E Diel, 1 Nëntor 2026

Lirohen 29 komandot shqiptarë në Afganistan, u rebeluan për pagën



Pas vlerësimeve të njëpasnjëshme për misionet shqiptare në zonat e konfliktit vijnë dhe problemet e mëdha. Burime në Ministrisë së Mbrojtjes kanë pohuar për mediat se janë përjashtuar 29 komando në Afganistan. Sipas tyre, lirimi i ushtarakëve shqiptarë është bërë me motivacionin për “Ulje të dinjitetit ushtarak në misione jashtë atdheut dhe rebelim kundër institucionit”. Vendimi është marrë pas rikthimit të atdhe të kontingjentit më të fundit, të cilit nuk i është rezervuar pritja e përhershme që u janë bërë komandove deri tani. Një ndëshkim i tillë vjen pas ankesave që misioni paqeruajtës i NATO-s u ka bërë autoriteteve shqiptare. Po ashtu, komandot tona janë ankuar në mënyrë të vazhdueshme për mënyrën e trajtimit që u ka bërë shteti shqiptar. Situata është komplikuar pas kërkesës që bëri administrata “Obama” në fazën e rimobilizimit të misionit ndërkombëtar në Afganistan, për përfshirjen e rreth 35 trupave tona në luftimet në terren.

Shkarkimi
29 nënoficerë të Regjimentit Komando, që kanë shërbyer me mision paqeruajtës në Afganistan, janë liruar nga ushtria. Sipas Top Channel, lajmi konfirmohet nga burime të besueshme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe një pjesë e ish-ushtarëve pjesëmarrës në misionin e fundit në Afganistan. Me të njëjtin motivacion, shtatë oficerë komandues të këtij misioni sapo janë kthyer në Shqipëri, janë ulur në grada dhe janë transferuar në reparte të tjera dytësore, pjesa më e madhe e tyre jashtë Tiranës. Madje, kësaj kompanie nuk i është ofruar as edhe pritje zyrtare me rastin e mbërritjes në atdhe.
Burime pranë Ministrisë së Mbrojtjes pohojnë se ndëshkimi i tyre ka ardhur pasi ushtarakëve u ndalohet rebelimi në grup, sikurse këta kanë vepruar gjatë kohës që ndodheshin me mision paqeruajtës. Në realitet, nuk bëhet fjalë për ndonjë rebelim të armatosur brenda strukturave të Ushtrisë, por për kundërshtime të pagës që u është dhënë e që, sipas ushtarakëve, nuk ishte e barabartë me atë që u ishte premtuar kur ishin nisur nga Shqipëria.

Ulja e pagës
Në kontratat e firmosura me Ministrinë e Mbrojtjes, komandot do të paguheshin 60 dollarë në ditë, pa përfshirë tatimet. Por, një vendim i qeverisë shqiptare për tatimin me 10 për qind të pagave ka mbërritur deri edhe në Afganistanin e largët, duke reduktuar pagesën e ushtarakëve shqiptarë në 54 dollarë në ditë.
Ushtarakët e kanë kundërshtuar tatimin e pagës së tyre duke kërkuar respektimin e kontratës së firmosur në Tiranë, duke refuzuar të dalin edhe në mision. Rebelimi i ushtarëve shqiptarë mësohet të ketë mbërritur deri në zyrën e kryeministrit Berisha, nga zyra e të cilit është propozuar rritja e pagesës për periudhën deri në përfundim të misionit.
Ata e kanë vazhduar misionin mes kundërshtive, kërkesave dhe refuzimit të herëpashershëm të kryerjes së shërbimit dhe sapo kanë mbërritur në Shqipëri, janë ndëshkuar me masa disiplinore. Kjo ka bërë që Komanda Qendrore e NATO-s të përcjellë ankesa në drejtim të autoriteteve zyrtare shqiptare për mosrespketimin e disiplinës në shërbim nga oficerët tanë.

