rrugë operative ndaloi drejtuesin e një automjeti, 50-vjeçarin Safet Braha, pasi në automjetin e tij tip furgon, janë gjetur dhe sekuestruar 5 pistoleta të tipit “Zastava” të kalibrit 6.35 mm me nga një krehër me 5 copë fishekë.
Pesë pistoletat e tipit “Zastava” u gjetën të mbështjella me letër dhe sipër letrës kishin edhe një numër telefoni. Mësohet se Braha do të bënte vetëm transportimin e armëve, ndërsa poseduesi i tyre, siç rezultoi më pas, është Artan Sinamati, 38 vjeç, i cili po ashtu është vënë në prangat e policisë. Pas arrestimit të dy personave, Policia e Kukësit nisi menjëherë punë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë trafik si dhe për prejardhjen dhe destinacionin përfundimtar të këtyre armëve.
Shpallen fajtorë 10 shqiptarët e akuzuar për trafik droge
ITALI - Një gjykatë në Itali shpalli vendimin përfundimtar për një grup shqiptarësh të akuzuar për trafikimin e 100 kilogramëve heroinë. Lajmi u bë i ditur nga agjencia italiane e lajmeve “ANSA”, e cila pohoi se një shqiptar 40-vjeçar ka marrë dënimin maksimal. Ai jetonte bashkë me familjen në Çesena, ndërkohë që shkëputej vazhdimisht duke kryer trafikim dhe shpërndarje droge në Bolonja, Ferrara dhe Ravena. Nga dhjetë shqiptarë të akuzuar, të cilët u gjykuan në gjendje arresti, vetëm njëri prej tyre nuk është arrestuar, ndërsa gjithë të tjerët ndodhen në burg. Policia italiane tha se gjatë aktivitetit kriminal atyre u janë sekuestruar rreth 100 kilogramë heroinë, e trafikuar nga Shqipëria për t’u trafikuar dhe shpërndarë në Itali. Gjatë aksionit janë sekuestruar edhe 15 automjete të përdorura në krime nga shqiptarët. Sipas policisë, shqiptarët ishin të kujdesshëm, ndërsa Prokuroria italiane po zhvillonte përgjimin e bisedave të tyre gjatë veprimtarisë së trafikut. Hetuesit mësuan se disa prej anëtarëve të bandës kishin në përdorim deri në tri karta SIM që i përdornin në momente të caktuara për të shmangur përgjimin e bisedave të tyre.
Babai i viktimës: “Romeo ishte shok me djalin tim”
Babai i Renato Krasniqit, të riut që u vra në Greqi këtë fillim marsi nga autori i pengmarrjes së dy ditëve në Tiranë, Romeo Leka, kërkon drejtësi për vdekjen e djalit të tij. “Nga shteti shqiptar kërkoj që deri në pikën e fundit krimineli të më paguajë gjakun e djalit”, – është shprehur ai në një prononcim të dhënë për mediat. Pasi është thirrur në polici për të dëshmuar rreth krimit, ai ka dhënë detaje rreth njohjes së djalit të tij, autorit të krimit dhe shokut të tyre që mbeti i plagosur, Kleo Kaci, i cili rezulton dhe dëshmitari i vetëm i vrasjes. “Më është vrarë djali në Greqi më 8 mars të 2010-s në dhomë nga një kriminel, Romeo Leka. Djali ka qenë në dhomë bashkë me një shokun e tij që ka qenë i plagosur dhe më ka njoftuar mua për atë që ndodhi. Romeo Lekën e kam njohur në fotografinë që më kishte sjellë vajza, ku ishin të gjitha sendet personale të djalit tim. Nga ajo foto pashë që ishte i njëjti person që ka vjedhur bankën. Ai ishte shok me djalin tim, pinin kafe bashkë. Djali im e ka mbajtur me bukë, se Romeo ishte pa punë. Nga dëshmia që ka dhënë shoku i djalit, Romeo Leka njihet si një person me precedentë penalë edhe në shtete të tjera si një njeri i rrezikshëm”, – thekson babai i viktimës. Në dëshminë e tij, babai i viktimës, Islam Krasniqi, mësohet të ketë thënë se gjithë shkaku i ngjarjes ka qenë një borxh prej 300 eurosh që Romeo Leka i kishte shokut të tij.
Ndërkohë që ngjarja e dy ditëve më parë ka tronditur gjithë opinionin publik vendas, atë ndërkombëtar, por edhe banorët e fshatit Trezh në Lezhë, aty ku siç mësohet, është edhe origjina e 25-vjeçarit Romeo Leka. Romeo Llesh Leka, protagonist i kësaj ngjarjeje, siç u deklarua edhe nga Policia e Tiranës, është me origjinë nga Lezha dhe me një vendbanim të papërcaktuar. Të afërm të tij në fshatin Trezh të Lezhës pohojnë gjithashtu se nuk e kanë parë Romeon dhe familjen e tij që prej 15 vitesh, kohë nga emigrimi në SHBA. Madje njëri prej kushërinjve të afërt të tij, Rrok Leka, deklaron se ka afro 15 vite që nuk e ka parë Romeon, pasi që në moshën 10-vjeçare, ai, së bashku me familjen, kanë emigruar në SHBA.
22 Mars 2010