Krimi i rrugës sfidon rendin; qytetarët, viktima
Thimi Samarxhiu
Bankat, kazinotë, autobusët, shtëpitë, por edhe rruga, janë kthyer në “vend-punësimet” e grabitësve. Shpeshherë të pamaskuar dhe me armë në dorë, djem të rinj ushtrojnë aktivitetin e tyre kriminal kudo dhe kurdo. Tashmë duket sikur ata e kanë mposhtur frikën e policisë dhe ankthin e arrestimit, pasi veprojnë në mes të ditës me diell dhe në zonat më të populluara të qyteteve. Polica, edhe pse ka ndërmarrë një sërë masash, nuk mundet kurrsesi të parandalojë atë që rëndom quhet “krimi i rrugës”, i cili është konsideruar si ndër më brutalët dhe më të dhunshmit. Këta të rinj, duke kërkuar rrugën më të shkurtër për t’u pasuruar, kthehen në elementët më të rrezikshëm të botës kriminale, pasi mosha e tyre e re bën që me një armë në dorë ata të shndërrohen në “makina të vërteta vrasëse”.
Grabitësit e shkollave
Adoleshentët janë kthyer në makthin e vërtetë të policëve, pasi ata janë gjithnjë në përpjekje të vazhdueshme për të marrë stafetën e drejtimit nga personat më të rritur dhe, në këtë mënyrë, ata, gjithnjë e më shumë kryejnë grabitje, por ka raste që aktiviteti i tyre kalon përtej grabitjes së thjeshtë. Nuk janë të pakta rastet kur këta të rinj kryejnë dhe plagosje të bashkëmoshatarëve të tyre. Tashmë edhe në Shqipëri janë krijuar të ashtuquajturat “bandat e lagjeve”, anëtarë të të cilëve kryesisht janë të rinj të moshave 15-25 vjeç. Këto grupe zgjedhin territore të përshtatshme për të kryer aktivitetin e tyre kriminal, si shkolla, qendra tregtare ose zona ku ka përqendrim të madh biznesesh. Gjahu i preferuar i grabitësve adoleshentë janë kryesisht nxënësit e shkollave 9-vjeçare. Këta të rinj, që në shumicën e rasteve qëndrojnë në grup prej 3-4 vetash dhe ku secili ka nga një thikë (flutur) në xhep, vendosen pranë shkollave dhe sulmojnë nxënësit duke u grabitur atyre kryesisht telefonat celularë, por edhe paratë që mund të kenë në xhep. Një numër i madh rastesh të tilla denoncohen çdo ditë në komisariatet e vendit, por të pakta janë arrestimet, pasi këta të rinj, në shumicën e rasteve, pasi i kanë grabitur nxënësit, vazhdojnë t’i kërcënojnë ata që të mos tregojnë.
Grabitësit e pallateve
Ashtu si grabitësit e shkollave, edhe kjo kategori grabitësish është përhapur ndjeshëm kohët e fundit. Grabitësit veprojnë zakonisht në orët e mbrëmjes, të cilat janë dhe më të favorshmet për t’u fshehur dhe për të arritur të largohen në kohë.
Kryesisht këta grabitës qëndrojnë në grupe të vogla me 2-3 persona dhe vendosen në cepa të errëta të pallateve ose në hyrje të tyre dhe qëndrojnë në pritje të kalimtarëve. Ndryshe nga grabitësit e shkollave, të cilët përdornin vetëm presionin ndaj nxënësve, kjo kategori, në rast se viktima i bën rezistencë, përdorin dhe dhunë ndaj tyre. Këta grabitës synojnë të sulmojnë femrat, duke ua marrë atyre çantat me dhunë. Pjesa më e madhe e tyre vendosen në zonat periferike të qyteteve, ku dhe ndërhyrja e policisë në kohë është thuajse e pamundur.
Grabitësit e autobusëve
”Xhepistët”, siç njihen në gjuhën e përditshme, janë shndërruar në makthin e udhëtarëve të linjave urbane. Këta grabitës qëndrojnë në stacione autobusësh dhe hynë në aksion në momentin kur udhëtarët janë duke hipur në autobus. Ndryshe nga dy kategoritë e para, hajdutët e autobusëve veprojnë vetëm. Në pjesën më të madhe të rasteve ata mbajnë në dorë një xhup ose një xhaketë, me të cilën mbulojnë çantën e viktimës dhe kryejnë grabitjen. Një tjetër taktikë e ndjekur nga këta grabitës është dhe ngjeshja me pasagjerët për të eliminuar sa më shumë ndjeshmërinë e tyre në momentin kur dy gishtat e grabitësit gjenden në xhepin e viktimës. Ka nga ata grabitës që nuk hipin në autobusë, pasi brenda tij rreziku për t’u zbuluar është shumë më i madh. Ata qëndrojnë gjithë kohës në stacione autobusësh dhe shfrytëzojnë ato pak sekonda ku udhëtarët janë duke u ngjitur në autobus, për t’i vjedhur portofolat ose telefonat celularë. Nuk janë të pakta rastet kur edhe vetë faturinot janë bashkëpunëtorë të grabitësve, por ka dhe nga ata që në momentin e parë që shohin një “xhepist” të hipi në autobus, lajmërojnë nën zë udhëtarët që të jenë të kujdesshëm.