Problemet
Ushtarakët shqiptarë në misionet paqeruajtëse janë përballur me probleme dhe ankesa të vazhdueshme deri tani. Ata janë ndër më të keqpaguarit, krahasuar me standardet që kanë ushtarët e vendeve të tjera anëtare të NATO-s. Para miratimit të vendimit të qeverisë për rritjen e pagave të forcave komando, ushtarakët shqiptarë me mision në Herati kanë bërë një peticion drejtuar qeverisë shqiptare. “Na rrisni pagesat nga 54 USD në 80 USD në ditë, në të kundërt, na ktheni në Shqipëri”. Ky ka qenë mesazhi që paqeruajtësit tanë i kanë dërguar ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami. Ushtarët shqiptarë në Afganistan duken të vendosur në vendimin e tyre për të kërkuar kthimin në atdhe nëse nuk trajtohen financiarisht për shërbimin që kryejnë në të vërtetë në Afganistan. “Të rrezikosh jetën në dhè të huaj për 54 dollarë, molto dhe qumësht me disa lloje çokollatash në mëngjes, një pjatë makarona në drekë dhe prapë makarona e mish pule në darkë”. Kjo është dieta ditore për një ushtar të Regjimentit të Trupave Komando në Herat. Norma ushqimore është shumë herë më e ulët edhe se norma ushqimore me të cilën ata trajtohen nga Forcat e Armatosura në Regjimentin e tyre në Zall-Herr. Shqetësimi bëhet akoma më i madh kur në bisedat e tyre me ushtarët e kontingjentit italian, përkrah të cilëve ata bëjnë shërbime, mësojnë se trajtimi është 180 euro në ditë dhe 20 euro të tjera plus për shpenzime ditore. Në muajin tetor të vitit të kaluar ushtarët e Regjimentit të Trupave Komando protestuan për kushtet e akomodimit të tyre në çadra aspak të përshtatshme, ku u vërejtën edhe raste të gripit të derrit (A/H1N1). Mediatizimi i çështjes solli interesimin direkt të ministrit të Mbrojtjes në atë kohë, Gazmend Oketa, dhe akomodimin e trupave të Ushtrisë shqiptare në disa kontejnerë të përshtatur në kapanone, sikurse edhe trupat e tjera ushtarake në bazë.
Disa javë më parë qeveria mori vendimin për shtimin e forcave shqiptare në misionin paqeruajtës në Afganistan. Shtimi i kuotave përfshinte edhe rritjen e forcave tona me misione luftarake në terren. Deri tani komandot shqiptarë kanë qenë në strukturat e misionit ndërkombëtar të NATO-s për patrullim dhe ruajtjen e bazave. Ata kanë qenë të përqendruar kryesisht në zonën e Heratit dhe janë në, drejtimin e misionit turk.

Besmir Sadikaj, komandoja shqiptar që u plagos në mision

Në muajin dhjetor u plagos në Afganistan edhe një paqeruajtës nga Shqipëria. Besmir Sadikaj, ushtari i Regjimentit të Trupave Komando, pjesë e “Electoral Contigent” të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Teksa ndodhej me mision në Bazën e Heratit, është plagosur. Sadikaj u lëndua në dorë dhe pas trajtimit mjekësor në spitalin spanjoll, e kapërceu rrezikun. Sipas dëshmive, plagosja është bërë në mënyrë aksidentale.

Vendimi, rriten pagat për misionet paqeruajtëse

Më 31 janar u miratua vendimi i qeverisë që parashikon rritjen e trajtimit financiar ditor për ushtarakët shqiptarë me misione në Afganistan, Bosnjë-Hercegovinë dhe në Afrikën Qendrore. Pikërisht në muajin shkurt nisi përllogaritja e shpërblimit financiar të ushtarakëve shqiptarë në bazë të masës së re financiare për çdo ditë të kaluar në mision paqeruajtës jashtë vendit. Sipas vendimeve, ushtarakët shqiptarë që më parë paguheshin më dollarë, tani do të paguhen në lekë dhe masa e shpërblimit është dyfishuar. Sipas vendimeve, ushtarët shqiptarë që janë me mision në Afrikën Qendrore, nga 60 euro që merrnin në ditë për shërbimin ushtarak, tani do të marrin 9 mijë lekë të rinj. Për ushtarët që janë në Bosnjë – Hercegovinë është përcaktuar 6 mijë lekë dita. Ndërsa për ushtarët që janë në Afganistan tani e tutje do të paguhen në bazë të nivelit të rrezikshmërisë që kanë në mision. Për ata që kanë rrezikshmërinë më të lartë, nga 90 dollarë tani do të paguhen me 120 mijë lekë, ndërsa për ata që janë në një nivel më të ulët rrezikshmërie dita do t’u llogaritet me 9 mijë lekë.

22 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›