Pikat e karburantit, tatimet vendosin gjoba për mosdhënien e faturave fiskale
Ervin KOÇI
Pikat e tregtimit të karburantit në kryeqytet abuzojnë edhe me regjistrimin e xhiros në kasat fiskale. Për çdo shitje karburanti për cilin do klient, ato duhet që të japin faturën fiskale në momentin që drejtuesi i mjetit bën pagesën për sasinë e blerë. Por një praktikë e tillë nuk ndiqet thuajse nga asnjë pikë e tregtimit me pakicë të karburantit në kryeqytet, ku edhe pse të gjitha stacionet e tregtimit janë pajisur me kasa fiskale, ato nuk ua japin klientëve kuponin tatimorë. Të vetmit që e marrin këtë kupon janë automjetet e shtetit të cilat furnizohen në bazë të kolonave, ose ato të kompanive private të cilat e kërkojnë kuponin fiskal për efekt bilanci në tatime. Por janë me qindra drejtuesit e mjeteve private të cilën as nuk e dinë që në momentin kur bëjnë furnizimin e automjetit me karburant, duhet të pajisen nga shitësat e pikave të karburanteve me kuponin tatimor (faturë fiskale), kur bëjnë pagesën e parave. Nisur nga kjo mënyrë abuzimi, Policia Tatimore në kryeqytet ka prerë ditët e fundit me dhjetëra gjoba për pikat e tregtimit me pakicë të karburanteve, pasi ka konstatuar që këto subjekte nuk bënin pajisjen e klientëve me faturat fiskale, si dhe nuk deklaronin të gjithë xhiron në kasat fiskale.
Gjobat
Gjobat e tatimorëve ndaj subjekteve private të tregtimit të karburantit me pakicë në kryeqytet kanë vijuar gjatë gjithë kësaj jave që po lëmë pas. Shuma e gjobave në total edhe pse nuk është bërë publike nga Administrata Tatimore, mësohet se ka vijuar deri në shumën 500 mijë lekë për subjekte të ndryshme. Këto gjoba janë prerë në kuadër të një kontrolli që ka nisur gjatë kësaj jave nga një Task-Force e përbashkët midis Policisë Tatimore dhe Inspektorateve në varësi të Ministrisë së Ekonomisë. Lidhur me gjobat e prera për stacionet e tregtimit të karburantit, pak kohë më parë kreu i ri i Inspektoratit Qendror Teknik, Virgjil Joti ka kërkuar me ngulm disa ndryshime ligjore në procedurat e ekzekutimit të gjobave. Kjo kërkesë ka pasur lidhje dhe me atë për bllokimin e aktivitetit për subjektet abuzuese me cilësinë e karburanteve. Ai i është referuar disa shembujve nga vendet e rajonit, duke shtuar se këto masa do të jepnin impakt të menjëhershëm në normalizimin e situatës në treg. Sipas tij, nga kontrollet e ushtruara dy javët e fundit nga Inspektorati Qendror Teknik në pikat e karburantit në kryeqytet është konstatuar se rreth 15 për qind e tyre kanë probleme serioze me cilësinë. Sipas kryeinspektorit të Inspektoratit Qendror Teknik, Virgjil Joti, cilësia e karburantit në treg mbetet një problem mjaft shqetësues, jo vetëm për konsumatorët, por edhe për bizneset.
Abuzimet
Të gjithë drejtuesit e automjeteve duhet të tregohen mjaftë të kujdesshëm kur shkojnë dhe furnizojnë automjetin e tyre me karburant. Pikat e tregtimit me pakicë të karburanteve janë kthyer në “foleza” grabitjesh të cilat vjedhin dhe abuzojnë jo vetëm tek çmimi dhe cilësia e karburanteve, por edhe tek sasia që shesin. Në shumë pika të shitjes me pakicë, specialistët e kalibrimit konstatuan pas matjeve, se tregtuesit e karburantit në një furnizim që mund t’i bënin një automjeti, arrinin të vidhnin nga 1- 2.5 litra karburant. Kjo bëhej e mundur në sajë të manipulimeve që ata u kishin bërë pistoletave të furnizimit dhe kontaktorëve që tregonin sasinë e litrave për lekë. Edhe pse kontaktorët tregonin me shifra sasinë e saktë të litrave që hidheshin në bazë të parave, në një serbator makine, pompa furnizuese mbante 1- 2 litra në tubat e gomës brenda aparaturave, që në jo pak raste pronarët e stacioneve të karburantit i kishin zgjatur qëllimisht duke i fshehur brena aparaturave.
