Mallrat e luksit, Financat i vendosin akcizë çdo produkti të importit
Ervin KOÇI
Nevoja për para dhe pakësimi i të ardhurave doganore gjatë vitit të fundit, ka bërë që Ministria e Financave të gjejë mënyra të tjera për të shtuar taksat. Kjo formë po ndiqet fillimisht me taksat doganore për mallrat e importit, ku me gjithë pretendimet e BE-së për ti hequr ato, MF-ja vetëm sa u ka ndryshuar emërtimet. Pikërisht për këtë çështje MF-ja po rishikon dhe të gjithë strukturën e mallrave dhe produkteve që ngarkohen me akcizë. Duke i konsideruar si lëndë që ndotin ambientin, MF-ja ka propozuar këto ditë me anë të një drafti futjen në listën e produkteve me akcizë disa lëndë të para. Për herë të parë futen në taksën e akcizës produktet si kartoni, qelqi apo plastika. MF-ja propozon që ambalazhi plastik i mallrave të ketë një akcizë prej 100 lekësh/kilogrami, kurse për ambalazhin e qelqit një masë akcize prej 10 lekësh/kilogrami. Ambalazhi prej letre dhe kartoni do të ketë akcizë prej 5 lekësh për kilogram. Masa e re do të ndikojë në koston finale të produkteve që kanë lëndë të parë letrën, kurse për kartonin, ndikimin më të madh do ta ndiejnë kategoria e prodhuesve të këpucëve, një pjesë e fasonëve. Sipas tyre, me futjen e kartonit në akcizë, qeveria rrezikon të favorizojë tregun e huaj dhe jo atë vendas.
Akcizat
Ndryshimet në projektligjin “Për akcizat” pritet të miratohet shumë shpejt në Këshillin e Ministrave, por më parë drafti duhet të diskutohet në Mbledhjen e Këshillit Konsultativ të Biznesit. Reagimi i parë për futjen e akcizës në shumë mallra dhe lëndë të para ka ardhur nga subjektet e biznesit, sipas të cilave një veprim i tillë do të rrisë koston për shumë mallra. Gjithashtu, bizneset janë të mendimit se nga futja e akcizës rrezikohet dhe konkurrueshmëria me vendet e tjera, të cilat nuk e kanë këtë lloj takse. Ajo që propozohet është futja me akcizë e produkteve si plastik, qelq, karton dhe letër, pra ambalazhet e këtyre llojeve. Po ashtu, produkte të tjera si goma për mjetet e transportit, ambalazhe të tjera të përziera, si dhe pjesë elektrike e fishekzjarrë do të jenë pjesë e taksës me akcizë. Një tjetër masë që pritet të miratohet, është dënimi administrativ për rastet e konstatimit të mallit pa pullë fiskale.
Të ardhurat
Për mallrat e reja që futen në taksën e akcizës, qeveria parashikon të ketë rritje të konsiderueshme të ardhurash. Aktualisht me akcizë janë produktet që konsiderohen luks, si kafeja, karburanti, cigaret dhe pijet alkoolike, ndërsa lista bëhet më e gjatë. Vetëm për futjen me akcizë të gomave të mjeteve të transportit, Ministria e Financave parashikon rreth 400 milionë lekë (gati 4 milionë dollarë), ku vetëm nga gomat e përdorura janë 300 milionë lekë.
Sanksionet
Në ndryshimet që pëson projektligji “Për akcizat” propozohen masa të reja kontrolli dhe dënimi për konstatimin e shitjes së mallrave pa pullë fiskale. Bazuar në nenin 25 të ligjit aktual, çdo personi do t’i merret i gjithë malli dhe do të dënohet në rast se kapet me mallra pa pullë fiskale. Madje edhe nëse biznesi i ka paguar detyrimet e akcizës, por nuk ka pullë fiskale, jo vetëm që i bllokohet malli, por merr gjobë sa dyfishi i vlerës së tregut për produktet e gjetur pa pullë fiskale.
Gazsjellësi Trans-Adriatik, BB kërkon ngritjen e TEC-eve
Banka Botërore bëri të ditur se e vetmja mënyrë që gazsjellësi Trans-Adriatik të ndërtohet, është shoqërimi i këtij projekti me ndërtim termocentralesh. Në një raport të zgjeruar për situatën energjetike në rajonin tonë, BB thotë se gazifikimi i Europës Juglindore kërkon domosdoshmërisht ndërtimin e termocentraleve. “Gazsjellësi Jon-Adriatik është pjesë e një projekti më të gjerë për të krijuar unazën e gazit në rajonin e Ballkanit dhe do të lidhë me rrjetin botëror të gazit Shqipërinë, Malin e Zi dhe Kroacinë e Jugut”, thuhet në raport. Gazi i konsumuar në këto vende do të sillet nga Rusia dhe Azia Qendrore duke përdorur linjat ekzistuese që e dërgojnë aktualisht atë deri në Bullgari e Greqi. “Që projekti për këtë gazsjellës të bëhet ekonomikisht i leverdishëm dhe i financueshëm nga bankat, nevojitet ndërtimi i tre termocentraleve, një në Fier, një në Podgoricë në Malin e Zi dhe një në Split të Kroacisë”, vijon raporti. “Por e ardhmja e këtyre termocentraleve është shumë e paqartë, për shkak se asnjë nga projektet nuk është përfshirë në planet e deklaruara të këtyre vendeve për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike”. Gazi është burimi më i lirë i energjisë që përdoret aktualisht në të gjithë botën. Shqipëria është një nga pak vendet e fundit të kontinentit europian që nuk ka asnjë lidhje ndërkombëtare të furnizimit me gaz përmes tubacioneve. Pikat më të afërta të lidhjes me rrjetet ndërkombëtare të gazit janë Greqia dhe Maqedonia. Por të gjitha analizat bëjnë të ditur se ndërtimi i një gazsjellësi është pa leverdi në rast se gazi nuk përdoret për të furnizuar një termocentral.
Kursi, euro ulet sërish në 139.2 lekë
Leku shqiptar mbylli këtë javë duke fituar 31 qindarka dhe duke u larguar nga kuota psikologjike prej 140 lekësh për euro. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, euro e mbylli javën në 139.25 lekë, ndërkohë që pati shënuar nivelin më të lartë në shtatë vjet të mërkurën, kur u këmbye mesatarisht për 139.79 lekë. Në tregun ndërbankar euro ra në disa raste nën kuotën 139. Euro ka qëndruar përgjatë të gjithë muajit mars mbi kuotën 139 lekë, duke testuar vazhdimisht kuotën psikologjike prej 140 lekësh. Shumë ekspertë të fushës mendojnë se kapërcimi i kësaj kuote mund t’i hapë rrugën zhvlerësimit të mëtejshëm të monedhës shqiptare, gjë që mund të sjellë pasoja të rënda ekonomike në të gjitha drejtimet. Banka e Shqipërisë duket se ka filluar të mbajë një rol aktiv në tregun e këmbimit valutor, pasi kishte qëndruar pasive për më shumë se tetë muaj. Zyrtarisht, BSH raporton mbi ndërhyrjet në treg me tre muaj vonesë. Ecuria sezonale historike e monedhës shqiptare tregon se presioni mbi lekun do të vijojë edhe gjatë muajit prill, por disa ekspertë dhe zyrtarë të qeverisë po binden gjithnjë e më shumë se “dimri financiar” po kapërcehet.
22 Mars 2010