Grabitësit e rrugës
Përveç vëmendjes, kësaj kategorie grabitësish i duhet të jetë dhe e shpejtë, në mënyrë që të largohen menjëherë sapo kanë kryer grabitjen. Grabitësit e rrugës veprojnë zakonisht në rrugët me shumë lëvizje ku dhe mundësitë për të “peshkuar” diçka janë më të mëdha. Këta grabitës piketojnë viktimën e tyre dhe gjejnë momentin më të përshtatshëm për ta sulmuar atë. Varëset e qafës, por edhe çantat e dorës janë gjahu i tyre. Pasi e ndjekin një farë kohe viktimën, ata e sulmojnë atë në pak sekonda dhe më pas zhduken në rrugët dhe rrugicat e qytetit për t’u drejtuar më pas në një nga pikat ku mund të shesë atë çka i ka grabitur nga qafa personit.
Grabitësit e varreve
Varret gjatë gjithë historisë botërore janë konsideruar si vende të shenjta ku prehen në paqe ata që janë ndarë nga kjo botë. Por, për grabitësit varret janë vendet e tyre “të punës”. Thyerja e pllakave të mermerit dhe shkatërrimi i orendive zbukuruese, për t’i shitur më pas, janë veprimet që kryhen nga kjo kategori grabitësish. Bronzi, bakri dhe mermeri i varreve shiten më pas në tregje të ndryshme të qytetit. Edhe pse jo shumë e përhapur kohët e fundit, më parë kjo lloj grabitjeje ka qenë një ndër më problematiket për forcat e rendit.
Grabitësit e shtëpive
Për të qenë grabitës shtëpish duhet të plotësosh një nga dy kriteret më jetike për këtë kategori: zvarritja nëpër ballkone ose hapja e bravave të dyerve. Këta grabitës veprojnë në grupe prej 4-5 personash, ku secili e ka të mirëpërcaktuar detyrën e tij. Vëzhgimi i shtëpisë që do të grabitet është një ndër punët që u ha më shumë kohë atyre. Për ditë dhe orë të tëra ata ndjekin çdo lëvizje të pjesëtarëve të familjes dhe mbajnë shënime oraret e largimit të tyre nga shtëpia. Grabitësit e shtëpive, pasi kanë hapur derën e shtëpisë ose kanë hyrë nga ballkoni, vjedhin ç’të mundin duke mos bërë dallim mes orendive shtëpiake dhe bizhuterive. Ata kthejnë përmbys gjithë shtëpinë me shpresën e gjetjes së parave dhe kur nuk i gjejnë ato, grabisin sendet që mund t’i shesin me lehtë në tregun e sendeve të përdorura.
Grabitësit e bankave
Një stazh i madh pune kriminel dhe një zotësi e pashoqe nevojitet për ata që quhen grabitës bankash. Nga të gjithë grabitësit, duke filluar që nga “xhepistët” e deri te hajdutët e shtëpive, grabitja e një banke është ëndrra e tyre.
Grabitësit e bankave në Shqipëri kanë filluar që dita-ditës të kopjojnë stilet dhe metodat e përdorura në vendet e Perëndimit. Edhe pse numri i grabitjeve të bankave po vjen në rritje, kësaj gjëje nuk i përputhet numri i arrestimeve për këtë vepër penale. Pas një kohe të gjatë vëzhgimi dhe studimi të ambienteve, por edhe të elementeve të sigurisë të bankës, grabitësit nisin hartimin e planit të tyre të veprimit. Kryesisht oraret më të preferuara nga ata për të goditur janë mes orës 11:00-14:00, ku arkat e bankës nisin të mbushen. Me maska në kokë dhe me armë më duar ata hyjnë në ambientet e filialit të bankës dhe duke terrorizuar punonjësit dhe klientët, marrin nga arkat e saj sasi të konsiderueshme parash. Në kohën kur një ose dy grabitës gjenden brenda bankës, bashkëpunëtorët e tyre qëndrojnë jashtë për të kontrolluar situatën. Menjëherë pas përfundimit të grabitjes ata largohen duke humbur gjurmët me makina ose motor, duke i shpëtuar ndjekjes së policisë. Edhe pse sistemi i alarmit aktivizohet pothuajse në të gjitha grabitjet, në asnjë rast grabitësit nuk janë arrestuar sapo kanë dalë nga banka, por më e keqja është se ata nuk janë arrestuat asnjëherë, pavarësisht aksioneve të shumta të policisë dhe ngritjes së grupeve hetimore. Veprimi i parë që kryhet nga grupi hetimor është sekuestrimi i kasetave të kamerave të sigurisë së bankës, por në to nuk gjendet ndonjë informacion i dobishëm, pasi grabitësit janë të maskuar.
Grabitet tashmë shënojnë numri në të madh të krimeve të regjistruara në Shqipëri. Gjithnjë e më shumë të rinj i hyjnë kësaj rruge më ëndrrën e vetme për t’u pasuruar sa më shpejt, por kthehen në kriminelë që më vonë mund të jenë shumë më të rrezikshëm për shoqërinë. Frika për këta grabitës nuk ekziston më, pasi nëse deri disa vite më parë raportoheshin vjedhje të ndodhura në mes të natës, tashmë krimet kryen në mes të ditës dhe në zonat më të frekuentuara të qyteteve, duke sfiduar në këtë mënyrë policinë, e cila, pavarësisht aksioneve të shumta, dështon në arrestimin e tyre.
22 Mars 2010