Shkurt/////////////////////////
INSTAT: Shqiptarët konsumuan më pak mallra në dhjetor 2009
Indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë ka shënuar një rënie prej 3 për qind gjatë tremujorit të fundit të vitit 2009, në krahasim me vitin 2008, njoftoi dje Instituti i Statistikave në një raport periodik. Rënia e shitjeve me pakicë u shoqërua edhe me ulje të numrit të të punësuarve në këtë sektor me 3.5 për qind. Rënia më e fortë u shënua te shitja e veshjeve dhe këpucëve. Sipas të dhënave të grumbulluara nga INSTAT, shqiptarët shpenzuan 23 për qind më pak për paraqitjen e jashtme gjatë tremujorit të fundit, një fenomen ky shumë i pazakontë, për shkak se festat e dhjetorit shoqërohen përgjithësisht me rritje të shitjeve. Rënie tjetër të konsiderueshme prej rreth 18 për qind u regjistrua edhe në shitjet e librave, gazetave e të artikujve shkollorë, ndërsa statistikat flasin edhe për rënie të konsumit të ushqimeve dhe pijeve me 1.4 për qind. Rënia e shitjeve me pakicë është shoqëruar pothuajse në të njëjtën masë me rënien e numrit të të punësuarve në këtë sektor. Dyqanet kanë një rëndësi shumë të madhe për punësimin në Shqipëri, pasi sipas statistikave të Ministrisë së Punës, disa dhjetëra mijëra vetë jetojnë me të ardhura nga shitjet me pakicë, qoftë si të vetëpunësuar, qoftë si të punësuar. Rritje kanë shënuar shpenzimet e shqiptarëve për riparim automjetesh dhe për blerje karburanti. Kjo e fundit lidhet me rritjen e çmimeve të karburantit. Nga ana tjetër, pavarësisht krizës, shqiptarët futën në shtëpitë e veta pajisje të reja elektro-shtëpiake. Sipas INSTAT, i shitjeve të këtyre produkteve qëndroi në të njëjtin nivel me një vit më parë, ndërsa punësimi u rrit me 8 për qind. Shitjet me pakicë kanë njohur rritje të konsiderueshme, shumë shpesh dyshifrore në Shqipëri gjatë të gjithë dekadës së fundit. Gjatë vitit 2009, për herë të parë në shumë vite, shitjet me pakicë shënuan rënie. Shkaku kryesor konsiderohet rënia e fuqisë blerëse të shqiptarëve, shkaktuar nga rënia e të ardhurave nga emigracioni.
Olldashi: Legalizimet do të përfundojnë brenda vitit 2010
Procesi i legalizimeve do të përfundojë ashtu sic edhe është objektivi politik qeverisës, brenda këtij viti. Këtë deklaratë e bëri ministri i Transportit dhe Punëve Publike Sokol Olldashi i cili ka dhënë edhe shifrat e ecurisë së deritanishme të procesit të legalizimeve.
"Në totalin e vet janë 170 mijë parcela që janë prekur, janë kaluar me vendim qeverie rreth 65 mijë, dhe janë rreth 27 mijë të tjera në proces, shifrat janë përditë të ndryshueshme sepse procesi është shumë intensiv. Të gjitha shifrat janë optimiste për të arritur në atë që thashë, mbylljen e procesit brenda fundit të vitit",- bëri të ditur ministri i Transporteve Sokol Olldashi. Ai ka folur pas një takimi të zhvilluar në ministri me të gjithë drejtuesit e procesit të legalizimit, si edhe me kryeregjistruesin e pasurive të paluajtshme. Në takim sipas Olldashit janë përcaktuar mënyrat e bashkërendimit të punës mes institucioneve. "Kemi rënë dakord që me një kalendar të përjavshëm ne do të verifikojmë ecurinë në terren të procesit për ta monitoruar më nga afër dhe për të qenë të sigurtë që procesi po ecën në rrugën e duhur",- tha Olldashi. Procesi i legalizimit të banesave dhe pronave të tjera informale është ndër më të vështirët që ka ndërmarrë qeveria. Procesi i legalizimit të ndërtimeve informale pritet të përshpejtohet pas hyrjes në fuqi një javë më parë të ligjit për legalizimin me letra me vlerë. Pas kësaj, qytetarët që janë në proces legalizimi, në një periudhë 3-mujore mund të paguajnë 70 % të vlerës me anë të bonove të privatizimit. Ndërsa për ata që e kanë kryer tashmë pagesën, mund të rimbursohen duke u paraqitur në sportelet e bankës me bonot e privatizimit dhe duke marrë kështu mbrapsht, vlerën e tyre në para, cash sipas përqindjes së përcaktuar në ligj. Sipas të dhënave paraprake realizimi i tij me sukses i shton ekonomisë një vlerë mbi 3 miliard euro.
22 Mars 2010